Një kthim nga e mbara, për të cilin do përgatitur

Një kthim nga e mbara, për të cilin do përgatitur

Nga Veton Surroi - 12/11/2020

Presidenti Biden do të korrigjojë gabimet në politikën e jashtme të presidentit Trump. Por pas Grenellit nuk vjen anti-Grenelli; vijnë vektorët brenda të cilëve duhet ta gjejnë veten Kosova dhe regjioni

1.

E ka pasur një shkrim autorial në mars të këtij viti ai që tashmë është zgjedhur president i Amerikës në revistën “Foreign Policy”. Njëra prej porosive të Joe Bidenit, që lexohej me thjeshtësinë më të madhe, ishte se si president do të korrigjojë gabimet e bëra, e të mëdha, të presidentit Trump në politikën e jashtme. Të hënën, më 9 nëntor, në cilësinë e presidentit të zgjedhur, por ende pa e marrë detyrën zyrtarisht, shpalli se njëra prej pikave të tij të para strategjike është mbrojtja kundër ndryshimeve klimatike, pra edhe kthimi te Marrëveshja e Parisit rreth ngrohjes globale, pra edhe vendimi për 0 emisione karbonesh në SHBA më 2050.

Lista e gabimeve në politikë të jashtme gjatë presidencës Trump është e gjatë - tërheqja nga marrëveshja bërthamore e Iranit, favorizimi i politikës së kryeministrit Netanyahu karshi të drejtave palestineze, mungesë objektivi në bisedimet me Korenë Veriore, prishjen e dinamikës së bashkëpunimit transatlantik dhe diku në fund edhe të mandatit, e edhe të listës edhe në “marrëveshjen historike Kosovë-Serbi”.

Por nuk shoh që politika e jashtme amerikane të shndërrohet - për mungesë të një metafore më të mirë - në një “anti-Grenell”. Pra, administrata Biden nuk do të dërgojë ushtarë të vet të devotshëm që duke u thirrur në emrin e shefit të tyre të madh do të kapin për veshi presidentë e kryeministra, do të prishin e ndreqin qeveri, do të kërcënojnë me ekskomunikim e me harresë amerikane në mënyrë që të korrigjohet ajo që kishin bërë Grenelli dhe të dërguarit amerikanë të profilit të tij.

Nuk shoh se si do të jetë e mundur që të vijë anti-Grenelli në Kosovë dhe të nxjerrë në konferencë shtypi të gjithë ata politikanë e shërbëtorë medialë të tyre që gjatë pandemisë betoheshin se gjëja më e rëndësishme për çdo qytetar të Kosovës është që të hipet në avionin e radhës për në Washington për të nënshkruar një copë letre, çfarëdo që të ketë në të, sepse çdo letër që prodhohet nga Grenelli dhe shefi i tij duhet të jetë historike.

2.

Korrigjimi i politikës së jashtme amerikane do të bëhet duke u kthyer te vektorët strategjikë. Për Kosovën dalin në pah menjëherë tri pikë të rëndësisë së veçantë. Një, SHBA-ja do të rikthehet te rëndësia strategjike transatlantike. Kjo do të thotë një ndërveprim strategjik mes SHBA-së dhe BE-së (tash edhe Britanisë së Madhe, si fuqi jashtë BE-së), me pyetjen se çfarë do të jetë Perëndimi karshi ngritjes së Kinës dhe politikës destabilizuese të Rusisë? Dy, e në vijimësi, si të konsolidohet NATO-ja, me forcimin e theksuar të përgjegjësive evropiane brenda tij. Dhe tre, si të zgjerohet më tej konsolidimi i demokracisë perëndimore në zonat të cilat sfidohen nga Rusia, prej Ballkanit deri në Ukrainë?

Dhe këtu do kërkuar dallimet me presidentin Trump. Në sytë e tij vrasja e ndërsjellë 400-vjeçare mes Kosovës e Serbisë përfundoi për 20 minuta në Zyrën ovale, me nënshkrimet dhe puthjet e mëtejme mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Hoti. Kosova si vend mysliman njohu Izraelin dhe një gjë e tillë ndihmoi paqen në Lindje të Mesme. Kosova dhe Serbia deklaruan se duan të tregtojnë mes vete dhe administrata amerikane do t’u ndihmojë me para dhe ide për ta bërë këtë... (Dhe pastaj vijnë pikat serioze, si ajo e rrjetit 5G, diversifikimit të burimeve energjetike, etj.).

Presidenti Trump po ia lë pasardhësit të tij jo vetëm një konflikt të papërfunduar, por edhe ca ndërlikime të mëtejme. Ai dhe i dërguari i tij larguan rolin tradicional amerikan - ai i cili merret me çështjet e “rënda” të shtetndërtimit, pra sovraniteti, kufijtë, aranzhimet kushtetuese - dhe u morën me çështje të “buta”, tradicionalisht evropiane, sikurse janë liritë e këmbimeve tregtare, etj. E pa SHBA-në, siç u pa në dhjetëvjetëshin e kaluar, nuk ka zgjidhje të çështjes së njohjes së Republikës së Serbisë nga Kosova. Trumpi e liroi kolegun e tij serb nga ky obligim. Për më tepër e legjitimoi politikën e tij, përfshirë edhe atë të mosmarrjes së përgjegjësisë për krimet e luftës në Kosovë dhe për të pagjeturit. Dhe, arriti që në vend të nxitjes së konsensusit të kosovarëve të trajtojë si përfaqësues të Kosovës kushdo të ketë qëlluar atë ditë në detyrë, apo të jetë përfshirë në listën e përmbushur të dëshirës për të udhëtuar në Washington.

3.

Rrëfimi i kufizuar intelektual e historik i Trumpit mënjanoi për pak evolucionin e çështjes së Kosovës, të përcjellë me kujdes nga presidentë amerikanë, duke filluar nga George Bush plaku. Pra, mënjanoi edhe arsyen pse SHBA-ja mbrojti Kosovën, madje deri me ndërhyrje ushtarake, pse Kosova u administrua nga OKB-ja, pse u pavarësua dhe pse kjo pavarësi ishte brenda së drejtës ndërkombëtare.

E, ky rrëfim evolutiv është me rëndësi, sepse edhe konteksti i bisedimeve mes Kosovës e Serbisë duhej të kishte përjetuar evoluimin e vet. Pra, nuk do të duhej të ishte për çështje “teknike”, “praktike” apo si do të jenë quajtur në Bruksel prej vitit 2011, apo siç janë quajtur në Washington më 2020, por duhej të ishin për vendosjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore mes dy shteteve të pavarura.

Tash, do rikthyer rrëfimin evolutiv, në kushtet e vektorëve të politikës amerikane me presidentin Biden. Jo sepse ky rrëfim nuk njihet nga presidenti - në fakt nuk ka sot në administratë, qoftë në ekzekutiv apo në Kongres dikush që e njeh më mirë Ballkanin Perëndimor - por sepse ai duhet të integrohet në atë që do të jetë politika e re transatlantike karshi Ballkanit Perëndimor. E, ajo në një marrëdhënie të fuqizuar SHBA-BE do të thotë më shumë Perëndim e më pak Rusi në Ballkanin Perëndimor. Kjo do të thotë kryerje të detyrave të “rënda” të sovranitetit dhe njohjes së shteteve me rol të theksuar amerikan dhe nxitje të integrimit të 6-shes së Ballkanit Perëndimor në një hapësirë të “katër lirive” evropiane.

Një politikë e këtillë nuk është e paralajmëruar: në një Samit të çuditshëm të përbashkët Sofje-Shkup, të mbajtur dje me Zoom, përfaqësuesit e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan një zotim, tashmë para kancelares Merkel dhe presidentit Macron se do ta formojnë Tregun e përbashkët regjional.

4.

Pak nga COVID-i, pak nga Gjykata Speciale, pak nga kriza e vazhdueshme politike (çdokush e ka një datë prejse konsideron se ka filluar) dhe pak nga dinamika ndërkombëtare nuk do të ketë gjë serioze në negociatat mes Kosovës e Serbisë. Forcat politike që kërkojnë ndërprerjen e bisedimeve janë duke trokitur në derë të hapur - bisedime thelbësore nuk ka derisa të konsolidohet një politikë transatlantike e pas Donald Trumpit, që në rastin më të mirë do të ishte kah mesi i pranverës së vitit të ardhshëm.

Dhe, bisedime serioze nuk do të ketë derisa Kosova ta konsolidojë përfaqësimin e vet politik, me peshën e duhur të legjitimitetit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Skrapari12/11/2020 19:51

Plotesisht dakord me z. Krasastp.

krasasi tp12/11/2020 09:18

Po kush janë gabimet e mëdha në politikën e jashtme të SHBA nën z.Trump që dashka ti revizionoj z.Bajden ?.
1. Problemi me Korenë e Veriut. z.Trump kaloi nga kërcënimet bërthamore dhe retorika me luftë nga regjimi, në uljen në bisedime edhe mes dy udhëheqsve të vëndit të ndarë. Filozofia Trump mund të çonte në ribashkim të vëndit. Nën z.Bajden nëse ka fituar do kemi kthim në pozicionet e vjetra para Trump.
2. Mesdheu dhe problemet e ngjashme me të.z.Trump rekomandoi dhe ushtroi ndikim që mosmërrëveshjet për gazin dhe naftën të zgjidheshin me bisedime dhe marrëveshje midis shteteve në konflikt. Miqtë e z.Bajden dhe të tutë vringëllijnë armët, deri te luftaniet bërthamore nga Franca. Fitorja e z.Bajden ka entuziazmuar edhe grekët të cilët kanë çuar edhe ata një skuadër pushkatarësh në ishullin 'plesht'. Filozofia Trump sjell paqe dhe përfitime të mëdha për popujt e vëndet.. Koalicioni Francë-Itali-Egjypt- Greqi dhe Izrael sjell luftë ose ngrirje të konfliktit . Nafta dhe gazi poshtë në detë, do flenë gjumë.
3. z.Trump nuk hapi asnjë front të ri lufte. Përkundrazi . z.Trump është një pacifist. Sigurisht lobet e luftës dhe industrialistët e armëve bërthamore dhe konvencionale në Amerikë dhe në shumë vënde, nxjerrin para nga lufta dhe jo nga paqa. Ndaj edhe shumica e mediave në SHBA por dhe homologet e tyre kudo, shërbyen herë si 'letër higjenike' e tash si 'media kazani' u rreshtua në krahë të luftënxitsve . Edhe qasja e z.Trump ndaj Kosovës dhe perspektivës së saj në NATO dhe BE kanë qenë afatgjata.Ti qëllimisht i analizon dhe i servir si të dëmshme . Rezultatet e munguara apo të vonuara apo Zoti mos e dhëntë në dëm të Kosovës dhe Ballkanit do ja faturosh pështjellimeve që solli z.Trump. Ndoshta pret që për gjithë kontributin e dhënë në humbjen e Republikanëve të shpërblehesh me postin e Presidentit të Kosovës. Ndoshta jo.Politikisht Ti nuk përfaqëson kushedi çfarë. Je votuar dhe ke dështuar me turp.

Shto koment

Denonco