COVID dhe demagogji me çdo mjet

COVID dhe demagogji me çdo mjet

Nga Erion Dasho - 02/11/2020

Pasi është bërë i pabesueshëm për publikun nga mënyra se si menaxhoi pandeminë, Kryeministri shqiptar i është drejtuar ndihmës nga jashtë. Javën që kaloi ai ju referua një artikulli të Lancet të cilin e interpretoi në mënyrën më demagogjike dhe dizinformuese të mundshme.

Disa ditë më parë, ishte po Kryeministri që publikoi në llogarinë e vet në rrjetet sociale një video të titruar të Kancelares Merkel ku kjo i fliste popullit gjerman mbi nevojën për të marrë masa kufizuese dhe parandaluar përhapjen e COVID.

Shumë prej nesh që jetojmë në Gjermani, shpresuam se, më në fund, qeveria dhe komiteti në Shqipëri do të nisnin të mësonin diçka nga përgjigjja gjermane ndaj COVID, e njohur botërisht si një ndër më profesionalet.

Fatkeqësisht, demagogjia vazhdoi ashtu si në rastin e Lancet apo si në çdo masë tjetër që është propozuar deri tani nga autoritetet shqiptare.

Ndërkohë që Kancelarja rekomandonte masat e distancimit fizik të cilat më vonë i nxitën landet dhe qytetet të anulonin deri edhe tregjet qindravjeçare të Krishtlindjeve, në Shqipëri vazhdoi panairi i qofteve të Tiranës, festa e Mokrës dhe festimet “tradicionale” të Hallouinit.

Ndërkohë që Kancelarja i bënte thirrje qytetarëve gjermanë të shmangnin çdo udhëtim të panevojshëm dhe të kufizonin udhëtimet jashtë qytetit vetëm për qëllime pune, KM shqiptar bashkë me familjen organizon vizita fundjavash dhe promovon resorte turistike.

Epidemia nga COVID është një nga fatkeqësitë më të mëdha që u ka rënë qytetarëve dhe familjeve shqiptare. Politikanë shqiptarë nuk e ndjejnë sepse atyre nuk u bëjnë përshypje shpenzimet 12 mijë euro për një udhëtim çarter në Turqi, 2 mijë euro për një natë qëndrimi në spital atje, 500 euro për një flakon remdesivir në Shqipëri, qindra euro të tjera për testime, skanera, etj.

Me qëndrimin dhe udhëtimin e vet turistik, ndërkohë që qytetarët e vet vdesin nga epidemia e menaxhuar keq prej tij, KM u kujton shqiptarëve fjalët e mbretëreshës franceze që kur mori vesh se njerëzit nuk kishin bukë tha “Por pse nuk hanë ëmbëlsira?”

Koha ka ardhur për t’u shkëputur përfundimisht nga demagogjia dhe amatorizmi dhe për të nisur nga zbatimi i një përgjigje profesionale, të bazuar mbi evidenca dhe përvojat e mira botërore.

Nëse Kryeministri, ministrja e tij dhe komitetsat nuk e kanë marrë vesh akoma, shqiptarët po vdesin nga COVID-i...
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco