Adresa shtetërore për ndërmarrje të përbashkët kriminale është Beogradi

Adresa shtetërore për ndërmarrje të përbashkët kriminale është Beogradi

Nga Veton Surroi - 18/11/2020

Çfarë do të bëhet me negociatat Kosovë-Serbi pas shpalljes së aktpadive kundër ish-eprorëve të UÇK-së

1.

Në shkurt të vitit 2008 Kosova shpall pavarësinë.

Në shkurt të vitit 2009, Tribunali Ndërkombëtar për Krime të ish-Jugosllavisë shpall fajtorë N.
Shainoviqin dhe një grup gjeneralësh të Serbisë për krimet e luftës e kundër njerëzimit të bëra në Kosovë më 1999.

Në korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, duke iu përgjigjur pyetjes së parashtruar nga Serbia, gjegjësisht Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, konstaton se shpallja e pavarësisë nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Në shtator të vitit 2010, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miraton rezolutën për “dialog mes Prishtinës dhe Beogradit”.

Në dhjetor të vitit 2010 mbahen zgjedhjet në Kosovë. PDK-ja është fituese në atë që ambasadorët e quajtën “vjedhje industriale të votave”.

Disa ditë pas zgjedhjeve, senatori Dick Marty del me raportin e tij për krimet e supozuara të bëra nga pjesëtarë të UÇK-së në Kosovë e Shqipëri.

Disa ditë pas konstatimit se në Kosovë ka pasur vjedhje industriale të votave dhe pas raportit të Dick Martyt, shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, kërkon që “Prishtina” sa më shpejt ta formojë Qeverinë, që të mund të fillojë dialogu me “Beogradin”.

Më 2011 “Prishtina” formon Qeverinë me detyrë urgjente për “dialog me Beogradin”. Kjo ndodh pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, dënimit të N. Shainoviqit në Tribunalin për ish-Jugosllavi, vjedhjes industriale të votave dhe raportit të Dick Martyt, i cili miratohet në Këshillin e Evropës.

Dialogu prodhon një degradim, nga nënshkrimi i autonomisë territoriale serbe në Kosovë deri te negociatat për ndarjen territoriale të Kosovës. Diku në mes të këtyre negociatave e në bashkërenditje kohore e politike me Marrëveshjen për Bashkësinë e komunave serbe në Kosovë, më 2015 hyn edhe themelimi i Dhomave të Specializuara, që duhet të merren ligjshmërisht me raportin e Dick Martyt.

Më 2020, me shpalljen e aktpadive ndaj H.Thaçit dhe të tjerëve, ndërpritet “dialogu për normalizim” me Beogradin, i nisur si kundërofensivë e Beogradit pas mendimit pozitiv të GJND-së për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

2.

Ky narracion i shkurtër i dhjetëvjetëshit të kaluar është konstatim faktesh që mund të jetë njëri interpretim se ku gjendet Kosova sot me shpalljen e aktpadive ndaj disa prej ish-drejtuesve kryesorë të UÇK-së, të cilët pas luftës kishin edhe funksione të spikatura politike. Jam i vetëdijshëm se ka narracione të tjera, në shumicë emocionale, që e shohin këtë që po ndodh si goditje ndaj lirisë, luftës, shqiptarëve, Kosovës dhe kështu me radhë. Dhe jam i vetëdijshëm se ka narracione të tjera që e shohin si pjesë të luftërave të brendshme politike, qoftë brenda Kosovës, qoftë brenda Shqipërisë.

Më duket, megjithatë, se për ta kuptuar momentin, do shërbyer me dy trajtime. I pari është mënjanimi i anës juridike të çështjes. Pra, kemi një aktakuzë, një gjykatë, të akuzuar me mbrojtës të tyre dhe çka do që të thuhet nga jashtë, nuk ka gjasa që të ndihmojë në procesin juridik. Prokuroria duhet ta vërtetojë se të akuzuarit kanë qenë pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale; të akuzuarit kanë të gjitha mundësitë që me rrëfimet e tyre të vërtetojnë se nuk kanë qenë.

Trajtimi tjetër është se ky gjykim dhe kjo gjykatë kanë lindur në një kontekst politik dhe do të kenë pasojat e veta politike. Dhomat e Specializuara u lindën në një pozitë të dobësisë institucionale të Kosovës-qoftë në sundimin e ligjit brenda vendit, qoftë në procesin e “dialogut” me Beogradin-dhe me punën e tyre do të krijojnë së paku dy efekte madhore politike në jetën e Kosovës.

Një është efekti i ballafaqimit me të kaluarën, e posaçërisht për publikun kosovar, me një rrëfim të ri të luftës, tashmë jo mes forcave okupatore serbe dhe popullatës shqiptare, por, mes të tjerash, apo para së gjithash, shqiptarëve të armatosur me bindje të ndryshme politike. Efektet e ballafaqimit me të kaluarën do të jenë kundërthënëse. Nga njëra anë, pas njëzet vjetësh do të flitet për një anë të errët dhe gjithsesi jo të lavdishme të shqiptarëve të Kosovës, që në momentet më të vështira nuk gjenin mundësinë e bashkimit e të pajtimit. Nga ana tjetër, ky rrëfim, si dhe përgjegjësia për krime ndaj minoriteteve, do të përsëriten për ditë të tëra, me gjasë për disa vjet rresht, dhe objektivisht do të krijojnë një perceptim skajshmërisht të kufizuar për luftën në Kosovë, një luftë ku okupatori nga Serbia ka përndjekur në formë sistematike popullatën shumicë.

Dy, është efekti politik në kontekstin e konfliktit të papërfunduar me Serbinë, pra në procesin negociator me Beogradin. Nga kronologjia në fillim të tekstit u pa që procesi i negociatave dhe ai i Dick Martyt janë zhvilluar paralelisht: sa më shumë është zhytur Kosova në negociata, posaçërisht rreth autonomisë serbe në Kosovë apo në këmbime territoriale, aq më shumë është fuqizuar mekanizmi për themelimin e Dhomave të Specializuara.

Çka ndodh tash, kur janë vënë në funksion gjykimet sipas raportit Marty, gjegjësisht raportit të prokurorit special Williamson?

3.

Tashmë është ravijëzuar një diskurs publik që mendoj se nuk ndihmon shumë, gjegjësisht ndihmon pak. Ai në vija të trasha, pos shpërthimit emocional, përmblidhet tek konstatimet vetëfrikësuese se gjykimet në Hagë do ta dënojnë luftën e UÇK-së, do ta çmontojnë pavarësinë e Kosovës, do ta kriminalizojnë lirinë dhe do ta fajësojnë Kosovën përballë një Serbie të riafirmuar në bashkësinë ndërkombëtare, apo së paku do t’i barazojnë Kosovën e Serbinë si ekzekutorë të Ndërmarrjes së përbashkët kriminale (NPK).

Nuk do të ndodhë asnjëra prej këtyre. Lufta e UÇK-së qe pjesë e rëndësishme e një lëvizjeje më të gjerë popullore të rezistencës, së pari paqësore ndaj okupimit të Serbisë, dhe kjo rezistencë e luftuar së fundmi me përpjekje gjenocidi nga Serbia u përkrah nga bashkësia ndërkombëtare me ndërhyrjen ushtarake në vitin 1999 dhe me procesin e sanksionuar ndërkombëtar që solli shpalljen e dakorduar të pavarësisë së Kosovës. Pavarësia e Kosovës ishte dhe është synim i shumicës plebishitare të qytetarëve të saj, forcave të saj politike dhe se, gjithsesi me rëndësi, pjesë e një projekti Transatlantik për paqe e demokraci në Evropë.

Po, mbetet formulimi i Ndërmarrjes së përbashkët kriminale, apo NPK, dhe ky është një problem i madh konceptual për të gjithë në Kosovë. Nëse një pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ka qenë pjesë e NPK-së, kjo nuk flet fare mirë për Shtabin. Por, kjo është një çështje që duhet provuar në Gjyq, nuk është sot për sot pjesë e rrëfimit politik, aq më pak mund të jetë pjesë e procesit negociator me Beogradin. Fundja, a do të vërtetohen apo jo aktakuzat në Dhomat e Specializuara nuk ka pse të ketë efekt në procesin negociator Kosovë-Serbi: edhe në rastin më të keq për aktakuzat, nuk ka ushtar a epror të UÇK-së që ka shkuar në Kragujevc, Novi-Sad apo Uzhice për të luftuar kundër qytetarëve të atyre vendeve. Ka ndodhur e kundërta, dhe çfarëdo që të jetë aktgjykimi në rastin kundër ish-eprorëve të UÇK-së, me rëndësi parësore për negociatat Kosovë-Serbi është një aktgjykim tjetër, ai i Shainoviqit dhe gjeneralëve serbë në Hagë.

Në vitin 2009 Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në gjykimin Shainoviq et al. dha verdiktin e vet së bashku me dënimet për Nikola Shainoviqin, zv. kryeministër i “Jugosllavisë” dhe gjeneralët N. Pavkoviq e S. Lukiq dhe ushtarakët e tjerë për veprimet e tyre gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s, mars-qershor 1999.

Gjykata gjeti se “...ka ekzistuar një fushatë e gjerë e dhunës e drejtuar kundër popullatës civile shqiptare të Kosovës...dhe se kjo fushatë është zhvilluar nga forcat e ushtrisë dhe MPB-së nën kontroll të autoriteteve të RFJ dhe Serbisë, të cilat ishin përgjegjëse për dëbimin masovik të civilëve shqiptarë të Kosovës nga shtëpitë e tyre, si dhe incidentet e vrasjes, sulmit seksual dhe shkatërrimit të qëllimshëm të xhamive”. Gjykata gjeti se “këto krime u kryen përgjatë zbatimit të një ndërmarrje të përbashkët kriminale, qëllimi i së cilës ishte ‘përdorimi i dhunës dhe terrorit për të dëbuar nga shtëpitë e tyre e përtej kufinjve dhe me dhunë një numër të rëndësishëm të shqiptarëve të Kosovës në mënyrë që autoritetet shtetërore të mbanin kontrollin mbi Kosovën”.

Pas ankesës së të dënuarve, në Gjykimin e Apelit më 2014 u vërtetuan gjetjet e Tribunalit. Pra, u vërtetua edhe një herë se Serbia dhe “RFJ”, nëpërmjet NPK-së ishin përgjegjëse për dëbimin me terror e dhunë të civilëve shqiptarë të Kosovës “në mënyrë që autoritetet shtetërore të mbanin kontrollin mbi Kosovën”.

4.

Aktgjykimi Shainoviqit erdhi pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. E pas aktgjykimit erdhi edhe mendimi i GJND-së.

Prej atëherë, Kosova u fut, me udhëheqje të keqe, vjedhje të votave dhe presionin-a shantazhim- objektiv të raportit Marty në proces negociator, në të cilin Kosova nuk ngriti më asnjë rast, juridikisht apo politikisht, përgjegjësinë e Serbisë pas verdiktit Shainoviq et al. Përkundrazi, pranoi që Serbia pa ballafaqim me përgjegjësinë për të kaluarën të zhvillojë “dialog për normalizim”. Rrjedhimisht Serbia hyri jo vetëm me të drejtën që të mos ballafaqohet me NPK-në, por për më tepër, me të drejtën e legjitimimin e synimit të NPK-së të ushtruar me dhunë e terror “që autoritetet shtetërore të mbanin kontrollin mbi Kosovën”.

Tash, meqë po hapet kapitulli i rivizitimit të historisë së para njëzet vjetëve në Kosovë, një rivizitim që do të bëhet edhe në gjykimin e Dhomave të Specializuara, procesi negociator mes Kosovës dhe Serbisë do zhvilluar në bazë të historisë tashmë të dëshmuar e me pasoja juridike pasuese sipas aktgjykimit Shainoviq et al. me të cilin institucionet shtetërore të Serbisë kanë qenë një Ndërmarrje e përbashkët kriminale. Kjo ndërmarrje ende është në praktikë: janë ende varrezat masive në Serbi me trupa shqiptarësh të vrarë në Kosovë e të transportuar në Serbi për t’u fshehur krimet. Është e gjatë lista e eprorëve ushtarakë e policorë që kanë qenë zbatues të Ndërmarrjes së përbashkët kriminale, e të cilët nuk kanë pasur asnjë pasojë juridike. Përkundrazi, edhe kriminelët e dënuar të luftës sot janë krejtësisht të rehabilituar në Serbi.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Selman Dervishi-Mani,USA.poet19/11/2020 07:43

ËËËH,ADRESA PËR NDËRRMARRJE KRIMINALË TË PËRBASHKËT ËSHTË SERBIA;
HËËË,NGARKESA ZËR FERRVARRJE SHFRIMIZGALË QË TERRVRAZDËT RRESHTË
VËRBËRIA!.;PA DËGJONI;AH,PËRGJONI:PO NA THËRRASIN,DO NA PËLCASIN;OUH,
ZËRI I VIKTIMAVE,NDERI I TRIMAVE;VRERI I JETIMAVE;AHIII O,MBI PESQIND VARRE
MASIVE;HEEEJ MORE,SHTRI STRESGRIND ZJARRE MAFIVE;VARRE MBI VARRE AH,
DUKE U PËRSERITUR;ZJARRE MBI ZJARRE,KUKE STRESEVRITUR;QË NGA TUNA O,
GJËR TEK BUNA;DETI ADRITIK,MORE MIK;GJËR TEK DETI JON;O,GJËR TEK DETI I ZI
TOKË E DETI,KRROKË TRETI;VËRRSHIMË NGA GJAKU I SHQIPTARIT;FËRRSHËLLIME
NGA PRAGU I SHKRIPARIT;MU NGA KËTA;UH,SA HATA;BANDA TERRORISTE,SI BISHA
TË TËRBUARA;TRANDA FERRORPISTE SHI,HISHA,ISHA,TË VËRBUARA;T'POROSITUR
HORRONGRITUR;KANIBALË KANIBALIZMI,TANIBALË TANIBALIZMI;PLANE KANIBALË O,
KLANE TRANDIZGALË;PËR ÇFARROSJE,ÇRRANOSJE;OKUPIMIN,RROKUKRIMIN;TERË
PELLAZGO ILIRO MBARË SHQIPTARISË;VËLLAZËRO RIHIRO FARË SHKRIPKAVRRISË;
SE PAK U DUKËN,Q'NA ZHDUKËN,OR NA NDUKËN;TERË DHUNË,PËRDHUNË;MBI 80%
POR KËRKOJNË,TENTOJNË;TERË GADISHULLIN E ILIRISË;VRER NA ISHULLIN ORE, E
SHQIPTARISË;PO NGADALNI SE:"NUK KA PRAG PA U KTHYE;O ME GJAK,O ME KRYE!"
MALLKIMI I GJAKUT TË SHQIPTARISË;KALLKRIMI I PRAGUT QË SHKRIPKAVRRISË;DO
SHKREPKA RRUFEJA,BREZE QIELLI;ZO PËSHTETKA KRUKREJA,RREZE DIELLI;OUH,
AS NË TOKË,AS NË QIELL;AS ME LOKË,AS ME DIELL;NUK MBANË TOKA KRIMINELIN,
GJAKPIRËS NJERIU;TUK QANË KOKA SHFRIMINGELIN,PRAGSHIRËS DJERIU;OUUUH,
NUK KENI VEND,TUK NXENI TRENT;JU KOKA TË KRIMIT,HOLOKUSTE GJENOCIDALË;
JU STROKA E SHFRIMIT,ROLLOMAUZDE ETNOCIDALË;DRIDHET TOKA EDHE QIELLI,
HIDHET KOKA EDHE DIELLI;SHPËRTHEN VULLKANI,TIMI ZJARRI;MBËRTHEN OUUH,
KULLXHANI,TRIMI PREJ VARRI;TIME FLAKË,MOJ SHTRIGA MË E LIGA PLAKË;SE NUK
ÇFARROSEJ SHQIP SHQIPJA SHQIPTARE;PSE NUK ÇRRANOSEJ SHKRIP SHKRIPJA
SHKRIPKAVRRE;PËRSERI,TERSEVRRI;RILINDIN,RINGRITIN;NA PËRGJEGJA QE SOT
ME TANDEMA;OUUU,GJERGJA KATSRIOT,PLOT OR PLOT ADEMA;OUUU OREEE HEJ;
GJERGJA MË ADEMA;GJERGJA MË ADEMA;GJERGJA MË ADEMA!!! T'FALA MANI,USA.

Shto koment

Denonco