Kush qëndron mbrapa krijimit të Gjykatës Speciale në Kosovë

Kush qëndron mbrapa krijimit të Gjykatës Speciale në Kosovë

Nga Altin Gjeta - 16/11/2020

Konfirmimi i aktakuzës së Gjykatës Speciale të Kosovës për ish-kupolën drejtuese të UÇK-së, si dhe arrestimi i tyre pak më shumë se një javë më parë kaloi pa krijuar zallamahinë dhe sakëlldinë e pritshme në qendrat shqiptare në Prishtinë dhe Tiranë, pasi vëmendja e botës shqiptare dhe jo vetëm qe përqendruar tek zgjedhjet abnormale përtej Atlantikut në SHBA. Ndërsa tymnaja e përplasjes së ‘botëve’ në ‘tokën e ëndrrave’ filloi të fashitej me kalimin e ditëve dhe zbardhjen e ngadaltë dhe të debatueshme të rezultatit elektoral në Uashington, opinioni publik shqiptar filloi të ftillohej mbi peshën e rëndë të ngjarjes që luhet në aksin Prishtinë-Hagë.

Megjithëse Gjykata Speciale qe ngritur në Kosovë që në gusht të vitit 2015 me miratimin kontravers të Kuvendit të Kosovës, duket se opinion publik shqiptar u kap i papërgatitur nga forca e saj goditëse mbi lidershipin shqiptar të Kosovës. Sikur të mos mjaftonte kjo, Gjykata dhe EULEX (organizata e Bashkimit Europian për sundim të ligjit në Kosovë) u kujdes që aksionit t’i shtohej si garniturë edhe show i panevojshëm mediatik me bastisjen e shtëpive të të akuzuarve dhe transportin e tyre të menjëhershëm me avion special për në Hagë.

E gjithë kjo panoramë dramatike ka ngritur pikëpyetje dhe debate mbi burimin e krijimit të Gjykatës Speciale në Kosovë dhe natyrën e saj, pasi për shumë syresh përzierja e ‘Speciales’ me Hagën dhe forca e saj goditëse jo vetëm që nuk e ka davaritur konfuzionin, por e ka shtuar edhe më tej atë. Në këtë kontekst, është mëse normale që në opinion publik shqiptar të ngrihen pyetje dhe dyshime se kush qëndron mbrapa krijimit të Gjykatës Speciale.

Gjykata Speciale dhe Zyra e Prokurorit Special u ngrit në Kosovë në vitin 2015 nën presionin ndërkombëtarë pas miratimit të raportit të Dick Marty në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, i cili akuzonte UÇK-në për trafik organesh. Gjykata dhe Zyra e Prokurorit Special do të ushtronin juridiksionin e tyre mbi territorin e Kosovës dhe do të funksionojnë brenda kornizës ligjore të Kosovës, por ajo do të vendoset në Hagë, do të ketë staf ndërkombëtarë si dhe do të financohet nga SHBA dhe BE. Ndërsa objekt i saj është veprimtaria e dyshuar kriminale e eksponentëve të UÇK-së nga marsi 1998 deri në shtator 1999.

Siç shihet pra, Gjykata dhe Zyra e Prokurorit Special është një mekanizëm juridik hibrit i cili sipas sponsorizueve të saj ka për qëllim zbardhjen e akuzave për krime lufte të UÇK-së gjatë dhe pas luftës në Kosovë, si një kusht themelorë për tu përballur me të shkuarën, çka sipas mbështetësve të drejtësisë transitore është pikënisje për ndërtimin paqes dhe pajtimit mes komuniteteve që dalin nga luftëra të përgjakshme si ajo e Kosovës.

Megjithatë, nga një lexim i kujdesshëm i aktakuzës dhe raporit Marty vihen re disa probleme thelbësore në formulim dhe në thelbin e çështjes. Së pari, ka një mospërputhje kërcitëse mes akuzave të raportit Marty për trafik organesh dhe aktakuzës së Prokurorit Special për krime të tjera lufte si trajtim ç’njerëzor, ndalime të paligjshme, zhdukje dhe vrasje të personave. Pra, akuza kryesore për trafik organesh e raprotit Marty mbi të cilën është votuar rezoluta në Këshillin e Europës ka rënë. Së dyti, gjuha e përdorur në aktakuzë nga Prokurori Special është më së paku fyese dhe joprofesionale për formimin e një trupe juridike si ajo Zyrës së Prokurorit Special. Etiketimi i UÇK-së si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale tregon mungesë njohurish historike të zhvillimeve të luftës në Kosovë. Dihet botërisht se UÇK filloi si një lëvizje guerrile vetëmbrojtëse e cila arriti të kthehej në një strukturë të organizuar ushtarake vetëm pas marsit të vitit 1998 kur forcat serbe masakruan të gjithë familjen Jashari në Prekaz. Për më tepër, aktakuza ka mungesë të referencave të tjera historike, si gjenocidi dhe spastrimi etnik i forcave serbe në Kosovë.

Pra, për nga mënyra sesi është formuluar aktakuza, siç thotë edhe Anna Di Lellio, profesoreshë e marrëdhënieve ndërkombëtare pranë Universiteti të New York në SHBA, duket se ajo synon të revizionojë memorien tonë kolektive mbi ngjarjet që ndodhën në Kosovë në fund të viteve 90-të. Më së paku, edhe në rast se aktakuzat nuk provohen, procesi në vetvete do të çojë drejt relativizimit të mëtejshëm të gjenocidit të Millosheviqit në Kosovë dhe Ballkan. Në fund të kësaj historie, të gjithë do të jenë të njollosur dhe fajtorë, duke ridimensionuar kuptimin tonë mbi ngjarjet gjatë viteve 90-të në Ballkan, dhe vetë luftën e UÇK-së, e cila tashmë është pjesë e identitetit kombëtarë shqiptar. Për rrjedhim, cenimi i saj, në mënyrë të padiskutueshme do të trondiste edhe identitetin dhe kuptimin tonë mbi luftën e drejtë të UÇK-së dhe gjenocidin serb në Ballkan.

Atëherë, lind pyetja se si ka mundësi që aleatët tonë perëndimorë të cilët janë dhe aktorët e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës i kanë hedhur foshnjës së tyre një lak të tillë në qafë? Për t’i dhënë përgjigje një pyetje të tillë substanciale gjykoj se është e rëndësishme që të dekonstruktojmë dy mite: ‘albanocentrizmin’, sipas të cilit bota sillet rreth shqiptarëve, dhe kultin e pagabueshmërisë së ndërkombëtarëve. Prej këtej, do të dalin edhe arsyet, aktorët dhe faktorët që kanë çuar në krijimin e Gjykatës dhe Zyrës së Prokurorit Special.

Së pari, krijimi i Gjykatës dhe Zyrës së Prokurorit Special në Kosovë, është produkt i gabimeve dhe dështimeve të vetë ndërkombëtarëve dhe klasës politike kosovare. Projekti shtet-ndërtues në Kosovë është një nga më ambiciozët që komuniteti ndërkombëtarë ka ndërmarrë në botën e pas luftë së ftohtë. Ata kanë konstruktuar një formulë sui-generis për shtetësinë e Kosovës, një mirazh të shtetit perfekt perëndimorë që në fakt nuk ekziston as vetë në perëndim. Kosova është projektuar si një shtet dhe demokraci multi-etnike, me të drejta të pazakonta në nivel qendror dhe lokal për minoritetet të cilët të gjithë së bashku përbëjnë vetëm 7-8% të popullsisë. Kjo e ka kthyer Kosovën në një shtet diskfunksional, pasi vendimmarrja në parlamentin dhe qeverinë e Kosovës si dhe autoriteti i saj në Veri pengohet nga minoranca serbe (Lista Serbe) e cila kontrollohet nga Beogradi.

Nga ana tjetër, megjithë investimin e madh ndërkombëtarë në kapital dhe burime njerëzore, klasa politike kosovare jo vetëm që nuk ka plotësuar pritshmëritë e tyre, por e ka përdorur legjitimitetin ndërkombëtarë për të çuar përpara axhendat e veta politike dhe ekonomike, deri diku me miratimin e heshtur të ndërkombëtarëve në këmbim të bashkëpunimit të tyre në çështjet sensitive rajonale. Kjo ka bërë që shteti i Kosovës të mos progresojë siç duhet, prandaj ndërkombëtarët kanë vendosur të ndërhyjnë me mjete të tjera në mënyrë që Kosova të mos përfundojë në një failed state (shtet të dështuar) si Afganistani, Iraku apo Timori Lindor.

Së dyti, duhet të kuptojmë pas 20 vitesh që nga ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Kosovë, konteksti ndërkombëtarë dhe raporti i forcave në botë ka ndryshuar. Në fund të viteve 90-të, SHBA ishin fuqia e padiskutueshëm e botës, kësisoj edhe iniciativat e saj në arenën ndërkombëtare nuk gjenin pengesa. Sot gjendja ka ndryshuar. Pozitat e SHBA dhe BE, dy mbështetësit kryesorë të Kosovës janë lëkundur si pasojë e krizave të brendshme, si ajo financiare në 2008, Brexit, kriza e demokracisë liberale, multilaterizmit dhe rekordet e dobëta të paradigmës së ndërhyrjes humanitare, demokratizuese dhe shtet-ndërtuese në Afganistan dhe Irak. Nga ana tjetër, nëse në fillim të viteve 2000, Rusia dhe Kina, kundërshtarët tradicional të SHBA-e dhe BE-së ishin akoma të dobëta përballë fuqisë së perëndimit, sot ato kanë peshë tjetër ekonomike dhe politike në botë. I gjithë ky rikonfigurim forcash, ka ndikuar edhe në procesin shtet-ndërtues në Kosovë, i cili që pas shpalljes së pavarësisë ka bërë hapa të ngadaltë në drejtim të integrimit në organizatat ndërkombëtare dhe shtimit të njohjeve si shtet sovran.

Së treti, kompleksiteti faktorëve të mësipërm ka krijuar premisa të reja gjeopolitike në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. Politikbërësit tanë në Prishtinë dhe Tiranë bëjnë mirë të kuptojnë se ato e kanë djegur momentumin shqiptar që u krijua në rajon në fund të viteve 90-të deri në fund të dekadës së parë të shekullit 20-të me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ne duhet të mësojmë se marrëdhëniet ndërshtetërore sillen rreth interesave, jo dashurisë. Mendoj se nga viti 2010 e këtej, bota perëndimore ka ndërruar kurs kundrejt Ballkanit, dhe Serbisë në veçanti. Nisja e dialogut të Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, produktet e tij, dhe të marrëveshjes së Shtëpisë së Bardhë këtë vit, tregojnë se perëndimi tashmë kërkon të akomodojë Serbinë në aleancën e vet strategjike. Në këtë kuptim, ka shumë gjasë që edhe krijimi i Gjykatës Speciale të jetë vazhdim i kësaj politike me mjete të tjera.

Andaj, gjykoj se në vend të përdorimit politik të aktakuzës së Prokurorit Special ndaj udhëheqjes së UÇK-së, lidershipi shqiptar në Tiranë dhe Prishtinë duhet të lexojë me kujdes momentumin aspak të favorshëm ku gjendemi dhe të ndërtojë politika serioze në shërbim të forcimit ekonomik dhe politik të faktorit shqiptarë në rajon. Dhe kjo bëhet më së pari duke ndërtuar shtete me ekonomi dhe demokraci të konsoliduar këtej dhe andej kufirit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Selman Dervishi-Mani,USA.poet16/11/2020 23:24

HEU,KUSH QENDRON MBRAPA GJYKATËS SPECIALË NË KOSOVË?!;
EU,PRUSH RENDON TRAPA PYKATËS NGECGALË VË HORRPROVË!!.
MONSTRUME RINGJALLUR NGA VARRI;KONSTRUME SHKRINKALLUR
NGA ZJARRI;PËRBINDËSHA KATALLA PREJ MESJETËS;GËRDITËSHA
HATALLA GREJ STRESPJETËS;DUKE PËRSERITUR O,HOLOKAUSTET
MË KANIBALË;KUKE TËRSEVRITUR RROLOMAMUZDET AHIII ORE,MË
TRANDIGALË;PËR ÇFARROSJEN TOTALË,FERR ÇRRANOSJEN AH,ZË
GLOBALË;SI BANDA TERRORISTE;SHI,TRANDA ZËR THERRORPISTE
KLANI RUSO SERBO GREKO JUGOSLLAVË;PLANI PUSO VËRBO OUH,
TUGOSHKAVË;MISHNGRENËS NJERIU,TRISHGJENËS NDJERZIU;ËËH,
KANIBALË KANIBALIZMI,TRANDIVALË TRANDIGALIZMI;GLLABËRIMIN,
SHKATËRRIMIN;VËLLAZËRO RIHIRO FARË SHKRIPKAVËRRISË;AHIII,
PELLAZGO ILIRO MBARË SHQIPTARISË;PORSE,HORRSE;NUK DO TA
KTHENI PRAP MESJETËN;KËTU DO TA GJENI RRAP PËRBESË,TERË
VERTETËN;SE PRAP DO RINGJALLËJ,QE VRAP DO PRIBALLËJ;HEEEJ,
HYREGJENDA SOT,PËRGJEGJA NË TENDEMA;OUUU,KRYLEGJENDA
PLOT,GJERGJA O ADEMA;GJERGJA MË ADEMA,GJERGJA MË ADEMA!.
MANI,USA.

Shto koment

Denonco