Keqpërdorimi i numrit të lartë të testeve!?

Keqpërdorimi i numrit të lartë të testeve!?

Nga Kastriot Islami - 10/01/2021

1. Është gjë shumë e mirë që testet COVID po rriten, askush nuk është kundër, madje unë mendoj se duhet të rriten edhe më shumë. Por ka dy probleme. Së pari, qeveria nuk bën transparencë për metodikën e testimeve dhe kjo që nga fillimi i pandemisë! Së dyti, qytetarët kanë një shqetësim, mos vallë kjo rritje e testimeve po përdoret për të krijuar përshtypjen e rritjes së infektimeve dhe për ta keqpërdorur këtë ‘gjë të mirë’?

Ka shumë dyshime se e gjithë kjo është prelud i dhunimit të të drejtave të qytetarëve...Meqë po i afrohemi 25 prillit, duke penguar opozitën të zhvillojë takimet elektorale...?! Kjo do të ishte shumë e rëndë! Ndërkohë që Rama përpiqet të vjedhë zgjedhjet kurse ministrat e tij të korruptuar darkosen në restorantet e një prej vendeve më të shtrenjtë të botës!

2. Qytetarët në mungesë të transparencës për metodikën e testimeve janë të shqetësuar nga rritja e ‘çuditshme’ e testimeve ditore në këto ditët e para të vitit 2021 sepse ky veprim mund të pasohet nga një keqpërdorim apo të ishte një paralajmërim i keq për dhunimin e qëllimshëm të së drejtës politike të grumbullimit apo thënë troç e ndalimit të takimeve elektorale të opozitës me afrimin e zgjedhjeve të 25 prillit!

Ky do të ishte një alarm që duhet ngritur që tani! Qytetarët janë të ndërgjegjshëm për rreziqet e pandemisë dhe të angazhuar për respektimin e masave mbrojtëse, por njëkohësisht janë të shqetësuar nga paaftësia dhe papërgjegjshmëria e qeverisë e cila njëkohësisht tenton t’ju dhunojë të drejtat themelore duke bërë sikur gjoja po rrit testimet dhe po e keqpërdor këtë rritje...

Nga ana tjetër, qytetarët dinë të bëjnë dallimin e punës heroike të disa mjekëve të angazhuar, nga çfarë bën qeveria por edhe disa kolegë të tyre që po tentojnë të përfitojnë gjatë kësaj periudhe.

Image

3. Ekziston një perceptim i përgjithshëm se testet ditore COVID ulen e ngrihen sipas qejfit apo për interesa politike e personale, ose më saktë ato ndryshojnë në mungesë të plotë të transparencës për metodikën e përzgjedhjes së qytetarëve për tu testuar...Ky përfundim mund të nxirret edhe po të analizohet grafiku kohor i numrit të testeve që duhet të bëhen për të kapur 1 rast pozitiv...

Normalisht paraqitja e këtij grafiku do të ishte një vijë e drejtë, pothuajse konstante, nëse metodika e përzgjedhjes së qytetarëve për testime do të ishte ‘shkencore’... Fakti që ky grafik është një vijë e ‘çuditshme’ flet qartë për atë që ndjejnë qytetarët, duke e konfirmuar ndjesinë e tyre...

4. Testet ditore para disa muajsh uleshin për të ulur numrin e të infektuarve apo sepse i tillë ka qenë ‘urdhri nga lart’ sipas interesave apo humorit të ‘sulltanit të Surrelit’...Për shembull, deri në 15.10.2020 numri ditor i testeve nuk ka qenë asnjëherë më i lartë se 1000, sepse ‘sulltani i Surrelit’ tentoi të mburrej me ‘numrin më të ulët të infektimeve nga COVID në të gjithë Europën’ për shkak të menaxhimit të tij të suksesshëm me masa drastike?!...

5. Duke filluar në javën e dytë të tetorit 2020 e deri në javën e parë të nëntorit, nga presioni i opozitës, por sidomos pasi fondacioni Forbes, në bazë të një studimi, e nxori Shqipërinë të fundit në Europë përsa i përket ‘menaxhimit qeveritar të pandemisë’, numri i testeve u rrit gradualisht deri në 2000 teste në ditë; gjë që u shoqërua edhe me rritjen e numrit të rasteve pozitive... Duket ishte e pamundur të mbaheshin të ulëta shifrat e të infektuarve.

6. Edhe në nëntor e mesin e dhjetorit 2020, për shkak se edhe kudo po rritej përhapja e virusit, numri i testeve u rrit duke arritur në mbi 2500 teste në ditë....Qytetarët duke mos pasur asnjë informacion për metodikën sesi përzgjidhen qytetarët për tu testuar, me te drejtë filluan të mendojnë se e gjithë kjo rritje që shoqërohej edhe me rritje të rasteve pozitive më COVID-19 lidhej me presionin për të pranuar vaksinën ose më saktë për të ulur reagimet e të gjithë atyre që mund të ishin kundër vaksinës.

7. Pasi Rama, nuk arriti të siguronte vaksinat, pas një vizite të çuditshme në SHBA që më shumë ngjante me një sorrollatje për interesa personale apo shopping në Nju Jork, filloi që numri i testeve ditore të ulej përsëri, duke arritur vlerat rreth 1200, afërsisht sa ç’kishte qenë kjo shifër në mesin e tetorit 2020. Ndërkohë që të gjithë vendet europiane po rrisnin numrin e testeve ditore duke patur si objektiv testimin masiv të popullsisë.

8. Ka rreth një javë, pra në dhjetëshin e parë të janarit 2021, përsëri numri i testeve ditore ka filluar të rritet në mënyrë të ‘çuditshme’ duke arritur në rreth 4500 teste në ditë apo 4,5 herë më shumë se në tetor-nëntor, duke vazhduar një terr i plotë informacioni për metodikën e testimeve.

Ekspertët s’janë kundër rritjes së numrit të testeve, aq më tepër po të kemi parasysh se në Shqipëri numri total i testeve për 100 banorë është veçse 9,8 ose thënë ndryshe se në Shqipëri deri tani janë testuar më pak se 10 përqind e popullsisë. Kur në Danimarkë me një popullsi prej 5,8 milion banorësh janë kryer gjithsej 11,3 milion teste, thënë ndryshe që janë testuar të gjithë danezët nga dy herë.

Në Izrael është testuar 95 përqind e popullsisë, në Britaninë e Madhe mbi 86 %, në SHBA rreth 81 % e popullsisë, në Greqi e Turqi rreth 30 % e popullsisë, madje edhe në Malin e Zi e Serbi janë testuar deri tani 30,9% dhe 27,4 % e popullsisë...disa herë më shumë teste për frymë se në Shqipëri. Për më tepër që pandemia vazhdon dhe përhapja e virusit është riaktivizuar! Ndërkohë që Rama po përpiqet me të gjithë mënyrat të manipulojë zgjedhjet kurse ministrat e tij të korruptuar darkosen për shtatë palë qejfe më paratë e ‘investitorëve’!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco