Kodi Zgjedhor i Edi Ramës vret kandidatët e pavarur

Kodi Zgjedhor i Edi Ramës vret kandidatët e pavarur

Nga Oerd Bylykbashi - 24/10/2020

Me sistemin zgjedhor gjerman të vitit 2000 me 100 zona mazhoritare dhe 40 mandate në një zone proporcionale në shkallë vendi, një kandidat i pavarur zgjidhej ne zonën mazhoritare pa pasur nevojë për të kapërcyer ndonjë prag zgjedhor kombëtar siç u duhej partive.‎

Me sistemin proporcional ra‎jonal spanjoll të vitit 2008, kandidati i pavarur zgjidhej ne qarkun ku kandidonte pa pasur nevojë për të kapërcyer ndonjë prag zgjedhor rajonal siç i duhej partive, mjaftonte që ai të arrinte votat që duheshin për një mandat.

Me sistemin Paçavure Rajonale që sajoi Rama, edhe nëse kandidati i pavarur mbledh vota të mjaftueshme për një mandat në qark, ai skualifikohët nëse nuk arrin 1% të votave në shkalle vendi. Kodi i Ramës, duke aplikuar pragun 1% për “subjektet zgjedhore” barazon kandidatin e pavarur që propozojnë zgjedhësit, me partinë apo koalicionin që ka mijëra militantë nga pas.

Nëse votojnë‎ 1,5 milionë zgjedhës, që kandidati i pavarur të ketë të drejtë të futet në garë për mandat duhet të ketë marrë 1% të votave në shkallë vendi apo 15 mijë vota, njësoj sa një parti‎ politike apo koalicion. Ama partia apo koalicioni mund t'i mbledhin votat në të 12 qarqet ku konkurrojnë, kurse kandidati ka të drejtë të garojë e mbledhë vota vetëm në një qark.

Nëse kandidati i një partie apo koalicioni që e kapërcen pragun zgjedhor kombëtar 1%, zgjidhet me‎ vetëm 10 mijë vota në një qark, kandidati i pavarur në të njëjtin qark nuk zgjidhet dot edhe pse ka 10 mijë vota, njësoj sa kandidati i partisë apo koalicionit që garon në të njëjtin qark. Atij i duhen 15 mijë vota.

Hoqi me Kushtetutë të drejtën e koalicioneve që të propozojnë kandidatë. Më pas sajoi një lloj koalicioni që sa më pak parti të bashkohen kundër tij, dhe tani eliminon de facto me Kod të drejtën kushtetuese të zgjedhësve për të propozuar kandidatë të pavarur. Rama kërkon që të bëhen nul dhjetëra e qindra mijëra vota votuesish që me 25 prill 2021 do të votojnë kundër tij.

Kjo është një nga pabarazitë antikushtetuese të Kodit të Edi Ramës që e miratoi me votat e çetës ndihmëse që e quan veten opozitë në parlament. Por me kismet do të kemi Gjykatë Kushtetuese në të ardhmen "falë" reformës në drejtësi dhe kjo punë do të rregullohet.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco