Banaliteti si kamerdare shpëtimi

Banaliteti si kamerdare shpëtimi

Nga Namir Lapardhaja - 25/10/2020

Kryeministri Rama po tenton që çdo diskutim serioz ta mveshë me lëkurën e fortë dhe kutërbuese të banalitetit. Kjo taktikë ka në themel mosdhënien e llogarisë nga ana e qeverisë dhe rrezikon çdo lloj debati real për të nesërmen. Prej kohësh, ai ka tentuar të zëvendësojë të vërtetat publike me të vërtetat e tij. Studiuesit e kanë quajtur “holizëm” tendencën e politikanëve që inkurajojnë shijen e turmave, pasi kështu ata kërkojnë të shihen si të vetmit përfaqësues të popullit. Edhe Edi Rama, për të arritur në këtë status, si “përfaqësues i vetëm i popullit”, po tenton që kundërshtarët apo ato figura publike që argumentojnë shkelje ose korrupsion, të mos i konsiderojë më rival të politikave të qeverisjes, por si kundërshtarë të popullit.

Në kuadër të tallavasë së banalitetit, disa ditë më parë, kur u pyet lidhur me premtimin e përsëritur për akcizën e naftës për fermerët, tha se “…Patjetër është premtuar në vitin 2013 dhe mbahet sot. Unë jam ai që e kam premtuar, unë jam ai që e mbaj. Thjesht Nuk bëj unë premtime për të gënjyer, nuk bëj unë premtime për të hedhur lumin. Nuk bëj unë premtime për të marrë votat. Unë premtimet i bëj sepse jam i bindur që i realizoj dhe i realizoj. Koha e realizimit të tyre nuk është gjithmonë në dorën e kryeministrit apo të qeverisë, apo të parlamentit…” (13.10.2020). Ky shfajësim, që do turpëronte edhe një nxënës të fillores, tenton të nxjerrë qeverinë të pafajshme përballë mosmbajtjes së premtimeve në shtatë vite. Dhe nuk është një shaka. Ky shfajësim është thjesht një shtim i masës së banalitetit, duke tentuar që t’i përfshijë njerëzit në një debat me natyrën dhe jo me qeverinë. Duke fajësuar të papriturat natyrore, ai zbret në foshnjërizmin politik dhe bën që çdokush të ndiejë një mënyrë shfajësimi për atë që nuk ka arritur të bëjë në këto vite të qeverisjes së tij. Në fakt, kushdo e di se premtimet në një fushatë zgjedhore nuk janë as tetëvjeçare e as dymbëdhejtëvjeçare, por katërvjeçare. Pra, kur shkon drejt zgjedhjeve një kryetar i mazhorancës jep llogari për ato që ka premtuar katër vite më parë dhe jo për ato që premton sërish. Por, duke e futur situatën në një mosdhënie llogarie, duke zhdukur çdo institucion që mund t’i kërkojë llogari, Rama i ka hipur kalit të banalitetit dhe kërkon që këtë garë të re elektorale ta bëjë të tërën një fushë të pistë. Duke e banalizuar gjer në pikën më fundore dhe duke kërkuar vetëm budallëllëkuan dhe poshtërimin, ai synon që të shmangë nga arena e debatit ata që kërkojnë një fushëbetejë me argumente dhe transparencë, pra atje ku debatohet me ide. Mirëpo, padituria e thellë e Ramës, që shfaqet në çdo debat me shifra, duket se e ka trembur shefin e mazhorancës, i cili do të bëjë çmos që shqiptarët të mos e njohin deri në themel injorancën e tij në qeverisje.

Ndërkaq, i ndodhur përballë një rreziku se mund të hetohet përpara zgjedhjeve, po mundohet njëkohësisht të rikthejë dikotominë “i fortë - i dobët”. Madje, gjatë prezantimit të rezultateve të qeverisjes, Rama nuk jep shifra, por shprehet “unë jam më i miri”, duke tentuar ta kthejë në një debat frojdian, ku ne duhet të zgjedhim plot pathos erotik atë që na tërheq nga fjalët, atë që na mbush me emocione dhe jo nga ajo që duhet të bëjë me vepra atë që premton në një fushatë zgjedhore.

Do të mjaftonte vetëm ky dekurajim që ka injektuar në këto vite, që të ishte mjaftueshëm për një ndëshkim, pasi shqiptarët nuk kanë humbur vetëm dëshirën për të jetuar këtu, por edhe po humbin çdo ditë dëshirën për të ndëshkuar të keqen. Mënyra se si ka eleminuar edhe gjykatat, duke i hequr njerëzve të drejtën e anikimit, Rama ka ardhur në pikën që pëlqejnë zakonisht populistët e llojit të tij- të paralizojnë pluralizimin dhe të kalojnë në një shtet formal, ku e vërteta buron nga “udhëheqësi”. Do të mjaftonte vetëm mënyra papagalle se si rreshtohen pas deklaratave të tij Balla, Veliaj, Spiropali, Bushati e shumë të tjerë nga manekinët në qeverisje, për të kuptuar se po fshihet vetëm pas mbretërisë së banalitetit, me qëllim që shqiptarët të lodhen e të mos merren më me të. Ai po mbështet, thuajse, hapur bindjen se, është e kotë të besosh te vlerat, te morali dhe se është e kotë të besosh te ndershmëria. Tashmë ai mund të ëndërrojë vetëm ndërtimin e një fjalori të ri, ku fjala “vjedhje” të mos ketë më kuptimin e dikurshëm, të mos identifikohet me atë që shkel ligjin dhe përfiton, por me atë që ka pasur diçka në dorë dhe nuk ka arritur ta dërgojë në shtëpinë e tij. Mungesa e drejtësisë e zyrtarizon këtë banalitet të kreut të qeverisë.

Por a mund ta mbrojë banaliteti deri në fund Ramën? E vetmja armë që mund t’i japë jetë fuqisë së banalitetit të tij, do të jetë përgjigjja me të njëjtën monedhë. Për sa kohë opozita do t’i flasë shqiptarëve dhe do t’i kërkojë drejtësisë që të mos inkurajojë me heshtjen e tyre të keqen, atëherë “spërkatja me pisllëk e hapësirës publike”, nuk ka më gjasa të ketë sukses.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Krist25/10/2020 17:01

Te genjesh,tek ne tashma nuk konsiderohet mekat,dhe justifikohet,me faktin,se ka raste kur ndodhesh gafil dhe detyrohesh te genjesh.Por gjithsesi,je nje genjeshtar.Ndersa kur genjen dhe te njenjten genjeshter,e eperserit,apo e perdor edhe ne raste te tjera,nuk je me thjesht ,nje genjeshtar,por tashma,i ke vendos vehtes,titullin mashtrues,apo maskara deri edhe ne Sharlatan.pra nje genjeshtar-profesionist.,

ReBo25/10/2020 11:57

Kjo qe thote artikullshkruesi eshte vetem njera ane e medaljes. Ajo qe shpreson ky pervers eshte mbeshtetja qe ka patur nga perendimi edhe kur ka vjedhur votat. I vetmi dyshim eshte se sasia e votave te vjedhura duhet te jete disa fish me e larte per shkak te telendisjes ne keto 8 vite katastrofe. Ai do ta realizoje vjedhjen, madje shumefish ne krahasim me 2017. Por kjo do te banalizoje mbeshtetjen e padrejte qe ka patur ne te kaluaren nga nderkombetaret. Kjo eshte shpresa. Ndoshta ambasadoret nuk do jene ne gjendje te mbyllin te dyja syte te dyja veshet, se njerin ta keni te sigurt qe do ta mbyllin. Nuk do ishte hera e pare.

ReBo25/10/2020 11:57

Kjo qe thote artikullshkruesi eshte vetem njera ane e medaljes. Ajo qe shpreson ky pervers eshte mbeshtetja qe ka patur nga perendimi edhe kur ka vjedhur votat. I vetmi dyshim eshte se sasia e votave te vjedhura duhet te jete disa fish me e larte per shkak te telendisjes ne keto 8 vite katastrofe. Ai do ta realizoje vjedhjen, madje shumefish ne krahasim me 2017. Por kjo do te banalizoje mbeshtetjen e padrejte qe ka patur ne te kaluaren nga nderkombetaret. Kjo eshte shpresa. Ndoshta ambasadoret nuk do jene ne gjendje te mbyllin te dyja syte te dyja veshet, se njerin ta keni te sigurt qe do ta mbyllin. Nuk do ishte hera e pare.

Shto koment

Denonco