Lajmi i fundit

Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Brekushi dhe Komiteti Teknik çuan arsimin në intubim

Brekushi dhe Komiteti Teknik çuan arsimin në intubim

Nga Ndriçim Mehmeti - 06/11/2020

Prej marsit e deri në qershor, kishim një njeri që dinte gjithçka për gjithçka, nga virologjia e pandemia, deri tek lëvizja e njerëzve, hyrje daljet në qytete, koha kur duhet të flinim, të zgjoheshim madje edhe sa herë kishim të drejtë të flinim me gruan e të bënim ndonjë gili-vili në krevat. Më pas doli e na tha, se “nuk flas më por do të flasin ekspertët”, që sigurisht drejtohen nga njerëz politik.

Çfarë çudirash dëgjuam nga Komiteti Teknik i ekspertëve për arsimin?

Do të hapen shkollat anekënd vendit, pa asnjë shtrëngim. Të gjithë me maska, në fytyrë dhe vrap me turne, si kurset e analfabetizmit gjithë shkollat. Masë tjetër e rëndësishme: Matja me termometër e temperaturës në lule të ballit. Po kur mungon ndonjë termometër? “Punë e madhe se mungojnë në 1 apo 10 gjimnaze të Korçës”, tha anëtarja e Komitetit Teknik dhe njëkohësisht drejtuesja e Institutit të Shëndetit Publik. Dhe vërtet drejt e kishte. Punë e madhe fort. Po u infektuan në Korçë, nuk është se na bëhet vonë. Fundja mësues janë, sikur janë deputetë, këshilltarë, ministra, miq të oligarkisë së mjekësisë e më the. Për këta të fundit po. Do të ishte hata e madhe, jo për mësues që gjejmë me kile e kuintal. Madje Komiteti nuk na bëri të ditur sa shkolla i plotësonin kushtet higjieno-sanitare, kush do të kontrollonte nëse bëhej dezinfektimi i mjediseve, shojave të këpucëve, shpërndarja e dezifektantëve në institucionet arsimore etj.

Komiteti kishte urdhër të prerë nga Brekushi: “Hapni shkollat e nami të bëhet. Nuk mund të rrimë ne mbrapa Francës, Anglisë, Gjermanisë, Holandës e vendeve të tjera, të zhvilluara, kur ne jemi nga 10 deri në 50 herë më mirë. Hapini e mos e vrisni mendjen, se mësuesit i ruan Babazoti i shqiptarëve (që është vetë Brekushi) dhe nëse i kap virusi, punë e madhe se shërohen vetë, pasi lekët që marrin u dalin dhe u teprojnë”.

Brekushi as që nuk do t’ia dijë, nëse do të arsimohen fëmijët shqiptarë ose jo. Ky nuk është fare problemi i tij. E rëndësishme është të triumfoj si vendet më të zhvilluara të Evropës. Dhe në këtë rast leva ndihmëse, është Komiteti Teknik i ekspertëve. Ky Komitet, në emrin e të cilit më së shumti flet zëvendësministrja që është person politik dhe drejtues të emëruar prej Brekushit, çuditërisht nuk kanë asnjë mendim ndryshe nga urdhëruesi i tyre. A duhen testime për mësuesit dhe përse nuk bëhen. “Jo”- thonë me vrap ekspertët e Komitetit, “se nuk na hyjnë fare në punë”. A duhen të merren masa lehtësuese për familjet që nuk blejnë dot masat dhe dezinfektantin”? Ekspertët e Komitetit ngrenë krahët dhe thonë “këtë e di qeveria”. A kemi masa mjaftueshëm për të mbajtur shkollat hapur dhe çfarë do të bëhet nëse situata do të rëndohet? Ekspertët përtypen mirë e mirë dhe kanë një përgjigje brilante, “ne nuk shpresojmë që të rëndohet situata, por nëse ndodh nuk e kemi vendosur se çfarë do të bëjmë”, sepse në këtë rast, sigurisht pritet urdhri dhe izma e Brekushit. Nëse ai nduk buzën e djathtë do të thotë që shkollat mbyllen, nëse nduk buzën e majtë shkollat rinë një javë hapur, një onllajne, e një si të kenë qejf fëmijët dhe nxënësit.

Po në rastin e universiteteve, përse Komiteti mori atë vendim dhe brenda 48 orëve?

Epo me universitetet ndodh ndryshe. Brekushi nuk i do nëpër këmbë studentët. Premtimet e mëdha të “Paktit për Universitetin”, janë shuar e mbetur në letër. Pak godina kanë marrë ndonjë dorë bojë, sa për të dukur se është vënë dorë. Vetingu, plagjiatura, biblioteka digjitale, transparenca e financiare e universiteteve, as nuk u bënë e as do të bëhen sa të jetë në krye të qeverisë Brekushi. Prandaj urdhri i tij ishte i prerë: “Bëjini një surprizë, siç e kam qejf unë qafirave studentë. Sa t'u marrim lekët e shkollimit dhe të fjetjes, kthejini nga erdhën, se shkollat do të qëndrojnë mbyllur”.

Dhe Komiteti s’e bëri bën dysh. E mbylli, me vendim të Rakacollit e me imzanë e një drejtori të çfarëdoshëm, në Ministrinë e Arsimit. Gjithë mundi, djersa, gjaku i studentëve, puna e pedagogëve për fillimin e vitit ët ri akademik, u bënë pluhur e hi, përballë vendimit të atyre, të pagabueshmëve: Komitetit Teknik të ekspertëve? Po përse ky vendim? Me cilët ekspertë të MASR apo arsimit në vend e jashtë u konsultuan për këtë vendim drastik? Kush do të rimbursojë shpenzimet e studentëve? Po me studentët që nuk mundën të bëjnë mësim online, si do të bëhet? Për ata që vijnë për herë të parë në universitete? Përse 48 orë përpara dhe jo më parë? Si ka mundësi që infektimet nuk janë problem për maturantët 18-19 vjeçar 137, por për ata që venë në vit të parë të shkollës së lartë, kanë rrezikshmëri të shkallës së parë? “Aha, më duket se bëtë pyetje shumë e ja keni ngenë thonë më mendjen e tyre ekspertët. Ne na tha Brekushi, çojini në shtëpi dhe ne jo një falje, por edhe ëndrrat ja bëjmë, Shefit tonë realitet”.

Kështu që Komiteti me vendimet e tij, me standarde të dyshimta dhe të dyfishta, nuk na dha qoftë edhe një argument, pse dy ditë përpara, gjendja u rëndua deri në marrjen e vendimit ekstrem prej tyre. Studentët dhe nxënësit u shkëputën plot 6 deri në 7 muaj nga shkolla. Gjatë gjithë kësaj kohe Brekushi, Komiteti e Ministria kishin boll mundësi të shqyrtonin skenarët A, B dhe C për të cilët mburreshin nga mëngjesi deri në darkë, se i kishin gati. Në fakt skenarët e gatshëm ishin dy: Hapim institucionet e arsimit parauniversitar dhe i lemë të bëjnë si të duan, mbyllim universitetet, se nuk kemi nge të merremi me studentët si dy vjet të shkuara. Kështu që edhe njerëzit i mbajmë në ankth edhe i rrjepim deri në palcë nga të ardhurat edhe për veten e vet, Brekushi, nuk do zallamahi e shamatë. Ne nuk duhet t’ia mohojmë meritën e madhe që ka Brekushi, në zbatimin e dy skenarëve ogurzinj për arsimin, jo “se kështu donte ai”, porse e “detyruan” të tjerët. Pa vënë në siklet, ministren e arsimit apo Ogertën, thjesht urdhëroi Komitetin Teknik të ekspertëve të bënte çfarë kishte në mendje ai dhe anëtarët e Komitetit me qejfin më të madh ranë dakord unanimisht, që arsimi të futet në intubim.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco