Parku i Spitallës, kur marrëzia shitet si sukses

Parku i Spitallës, kur marrëzia shitet si sukses

Nga Klodian Tomorri - 20/11/2020

Hapja e garës për ndërtimin e Parkut Diellor të Spitallës me çmim tavan për energjinë 55 euro për mega, qe u njoftua nga qeveria është në kundërshtim jo vetëm me logjikën ekonomike, por edhe praktikat më elementare të qeverisjes. Në fakt, ajo që qeveria e shpall si sukses është një veprim me kosto financiare për qytetarët.

Në maj të këtij viti, qeveria hapi ankandin për dhënien me koncesion të Parkut Diellor të Karavastasë. Fituese në ankand u shpall kompania franceze Voltalia, e cila ofroi që gjysmën e energjisë së prodhuar nga centrali t’ia shiste shtetit shqiptar me çmimin e favorshëm 24.89 euro për mega.

Por 6 muaj më vonë qeveria hap garën për një tjetër central diellor, atë të Spitallës, i cili do të ketë një fuqi të instaluar 100 mega. Por këtë herë shteti do të blejë 70 për qind të energjisë së prodhuar nga centrali, ndërkohë që çmimi tavan është lënë sërish 55 euro për mega. Në këtë situatë natyrshëm lind një pyetje;

Si shpjegohet çmimi 55 euro i ankandit të ri kur në fakt si çmimm referencë duhej të merrej çmimi i ankandit të fundit, pra 24.89 Euro për MW, që u ofrua nga kompania fituese në Karavasta. E njëjta logjikë dhe rregull u ndoq nga ERE dhe u percaktua edhe në strategjinë e rishikuar të energjive të rinovueshme në 2019, ku si baze për hapjen e ankandit të ri merrej çmimi i ankadit të mëparshem, siç ishte ankandi i Akërnisë në 2018 që doli 59 Euro.

Po të marrësh në konsideratë, që gara për Spitallën pritet të përfundojë në fillim të vitit 2021, përfshirë dhe lidhjen e kontratës, kjo e bën procesin akoma më të dyshimtë nisur nga fakti që kostot e investimeve në energjinë diellore bien me një mesatare të paktën 15% çdo vit.

Të gjitha gjasat të çojnë në hamendësimin se tenderi i Spitallës është korrigjim për atë të Karavastasë. Nuk është çudi që edhe Spitalla të jetë paracaktuar për kompaninë franceze Voltalia. Me sa duket, kompania franceze është bërë pishman për çmimin dumping që ofroi në Karavasta dhe tani nuk i dalin llogaritë.

Ndaj ankandi për Spitallën po shpallet me një çmim mbi dy herë më të lartë se sa ai që u ofrua në tenderin e Karavastasë, madje më i lartë edhe se ai që u ofrua në vitin 2018 në Akerni, po të marrësh parasysh rënien e çmimeve në harkun e një periudhe gati 3 vjeçare, me qëllimin e vetëm që t’ju vijë në ndihmë përsëri fituesve të Karavastasë. Kështu ata do të mesatarizonin çmimin, ndërsa qeveria do të shmangte dështimin e ankandit të Karavastasë, por duke i ngarkuar qytetarëve një kosto më të lartë në kurriz.

Të gjithë këtë skenar e pata parlajmëruar përmes një editoriali me titull ‘Karavasta- Spitallë, dritëhijet e një afere’, që në fillim të këtij muaji. Qeveria nuk zhgënjeu sërish, Spitalla u hap me çmim 55 euro për mega ashtu siç ishte paralajmëruar, tashmë mbetet vetëm të konfirmohet nëse edhe ky park do të shkojë për kompaninë Voltalia.

Por edhe sikur koncesioni i Spitallës të fitohet nga një tjetër kompani sërish kjo nuk e ndryshon thelbin. Hapja e ankandit të Spitallës me një çmim dy herë më të lartë se ai i Karavastasë nuk është më një lajthitje si ato që bën shpesh së fundmi Ministria e Energjisë në raportimet e saj publike, por një faj i rëndë me pasoja të rënda në kurriz të ligjit dhe financave të drobitura të sektorit te energjisë. Në fund, ata që paguajnë të gjitha këto janë gjithmonë qytetarët.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco