Vendet e BE-së nuk e kanë me Shqipërinë, e kanë me Edi Ramën

Vendet e BE-së nuk e kanë me Shqipërinë, e kanë me Edi Ramën

Nga Gentian Gaba - 02/11/2020

Tashmë Holanda ka dalë me qëndrimin zyrtar, sipas të cilit nuk do të mbështesë mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare Shqipëri-BE, nëse më parë nuk plotësohen disa kushte. Dokumenti i Qeverisë holandeze, i cili është dorëzuar në Parlamentin e atjeshëm për miratim, mbështet hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut, por i njëjti proces vlerësohet i parakohshëm për Shqipërinë.

Kjo nuk është një vetëtimë në qiell të hapur. Madje ka një kor përcaktues shtetesh anëtare, të cilat nuk e konsiderojnë të mjaftueshëm progresin e Shqipërisë në përmbushjen e kushteve të caktuara nga Këshilli i Europës marsin e shkuar. Në këtë rast, Holanda, që zakonisht bën punët e “pisëta” të Gjermanisë, është ajo që ka hedhur hapin e parë zyrtar.

Qeveria në Hagë e sheh si të parakohshëm qëndrimin e Komisionit Europian për Shqipërinë, ku shprehet se vendi ka bërë përparim vendimtar dhe se është afër përmbushjes së kushteve të vendosura nga Këshilli për Konferencën e Parë Ndërqeveritare, që shënon hapjen zyrtare të negociatave. Pikat kryesore të marra në shqyrtim lidhen me ligjin zgjedhor, reformën në drejtësi, korrupsionin, krimin e organizuar, lirinë e medias, azilkërkuesit.

Hedhja poshtë e kornizës negociuese të Komisionit Europian, duke i raportuar si jo bindëse rezultatet që raportohen për Shqipërinë, nuk mund të përkthehet si një shuplakë vetëm për qeverinë Rama, e cila është mësuar tashmë me derën që i përplaset përpara fytyrës për shkak të shpërpjestimit që ekziston midis problemeve që zgjidh dhe atyre që krijon me duart e veta, por edhe për Komisionin Europian. Ndër vite është bërë shumë e qartë se dëftesat kaluese, që eurokratët kanë përpiluar për një qeveri ngelëse, nuk përputhen me realitetin.

Duke dëshmuar kësodore hendekun e madh që ekziston midis Komisionit, përfshirë këtu përfaqësuesit në Tirnaë, dhe Shteteve anëtare, të cilat janë përherë e më shumë skeptike ndaj raportimeve të funksionarëve të BE-së. Andaj edhe dërgojnë gurpe parlamentarësh në vende si Shqipëria, në ato që quhen misione fact-checking, për të parë nga afër, aty ku përfaqësuesit e Brukselit mbyllin një sy, apo të dyja, se sa i thellë është honi midis malit me letra plot eufori, që shënojnë përherë progres, dhe së vërtetës.

Qëndrimi i Hagës provokoi një reagim të menjëhershëm nga mazhoranca e këtueshme. Folën për enlargement fatigue, lodhje nga zgjerimi, të disa vendeve anëtare dhe për përmbyshje të detyrave nga qeveria Rama, duke ia faturuar edhe njëherë Jo-në problemeve të brendshme të BE-së, fushatave zgjedhore që do të ndodhin në disa shtete dhe konteksteve të ndryshme politike.

Sidoqoftë, ky është një justifikim i vjetër dhe mjaft i lodhur, që për më tepër hidhet poshtë nga qëndrimi që Haga mban për Maqedoninë e Veriut, e cila do të mbajë Konferencën e Parë brenda dhjetorit. Dhe për sa kohë Maqedonia e Veriut sheh dritën jeshile dhe Shqipëria jo, nuk mund të flitet për “lodhje nga zgjerimi” apo probleme të brendshme të shteteve anëtare.

Ajo që mazhoranca socialiste nuk pranon është se problemi nuk është në Hagë, apo në kryeqytetet e tjera që priten të thonë Jo, por në Tiranë. Problemi është se pavarësisht rekordeve negative të qeverisë shqiptare, të njohura tashmë botërisht, nga kanabizimi i vendit te kriminalizimi i Parlamentit, nga dosjet e zgjedhjeve të vjedhura te azilkërkuesit, Rama zgjodhi ta shtojë me kokëfortësi bilancin e tij negativ, duke ndërmarrë vendime politike të njëanëshme, sikurse ishin ndryshimet kushtetuese, për të cilat Holanda kërkon rivendosjen e dialogut politik për Reformën Zgjedhore.

Një qëndrim që dëshmon konkretisht se si vendimi i Ramës për të shkuar kundër të gjithëve duke prishur konsensusin, vetëm për interesin e tij politik, u përkthye në një kosto të drejtpërdrejtë për qytetarët shqiptarë. Megjithatë duhet thënë qartë se vendimet që do të vijnë nga shtetet anëtare në muajt në vijim, nuk janë qëndrime kundër Shqipërisë, sikurse na mëson rasti i Maqedonisë së Veriut, por kundër Edi Ramës.

Ky i fundit, pas shanseve të humbura në vitet e shkuara, është kthyer në një pengesë për vendin e tij. Anipse në 6 mujorin e Presidencës gjermane të BE-së kishte mundësi për të shkuar me erën pro Ballkanike të Merkelit, zgjodhi me vetëdije të bëjë të kundërtën, duke hedhur në koshin e plehrave konsensusin e 14 janarit dhe marrëveshjen e 5 qershorit, akte këto thellësisht anti-demokratike dhe anti-europiane, të cilat nuk mund të mos prodhonin gjë tjetër veçse qëndrime politike të prera nga shtetet anëtare, të cilat, në prag të zgjedhjeve të 25 Prillit, tregojnë se sa e rëndësishme do të jetë një votë që shkon për zhbllokimin e rrugës Europiane të Shqipërisë, duke patur parasysh shembullin e Maqedonisë së Veriut, ku qartazi dëshmohet se vendet e BE-së nuk e kanë me Shqipërinë, por Edi Ramën.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco