Erion Veliaj, ky ‘Gjeneral i ushtrisë së komentuesve’

Erion Veliaj, ky ‘Gjeneral i ushtrisë së komentuesve’

Nga Belind Këlliçi - 08/11/2020

Me mijëra janë shqiptarët që u vranë për një fjalë. Mijëra të tjerë u përndoqën familjarisht, pse u kishte shpëtuar një fjalë diku në pazar, apo në radhën e qumështit. Si të mos mjaftonte, për një fjalë goje damkoseshin fëmijët dhe rrethi i ngushtë familjar. Damka ishte si një sëmundje kronike. Të çante e të therrte hera-herës, si për të të kujtuar se ishte gjithmonë aty.

Diktatura e zhvesh individin nga njeriu.

Ajo godet gjithçka ke të shtrenjtë; miqësitë, besimin dhe dinjitetin njerëzor.

Të përjashtonte nga e drejta për arsim të lartë, të qëllonte me fletë-rrufe, të përbuzte me filma, të divorconte, të zhbënte, të vetëvriste, të shpërngulte në fshatrat më të humbur, për të të rikrijuar sipas formës që donte.

Armiqtë e vjetër e të rinj të pushtetit ishin kudo, në çdo lagje e oborre pallatesh. Shoqëria duhej t’i shihte.

Nëse nuk e sheh, nuk mund ta tregosh me gisht dikë.

Klasa e përmbysur duhej të jetonte çdo ditë me disfatën e të parëve, ndërsa klasës punëtore duhej t’i jepej mundësia të shijonte triumfin mbi të keqen.

E teksa fëmijët luanin me njëri-tjetrin pa dallime, të rriturit mbanin qëndrime.

Këshillat e lagjeve raportonin se kush ishte sjellë mirë e kush i kishte dhënë gojës. Armiqve të pushtetit u vendoseshin etiketa si të ishin artikuj dyqanesh.

Për të lindurit në vitet 2000 do mjaftonte ngarkesa e kaq rreshtave për t’iu shkëputur kësaj tabloje të zymtë.

Po nëse brezat e rinj lodhen nga disa rreshta, ç’mund të thonë ata që e jetuan diktaturën për 45 vjet?!!!

Diktaturat për nga terrori përngjasin me kodin mafioz të heshtjes. “Nuk shoh, nuk dëgjoj, nuk flas”. Masat duhet ta kenë rrezen e perceptimit sa përmasat e ekranit.

Pushteti gatuan e shërben propagandë tre vakte, me ngjyra, me thrill, me aksion, si në një film Indian, ku njërës i duhen dy seri për të rënë nga shkallët apo ku në kulmin e dramës, një trupë balerinësh profesionistë del nga hiçi dhe hedh valle.

Filma Indianë prodhon edhe Kinostudioja ERTV, e ndjekur zellshëm nga Bashkia Tiranë Productions. Kasetat më pas u jepen ekraneve. Kësisoj nëse e humb filmin se je duke parë ndeshjen, ke mundësinë ta shohësh më vonë në një ekran tjetër.

Kohët kanë ndryshuar. Transmetimet zgjasin 24 orë, mjaftueshëm për të parë disa seri njëherësh. Aktori më i mirë protagonist, me disa çmime ndërkombëtare, është ai, djali aktivist, që u bë ministër i mirëqënies pak ditë pasi fliste për mjerimin. Ministri i vetëm i mirëqënies sociale në botë, që jeton në kurriz të nënës aq sa tund dasmën me pensionin e saj.

Një personazh që edhe Bollyëoodi Indian do e refuzonte për mungesë realizmi.

Po ky personazh që për të mbjellë një pemë shkon në pyll dhe jo në zonat e banuara, drejtoka një ushtri komentuesish që i përkëdhelin egon tre vakte. Luftëtarët e tij të tastierave lëshohen që pa gdhirë mirë, pa lehur ende qentë, për të na mbushur mendjen se Shqipëria është fanar ndriçues në Europë! Njësoj si këshillat e lagjeve, ushtria e gjeneralit Veliaj monitoron të pakënaqurit.

Do mjaftonte një fjalë kundër që ushtria e tij të mësynte në jetën e qytetarit, për t'i gjetur ndonjë cen në biografi a ndonjë të afërm në administratë, për ta flakur nga puna. Prandaj në atdheun ku "Heshtja është Flori", mbretëron apatia. Ja pse në atdheun ku "Fjala vret më shumë se Plumbi", fjalën e lirë e zëvendëson anonimati.

Filmat me superheronj po duan të zëvendësojnë realitetin që shohim rrugëve, njësoj si ajo gjyshja që i flet televizorit me shpresën se personazhi pozitiv do ia  dëgjojë këshillën e do i shpëtojë kurthit.

Na duhet ta lëmë filmin përgjysëm.

Erdhi autoboti i ujit.

Po oshëtin lagjja.

Ika se më kapërcen radha!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco