Nacionalisti me Yamamoto

Nacionalisti me Yamamoto

Nga Ermal Mulosmani - 09/11/2020

1. Dje ishte një ditë veçanërisht e vështirë në Shqipëri. Televizionet informative ishin lidhur drejtpërdrejt me Spitalin kryesor Covid të vendit dhe situata që përcillej prej aty ishte jashtëzakonisht shqetësuese. Familjarët e të sëmurëve kishin rrethuar spitalin dhe ankoheshin se të afërmit e tyre po kuroheshin në ambulancat përreth spitalit pa qenë në gjendje të shtroheshin për mungesë shtretërish. Policia përpiqej të ndalonte hyrjen e të afërmve në “zonën e kuqe” të spitalit dhe grumbulli  i njerëzve rritej çdo minutë.

Të gjithë ne që po e shihnim skenën nga shtëpia po përjetonim dramën tonë të nesërme, mundësinë për t’u ndeshur me kuçedrën pa asnjë mbrojtje. Ishte një situatë mjaft dramatike. Dihet tashmë që më të shumtët e të infektuarve me Covid në Shqipëri preferojnë të rrinë në shtëpi nga frika e spitaleve por e kanë një sy atje për situata ekstreme, eventuale. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, të shtruar në spitale ditën e djeshme ishin 374 persona. Çdo ditë numri rritet mesatarisht me 12 të shtruar çka e bën situatën në prag kolapsi. Me këtë ritëm kapaciteti maksimal spitalor (553 shtretër)  kapet brenda 15 ditëve të ardhshme dhe sistemi shëndetësor shtetëror kalon në kolaps!

Kjo ishte situata shqetësuese. Kryetari i PD-së bën pyetjen që çdo qytetar po e bënte më mendtë e veta:

 “Pse nuk hapet Spitali Covid 4 por njerëzit kurohen nëpër ambulance në situate alarmante”?

Përgjigja që mbërrin është befasuese.  Kryeministri i integrimeve, “promovuesi i shengenëve rajonalë”, kozmopoliti progresist përgjigjet me gjuhën e nacionalistit të çiftelisë :

 “Lulëzim lëre Covidin dhe përgjigju për faktin që ke qenë me mjekun peruan në bërjen e dosjës së Shtëpisë së Verdhë”

2. Kur tre vjet më parë, Kryeministri doli me çitjane në një miting në Fier, të gjithë mbetëm gojëhapur. Shumë prej lexuesve i shkruan në FB duke e akuzuar pse ishte veshur me tutat e Noizit apo si klloun, derisa Kryeministri shpërtheu në FB e tij:

“Po janë Yamamoto mor të shkretë por t’iu flasësh ju për modën është si t’i flasësh majmunit për brekët”….

Kryeministri mund të kishte të drejtë. I kishte rënë të qeveriste një popull injorant që dinte për modën aq sa majmuni për brekët dhe ca gazetarë që ai i quante “fashionistat e kazanit”. Ky popull nuk ishte kurrkund në nivelin e Kryeministrit.  Në mendjen e tij erdhën menjëherë sundimtarët që ndërruan atdheun që qeverisnin. Stalini ndërroi Gjeorgjinë me Rusinë, Hitleri ndërroi Austrinë me Gjermaninë, Napoleoni ndërroi Italinë me Francën.

Duhej të kishte edhe Rama një mënyrë për të bërë diçka të tillë. I shkrepëtiu ideja e Shengenit rajonal (e ka tmerr ta quajë minishengen se nuk i rrin me trupin 2 metër). Duhej tejkaloheshin disa pengesa të vogla “nacionalizmi bajat”, sidomos në Kosovë, për të shkuar në idenë e tij të transformimit rajonal. Duhej të mbetej në histori si antinacionalisti, integruesi, globalisti. Duhej të përtallte çdo vogëlsirë nacionalizmi që mund të ngrinte krye, në Kosovë sidomos.  Pyetjet e gazetareve për genocidin serb ia sëmbonin bash thelbin e qenies, e kishte të vështirë të përmbahej kur cënohej kryesori i projektit të tij, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

Vetëm ai e di vuajtjen që ndjeu kur dëgjoi Sasha Vuçiçin të thoshte “Masakra e Reçakut nuk ka ndodhur”. “Ja, ra edhe ky në qerthullin e vogëlsisë nacionaliste” – mendoi. Po ia shtynin idenë integraliste me sjellje të tilla. Ndër mend i ranë Yamamoto dhe brekët e majmunit…Kaq i dukej diferenca.

Shau dhe degdisi të gjithë liderët vocërrakë të Kosovës që nga Haradinaj te Mustafa e krijoi një ftohtësi deri edhe te miku i tij Hashim Thaçi.  Liderët evropianë ia përkrahën idenë, vocërrakët nuk kuptojnë.

3. Atëherë çfarë e bëri Edi Ramën dje, të zhvishte kostumin modern të Yamammotos e të vishte kostumin aq të përçmuar prej tij të xhamadanit me plis?

Rama e dinte që të nesërmen (sot) i duhej të firmoste marrëveshjen me Serbinë, në të njëjtën ditë kur udhëheqësit e UÇK-së do të dilnin përpara Gjykatës Speciale. Prandaj  i duhej një spostim vëmendjeje. Duhej që vëmendja të shkonte te kundërshtari politik.

Nuk kishte rëndësi fare që njerëzit po vdisnin rrugëve, nëpër pavionët e autoambulancave të parkuara në oborrin e spitaleve.

Nacionalisti me Yamamoto  ” përgjigjet”  me pyetje për Lulzim Bashën e vitit 2003, kur ishte përkthyes në organizatat ndërkombëtare të Kosovës. Në fakt kjo është një përgjigje që nuk i intereson askujt ndër shqiptarë, nuk i shërben askujt. 

 Ta zëmë se Lulzim Basha ka qenë me mjekun peruan (në fund të fundit po bënte punën për të cilën paguhej). Çfarë dëmi i është shkaktuar të akuzuarve nga puna e Lulzim Bashës?  Çfarë e ndihmon përmendja e këtij fakti Hashim Thaçin, Veselin e të akuzuarit e Hagës?

4. Në të vërtetë kjo pyetje perfide, djallëzore, konspirative ka një qëllim dhe një pasojë. Qëllimi është njollosja e Lulzim Bashës, kundërshtarin e tij kryesor politik. Njerëzit nuk kanë kohë të analizojnë rolin e Bashës në atë dosje (edhe sikur të ketë rol është krejt i parëndësishëm),  ata menjëherë do shohin te Basha armikun e çështjes kombëtare, antinacionalistin, esadistin apo epitete të tjera që grigja e porositur për përbaltje  e shfrenon fantazinë.

Përmendja e emrit të Lulzim Bashës, si pjesëmarrës në hartimin e dosjes së ashtuquajtur “Shtëpia e Verdhë” e bën serioze atë dosje, i jep një mbështetje të mirë formuluesve të akuzave në Beograd apo Hagë për seriozitetin e asaj dosjeje. Çfarë rëndon pozitën e të akuzuarve të Hagës dhe lehtëson propagandën vuçiçiane në Beograd.  

Mirëpo ky fakt është i parëndësishëm (do të ishte konspiracion po t’a akuzoja se po i shërben qëllimisht) për sa kohë bën pis Lulzim Bashën. Ajo deklaratë duhej dje për të hequr vëmendjen nga nënshkrimi i sotëm me hartuesin e vërtetë të akuzave të çlirimtarëve, Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç./Express

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco