Piktorin e trishton fytyra e tij e shëmtuar si burrështetas!

Piktorin e trishton fytyra e tij e shëmtuar si burrështetas!

Nga Kim Mehmeti - 05/12/2020

Njerëzit e këqij pjesën më të madhe të jetës e harxhojnë duke u munduar që të tjerët të mos ua shohin fytyrën e vërtetë, por maskën me të cilën e kanë mbuluar atë.

Dhe orvatjet e Piktorit për ta kufizuar lirinë e të shprehurit publik, ku bëjnë pjesë edhe memet, kanë për qellim ta mbrojnë atë nga pasqyra më besnike për ne që merremi me aktivitete publike – ajo që mendojnë e thonë të terët për ne!

Siç duket Piktorit askush nuk ia ka përcjell thënien e moçme se vetëm gjatë fëmijërisë dhe rinisë njeriu jeton me fytyrën që ia ka dhënë Zoti, dhe se gjatë jetës së mëtejme, ai vetë e zgjedhë fytyrën që don ta ketë!

Pra se njeriu lind e rritet me fytyrën që ia ka dhënë Zoti, por plaket e vdes me fytyrën që e ka zgjedhur për vetveten: me atë të turpit, apo atë të njerëzores!

Sidoqoftë orvatjet e Piktorit që me çdo kusht ta mbrojë shëmtinë e vet, më së miri e shpërfaq të vërtetën se të pushtetshmit e të fortit harrojnë se njeriu nuk është i tillë siç shtiret se është, duke dashur që ta pëlqejnë të gjithë, por ai është atë që shihet në pasqyrë.

Dhe përderisa burrështetasit e tjerë hartonin strategji si ta përballin papunësinë dhe katastrofën ekonomike që do pllakosë planetin pas pandemisë, Piktori i “Rilindjes” i ishte përkushtuar vetëreklamimit dhe kompletimit të biografisë së tij të ‘ndritshme’ si kryeministri më i mire që ndonjëherë ka pasur Shqipëria, por duke harruar se e rrejshmja ka afat të përdorimi vetëm për aq kohë sa atë mund ta mbrojë gënjeshtari i pushtetshëm apo i pasur dhe i pafytyri.

Dhe kjo ngutje e tij për ta mbrojtur vetveten nga pasqyra më së miri tregon se ai e ndjen fajësinë se e bëri Shqipërinë me pushtet por duke e zhbëri si shtet, se e bëri vend ku ai  është edhe gjykatë kushtetuese, edhe mjek, edhe ekspertë…, por i cili në të vërtet ishte dhe mbeti vetëm atë që shihet nëpër memet e shumta – një burrështetas i paaftë, i papërgjegjshëm dhe qesharak!

Dhe një nga fatkeqësitë e mëdha që i ndodhin Shqipërisë është edhe ajo se shumica e politikanëve të saj, njësoj si edhe shumica e atyre që duhet ta shpalosin fytyrën e tyre të vërtetë – pra ata që ne i quajmë opinionistë - përpëliten në të njëjtën baltë: në lloçin që ua ngjeshin pronarët e pasur të mediave, e ku nuk mungojnë as para të pista!

Ndërkohë duket se edhe kësaj radhe Shqipëria e Maqedonia nuk do mund ta nisin procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.

Dhe përderisa Shqipëria nuk mund të ecë përpara shkaku i keqqeverisjes, Maqedonia ngec për shkak se të sotmen e ka të ngatërruar me të shkuarën e paqartë të etnisë maqedonase.

Që do të thotë se problemi i Maqedonisë nuk është vetëm pse ajo duket si një arë e arnuar nga copat e mbetura nga shtetet fqinje, por me shumëçka ajo tregon se edhe historinë e vet e ka të arnuar.

Por sikur edhe të ishte e vërtet kjo që u tha më lartë, duhet pranuar se populli maqedonas ka të drejtë të ndjehet atë që thotë se është, e t’i besojë historisë që e ka shkruar për vetveten.

Ndërkohë assesi nuk mund të zhbëhen të vërtetat nga e shkuara, siç është ajo se gjatë dekadave sa ekzistonte federata e Jugosllave, Beogradi bëri çmos që popullin maqedonas ta largonte sa më shumë nga ai bullgarë si dhe ta shlyente çdo ngjashmëri të gjuhës maqedonase me atë bullgare.

Sidoqoftë edhe qytetarët e Shqipërisë edhe ata të Maqedonisë gabojnë kur besojnë se do bëhen shtete kur të alarmohet e kur të vendos Brukseli, e jo kur të çohen në këmbë Shkupi  e Tirana, që të kërkojnë shtet ligjor e zgjedhje të lira e të ndershme,

Kur jemi te zgjedhjet duhet thënë se fitorja e VV në Podujevë tregon se për dallim nga Shqipëria, Kosova e ka nisur dhe është duke e vazhduar betejën e rëndë për ta çliruar vetveten nga burrështetasit që nuk lodhen fare për spitalet, shkollat, gjykatat...., që ajo i ka, sepse ata vetë mjekohen jashtë vendit, fëmijët e tyre shkollohen nëpër qendrat Perëndimore dhe pse – si edhe në gjitha ‘Shqipëritë’ tona - nëpër gjykatat e Kosovës, dënohen hallexhinjtë që vjedhin nga një bukë, por jo edhe burrështetasit që e plaçkitin popullin e vet!

Pra me fitoren e VV-së në Podujevë, Kosova tregon se është duke e vazhduar betejën për të ndërtuar institucione shtetërore që nuk do jenë strehimore për kriminelë e hajdutë, për të ndërtuar shtet ku politika nuk do jetë ‘biznesi’ më fitimprurës në të cilin mjafton të investosh papërgjegjësinë e paturpësinë tënde.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco