Baba Taku dhe Lisimaku...

Baba Taku dhe Lisimaku...

Nga Agim Xhafka - 12/11/2020

Vdiq dhe Lisimaku. Nuk i mbushi dot 50 vjeç. Iku, e rrëmbeu Covid. Është fqinji im. Punoi gjithë jetën hidraulik. Dilte nga shtëpia herët në mëngjes dhe kthehej kur errej. Një sup i rrinte varur më poshtë se tjetri. Nga çanta e rëndë e veglave. Shihja sot foton e Makut të qeshur te shpallja e vdekjes e këmbët më çuan te apartamenti i fqinjit. Të ngushëlloj Norën, gruan e tij. Ngeli vetëm me dy djem të rritur, studentë në universitet. Nuk mora dhe gruan me vete se e dija që në këto ditë të flamës nuk do ishte dakord. Bëji një sms, do më thoshte.

Sa hyra te shtëpia e tij, pashë plot burra të pallatit. Ishin bërë trima se Lisimaku ishte i gjendur për të gjithë ne. E muhabeti në kësoll vërtitet rreth xhenazes.

-Si ndodhi?- pyetëm çunin e madh.

-Kishte ditë me temperaturë. U lidh me mjekun e familjes. I dha paracetamol e kaq. Më pas temperatura po rritej. Dyshuam për Covid. Kërkuam të bëhej tamponi. Do vijmë, na thanë, e hiç. Mora taksi dhe e çova te spitali. Nuk e pranojmë pa tampon, na thanë. Pastaj na u gjend Njaziu, një shofer ambulance. Fute te makina ime se si spital është. Sa po e rehatonim atje, Njaziu na pyeti, ka librezë shëndetësore, i ka paguar sigurimet? Ia tregova e më tha ok. Pastaj nuk dimë më. Na larguan e s’po merrnim vesh asgjë. Deri sa në darkë na njoftoi shofer Njaziu, eja merreni se babai ju la.

Djali qante e nuk pushonte.

-Fat i keq që babai quhej Lisimak- tha Bedriu, komshiu i katit të tretë.

-Hë?- pyeti çuni me çudi.

-Nëse do quhej Spartak, ose Baba Tak, do e kishim mes nesh,-po fliste Bedriu.

Njerëzia e kuptuan satirën e tij. Dhe u kujtuan se ato para që Lisimaku paguante për sigurime shëndetësore Rama ua shpërndante miqve të vet. I dhimbte p.sh një thele e bythës Baba Takut, tak miliona nga thesi i parave të njerëzve të thjeshtë. Ose deputeti Fino ia mbathte për kurim në Itali, ama me lekët që paguanin Lisimaku me shokët e tij. Dhe kthehej i shëruar e me puro në buzë, si derr i kënaqur.

Biseda ngeli te Baba Taku dhe te shpërdorimet që kjo qeveri bën me buxhetin e shtetit. Ju dukej grabitje sjellja e Ramës si babagjysh i vitit të ri. Falte jo nga të vetat, por nga djersa e Lisimakut.

-Te helikopteri i Ramës që shkoi në Vermosh u gjetën 2.000 tamponë,-tha Golja, baxhanaku i të ndjerit.

-Vërtet?-shqyem ne sytë.

-Po, po. Me karburantin që harxhoi mund të bliheshin plot 2.000 tamponë.

Po zienim nga mërzia dhe mëria. Kur na solli në vete zilja e derës. Ajo ishte hapur, por te dera ishin tre njerëz me bluza të bardha.

-Këtu banon Lisimaku?- pyetën.

-Po,-tha i biri.- Urdhëroni!

Pandehu se kishin ardhur për ngushëllim.

-Mund t’i thoni të dalë pak. Kemi punë ca minuta me të.

-Cili të dalë?-shqeu sytë i biri.

-Lisimaku pra. Erdhëm t’i bëjmë tamponin.

U ngrita vrik dhe i rrëmbeva nga krahët. I zbrita nëpër shkallë se pashë që fytyra e djalit ishte bërë kuq. Do i rrokulliste nëpër kate e nuk do dihej fati i tyre.

Lisimaku na la. Baba Taku vjen e ikën në parlament me një çantë të zezë si kasafortë intrigash... Lisimak të qoftë dheu i lehtë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Berti12/11/2020 20:23

E ke qare Agim! Stil, mendime, tragjedi komedi njeheresh! Me e dhimbshmja! Humbja e jetee! Mesazh i forte per realitetin e cmendur ne te cilin jetojme! Je nje ze i forte! I pakte qe ka mbetur qe shkruan kaq bukur!

Shto koment

Denonco