SHBA, ambasadorja dhe 'Peshqit e mëdhenj' në qeveri!

SHBA, ambasadorja dhe 'Peshqit e mëdhenj' në qeveri!

Nga Poli Hoxha - 23/10/2020

“Ambasadore, kemi dëgjuar për shumë kohë që ata që konsiderohen peshqit e mëdhenj do të kapen dhe do dalin para gjykatës. Deri tani, asnjë peshk i madh nuk po shkon në gjykatë dhe peshqit e mëdhenj që ishin në burg po dalin, për shkak të vendimeve të fundit të gjykatave. Çfarë ndodhi me peshqit e mëdhenj?!”

Kjo është pyetja që drejtuesi i “Opinion”, Blendi Fevziu i bëri në emisionin e tij ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim. Kurse përgjigjja ishte:

“Blendi, ndonjëherë kam përshtypjen që këto shprehje përdoren si shpërqendrim. Ajo ku do të përqendrohem unë janë faktet. Për tepër kohë, njerëzit e pushtetshëm në Shqipëri kanë funksionuar me pandëshkueshmëri. Kjo kohë po i afrohet fundit”.

Për ata që nuk e kanë memorien shumë funksionale, kujtojmë se termin “peshq të mëdhenj” të korrupsionit qeveritar dhe të krimit të organizuar e ka futur i pari në terminologjinë politiko-juridiko-mediatike shqiptare, paraardhësi i zonjës Kim, ambasadori Donald Lu.

Deri në ditën e tij të fundit si ambasador në Shqipëri, ai do të mbahet mend si diplomati që “i kishte vënë shpatullat” Reformës në Drejtësi dhe që deklaronte shpesh edhe me afate kohore, se menjëherë pas ngritjes së SPAK do të shihnim “peshq të mëdhenj” në rrjetën e drejtësisë së re.

Kanë kaluar shumë kohë që atëherë. Lu iku në Kirgistan; erdhi Kim që u shfaq fillimisht po njësoj entuziaste; u ngrit SPAK dhe së fundmi edhe Byroja Kombëtare e Hetimit, por ashtu siç thotë me të drejtë Fevziu në pyetjen e tij retorike; jo vetëm që nuk kemi prapa hekurave “peshq të mëdhenj”, por edhe ata që kanë qenë në qeli si koka të krimit në vend, po dalin të lirë një nga një.

Në përgjigjen e vet për temën e preferuar (pandëshkueshmërinë në fakt) të shqiptarëve, “peshqit e mëdhenj”, ambasadorja Kim thotë tekstualisht se, “këto shprehje po përdoren si shpërqendrim”.

Edhe pse nuk ia përmend emrin homologut të saj, ky deklarim është një përgënjeshtrim dhe atakim i pastër ndaj zotit Lu.

Ishte pikërisht ai që për të mbajtur lart optimizmin dhe besimin e shqiptarëve për Reformën në Drejtësi, premtonte “peshq të mëdhenj” të pushtetit dhe politikës. Në fund të fundit, thelbi i kësaj reforme dhe sidomos SPAK është pikërisht ndëshkimi i “peshqve të mëdhenj” të korrupsionit, të cilët njëkohësisht janë të lidhur ngushtë me “të mëdhenjtë” e krimit të organizuar.

Atëherë, ndoshta ishte vërtet shumë shpejt për të parë rrjetat dhe gjahun brenda tyre. Por ja ku jemi po njësoj, edhe sot pas 4 vitesh nga nisja e Reformës dhe kompletimit të SPAK, i cili po merret me “cironka të ngordhura” si rasti skandaloz i komisionierëve zgjedhor në Shijak, të vdekur prej kohësh.

Kur ambasadori Lu përmendte SPAK e “peshq të mëdhenj”, nuk harronte të theksonte se fliste në emër të SHBA. Edhe ambasadorja Kim, po njësoj sot.

Askush nuk e diskuton në Shqipëri këtë, edhe pse qëndrimet e ambasadës në Tiranë kur vjen puna për korrupsionin e lartë shtetëror nuk rezonojnë shpesh me raportet e forta të Departamentit të Shtetit, pra me SHBA-në zyrtare.

Për shembull; SHBA zyrtare në emër të së cilës flet ambasadorja e ka shpallur Vangjush Dakon “non grata” dhe në listën e saj të zezë, kurse Edi Rama e mban anëtar të kryesisë së partisë që ka pushtetin në Shqipëri.

Ose zonja Kim nuk e di këtë fakt, ose nuk i ‘bën përshtypje’ ky karshillëk që kryeministri Rama i bën Departamentit të Shtetit dhe taksapaguesve amerikanë.

Dako ose është “peshk i madh korrupsioni” siç thotë SHBA zyrtare, ose është “shpërqendrim” për SPAK. Arsye të mesme nuk ka!

Por vazhdojmë. Ambasadori Lu në emër të SHBA u shpërndante premtime shqiptarëve me afate kohore, të cilat tashmë i përkasin kohës së shkuar të pakryer. Edhe ambasadorja Lu në fillimet e saj, kishte të njëjtin entuziazëm dhe fliste në kohën e ardhme dëshirore.

Sot jemi në të tashmen dhe krye-diplomatja e SHBA në Tiranë nuk është më e para, për sa i përket entuziazmit për reformën në përgjithësi dhe SPAK në veçanti.

“Peshqit e mëdhenj” për SHBA-në e Kim nuk janë më ‘premtim’ si ai i SHBA-së së Lu, por vetëm ‘shpërqendrim’!

Shpërqendrim i SPAK ndaj kujt dhe për çfarë?!

Sepse deri më tani siç e thamë edhe më lart, vetëm me “cironkat” është marrë. Siç bëri së fundmi edhe me arrestimet në OSHEE, e cila është shndërruar prej kohësh në portofolin më të madh korruptiv të Edi Ramës e Vangjush Dakos, ashtu pa bujë dhe butë e butë.

Pra rrjeta e SPAK kapi më në fund ca zyrtarë dhe ish-zyrtarë të kësaj kompanie miliardëshe që është shtetërore, por funksionon si private. Por për të mos “shpërqendruar veten”, nuk u mor fare me peshkaqenin në krye të saj, fuqiplotin dhe të paprekshmin Ardian Çela.

Të paktën ta kishin thërritur për ta pyetur, sepse në atë kompani as detergjentët nuk tenderohen pa dijeninë e tij dhe madje duhet të blihen nga ‘fituesi’ pasi ka dorëzuar “30%” në magazinën që do ai, e jo më kur bëhet fjalë për një tender 1.2 milion euro!

Ambasadorja Kim në përgjigjen që i dha Fevziut për “peshqit e mëdhenj” lëshoi edhe një parullë populiste, e cila kapërcente edhe oqeanet.

Kur ju parashtrua konstatimi dhe u pyet, “se në fillim, kishte shumë shpresa kur u krijua SPAK; se ai do të luftonte korrupsionin dhe implikime të tjera të zyrtarëve të lartë, por njerëzit tani ndihen sikur SPAK nuk është ku duhet. Është e vërtetë? A besoni ju tek SPAK?”, ajo u përgjigj:

“Unë besoj tek SPAK. Taksapaguesit amerikanë besojnë tek SPAK. Kemi investuar sasi të stërmëdha kontributesh për t’u siguruar që SPAK të ngrihet dhe të funksionojë”.

Në fakt çështja emergjente sot është, se sa besojnë ende shqiptarët te SPAK dhe jo populli amerikan. Edhe vetë zonja ambasadore e di shumë mirë që taksapaguesit e vendit të vet, nuk e dinë fare që kjo strukturë ekziston diku mijëra kilometra, larg zyrave ku derdhin taksat e tyre.

SPAK është ngritur vërtet me kontributin e madh të miqve amerikanë e madje edhe me taksat e tyre, por misioni, pritshmëria ndaj tij është që të ndëshkojë ata që vjedhin në mënyrën më flagrante, me guxim të çartur dhe madje me skema korruptive të trasha e të qepura keq, paratë e taksapaguesve shqiptarë!

Kemi 4 vite që dëgjojmë nga Rama dhe disa diplomatë në Tiranë, (këta të fundit me spond), se opozita nuk e do reformën dhe ka frikë nga SPAK.

Por ja ku jemi: kreu i opozitës Lulzim Basha gdhihet e ngryset duke inkurajuar, ndihmuar dhe kërkuar nga SPAK që të flasë një fjalë për skandalin e paprecedentë të inceneratorëve. Të paktën të thotë se po hetojnë me seriozitet, se kanë ngritur një grup të posaçëm prokurorësh, etj, etj.

Por çfarë po ndodh. Basha që “ka frikë” flet dhe furnizon SPAK me dokumente dhe dosje të skandalit, kurse “dashnori i madh” i tij Edi Rama çon veten dhe partinë te vendi i krimit në Elbasan, për t’i vënë gjoksin aferës dhe për t’i dërguar një mesazh omerte SPAK-ut.

Këtë skemë korruptive 400 milion euro e ka denoncuar së pari në SPAK shoqëria civile, nëpërmjet “Nisma Thurrje”. Pastaj ka vazhduar PD, me fakte dhe dokumente. E ka investiguar edhe një medie ndërkombëtare, e cila mbështetet shpesh financiarisht edhe nga SHBA, BIRN.

Pra nuk ka vend për politizim të çështjes siç po tenton që të bëjë Edi Rama, por si fillim, vetëm për identifikim të “peshqve të mëdhenj” nga SPAK.

Ndoshta historia korruptive nuk është kaq e rëndë sa pretendon Basha, por asgjë nuk e pengon SPAK që të thërrasë pas disa muajve që kur u bë denoncimi i parë nga “Nisma”, e të marrë në pyetje të gjithë protagonistët ministra e ish-ministra me në krye Ramën, të cilët po dalin çdo natë nëpër studio për tu përgjëruar se nuk kanë hedhur firma gjëkundi.

Ose të paktën të thërrasin e të pyesin 23-vjeçaren, të cilës i kanë vënë emrin në letrat e kësaj afere gjigante. Ose të pyesin shkrimtaren Flutura Açka, e cila zbuloi rastësisht se “guaska” që do të vjelë nga taksapaguesit shqiptarë plot 400 milion euro, nuk ka denjuar as të hapë një zyrë të thjeshtë me një sekretare në Amsterdam, por rezulton me adresën e banesës së një çifti pleqsh holandez.

Të paktën SPAK-u, “tmerri” i korrupsionit të lartë, të na sqarojë se nga i buron guximi për tu tallur dhe poshtëruar shtetin dhe inteligjencën e shqiptarëve, organizatës së Ramës, Ahmetajt, Klodian Mërtirit e kompani?!

Ndaj nga ambasadorja Kim pritej që ndërkohë që ky skandal po qelb qeverinë dhe po habit të madh e të vogël, të deklaronte të paktën se duhej ndarë “shapi nga sheqeri” për këtë çështje.

Të kërkonte, edhe në emër të taksave të amerikanëve, që të trajtohet me seriozitet dhe përgjegjësi kjo çështje e cila po trazon fortë publikun. Sepse nuk mund të kapërcehet më me batutat-cicërima të kryeministrit, kundër Bashës. As me filmat 3D ku duken pleq e fëmijë, të cilët do të pushojnë në parqe me bar e pemë mbi fushat e plehrave që kushtojnë, vetëm njëri, 1.2 milion euro!

Sepse mbi të gjitha zonja ambasadore, duket qartë se mënyra se si do të trajtohet kjo aferë që është në fakt edhe modeli tipik i skemës 8 vjeçare për të grabitur miliarda nëpërmjet PPP-ve, përfaqëson edhe pikën e fundit në gotën e besimit apo mosbesimit, ndaj reformës dhe SPAK!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

ReBo23/10/2020 22:50

Shkrim i goditur. SPAK ka ne dore te beje ndryshimin, qe ndonje dyshues si puna ime apo edhe e artikullshkruesit(sipas meje), te ktheje bindje. Por une po i drejtohem Ambasadores Kim. Zonja Ambasadore! Besoj se ju e dini tashme se ne cilin vend keni ardhur. Keni pasur boll kohe per ta kuptuar. Ketu jeni ne vendin me proamerikan ne Evrope. Ketu te gjithe fjalen e Ambasadorit amerikan e kane si "fjalen e perendise" Kjo i ka bere disa nga paraardhesit e tu te jene te njeanshem, nuk e di aresyen. Ju duhet te jeni arbitri, jo tifozi, aq me pak lojtari. Tani te flasim pak per reformen ne drejtesi. Ju e trumpetoni si sukses. Ok. Por nuk paska fare te meta? A nuk ju duket se pozita dhe opozita sikur jane ndare si me thike per reformen? Pse keshtu(nqs e vertete)? Ju thoni se jane parate e taksapaguesve amarikane. Ok. Keshtu eshte! Por parate e taksapaguesve amerikane jane paguar per te shpetuar parate e taksapaguesve shqipetare. Isn't so? Ketu fillon problemi. Se ju mesa duket ju mjafton te keni sukses ne kete reforme, dhe sukses per ju eshte realizimi i reformes, mundesisht pa gabime. Nje shok i imi diplomat me pat thene nje here se amarekanet nuk pranojne se bejne gabime. Kjo me sa duket ceshtje prestigji. Por reforma per ne eshte ceshtje jetike, te pakten per 30-50 vjetet e ardhshem. Une uroj qe ta kem gabim, por me duket se po prodhohet nje drejtesi e kapur, njesoj apo me keq se ajo e para. Kjo per ne do te ishte katastrofe. Le te supozojme se e ka kapur e majta per nje momont. A do kete fuqi te shkeputet nga padroni i majte kur ky te humbase zgjedhjet? Kjo eshte pyetja. Nuk ka problem se nuk vepron dot tani. Ok. Mund edhe te presim ca kohe,derisa te kemi rrotacion. Apo mendoni se nuk do kete rrotacion, se perndryshe ikem te gjithe prej ketij vendi. Po sikur edhe pas rotacionit gjendja te jete njelloj? Atehere deshtimi i jone do te jete i rende e me pasoja per shume kohe. Do te jete edhe deshtimi juaj dhe kjo mua do te me trishtonte pamase. Kjo ka nje aresye qe lidhet me ju(SHBA) Deshtimi juaj ne Shqiperi do ta kthente se paku ambasaden tuaj ne nje institucion me te cilin u tallen disa fshatare ballkanas. Kjo do te tregonte se perandoria juaj po shkermoqet, dhe ky do te ishte lajmi me i trishte per ne shqiptaret, qe keshtu do te perfundonim pa aleatin tone te madh. Ja ky eshte pezmi im ne kete histori. Po ju kujtoj historine e kamionit te UNRRA- s. U nis kamioni per ne veri me ndihma. Ne mes te rruges del nje fshatar duke bere me shenja qe kamioni te ndalonte. Shoferi ndoloi. Fshatari filloi te ndizte cigaren tek feneret e makines. Brenda, ekipi amerikan u habit e filluan te qeshin. Ja - tha shoferi. Ju kam thene qe jane fare te pagdhendur? Pastaj fshatari iku sepse nuk e ndezi dot cigaren dhe kamioni vazhdoi rrugen. Kur arriten ne destinacion, pane se ne kamion nuk kishte mbetur asnje kile miell, asnje kokerr patate. Miresevini ne Shqiperi!

Skrapari23/10/2020 21:57

Ore vertet besoni ju tek Spak. Eshte miopi te besosh se ky Spak me perberje bijte e nomenklatures komuniste te vendose drejtesi per bemat dhe gjemat e pjelles nga ka dale. PD sapo te vije ne pushtet duhet te beje reforme te thelle ne strukture dhe njerez ne te kundert edhe per 50 vjet te tjera do mbizoteroje drejtesia puniste enveriste.

krasasi tp23/10/2020 19:39

Tiku, meqë e 'nget' muhabetin, po e zgjas edhe unë duke e bër tërkuzë. Nuk jemi në kushtet kur sistemi i drejtësisë manipulohej nga politika ,apo urdhërohej se sa e se ku duhet të godisnin. Sot të gjithë e pranojnë se ajo. 'Drejtësia' ishte selektive edhe kur bëhej fjalë për cironkat. Nuk jemi në det, aty ku formohen batica dhe zbatica, Jemi në moçal. Aty ,lëvrijnë bretkoca ngjala cironka dhe peshq të mëdhenj. Kur kënetës ja fut motorrpompat dhe ujin e derdh në hidrovor, gjallesat ngelen pa 'frymë'. Jemi pikërisht në këtë moment. Për të tjerët duhet të shtoj se Prokuroria e Krimeve të Rënda apo Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore, Kodi i Proçedurës Penale dhe ligji 35/2017 i detyron që të gjitha çështjet apo Kallzimet Penale që lidhen me nenein 75/a ti kalojnë pranë SPAK. Disa dosje që janë lënë të zënë myk, duhet riaktivizuar dhe proçedurat nuk janë të lehta. SPAK nuk mund të veprojë partizançe pasi nuk ka zbritur as na 'mali' dhe as nga maja e 'plepit'. Kush do të kuptoi se sa seriozisht e kanë ata që e kanë inicuar,dhe luftojnë për ta jetësuar R.D, shiko kundërshtimet dhe kundërvënien ndaj R.D. Ata janë peshqit. Sistemi i Ri nuk varet më nga politika.As i qarkullon as i pushon as i ngre në detyrë,as i urdhëron dot . Ka ikur koha, kur duhet të paguaje një thes me para për të qarkulluar për të bër karier apo për tu bër noter etj. Sot nuk mund të justifikohet dot njeri si dikur, që po më dënojnë për motive politike. Drejtësia e re mund të tregohet më tolerante për ata që thonë më fal. Më shumë tolerante për ata që bashkëpunojnë me drejtësinë dhe e ashpër për ata që edhe kanë vjedhur edhe kanë vrarë. Dhe shumë e ashpër, për "rojtarët"e zgjedhur që i kanë bër të gjitha.

T.P.23/10/2020 16:50

Bravo shoku Tërmet Peçi !
Bjeri kokës armiqve të PPSH e mikut të madh të saj Imperializmit amerikan.

N23/10/2020 14:59

Zonja ambasadore mbron Edi Ramen dhe reformen e deshtuar në drejtësi metë cilen e mbajten Edvinin ne pushtet.

Tiku23/10/2020 14:38

Krasasi mire e ket, por cestja eshte se Rama ja ka arritur qe ta politizoje "peshqit e medhenj" dhe lam idene se ne ketekurth ka rene edhe ambasasa dhe vete Spak. Ky i fundit duket mjaft i kompeksuar dhe edhe pse ka plot dosje gat te trasheguara nga ish-krimet e renda, merret me cironka sic thote me te drejte P.H ne kete shkrim brilant si perhere. Tani nje pyetje kam per ty; kur peshqit e medhenj i nxjerr vete zbatica ne det sepse jane renduar shume ne peshe dhe ju eshte dhjamur edhe truri si ne rastin e inceratoreve, per cfare shperqendrimi behet fjale?!

krasasi tp23/10/2020 13:37

Ambasadoria Amerikane qënka kap mat nga pyetja e z.Fevziu. Blendi Fevziu dhe të 'tijtë' rreth e rrotulli do që "peshqit e mëdhenj" ti kap Amerika. Kur Amerika dhe BE ju shpjegoi 140 parlamentarëve në vitin 2016 se 'peshqit e mëdhenj' që ju premton z.Llalla ,kapen me këtë "grep " Reforma në Drejtësi. Kur qeverisja e vëndit dhe struktura të tjera të shtetit dhe partnerët përpiqen ta jetësojnë R.D, fillojnë gazetarët e kazanit si puna e B.F të qëllojnë me gur mbi 'moçal' me qëllim që peshqit të largohen e mos të bijen në grep. Të tjerë, politikanë , përfaqësues të institucioneve publike apo shtetërore marrin gërshërën në dorë dhe vërsulen ta presin fillospanjën që grepi të ngelet në gojën e një peshku që ikën tutje dhe përgjegjësia të ngelet në ajër. Përgjigja e Znj.Kim se: "Blendi, ndonjëherë kam përshtypjen se këto shprehje ndonjëherë përdoren si shpërqëndrim" është epike. Vetë Blendi Fevziu mund të rezultoj nesër, si personi që qëllon me gur mbi 'moçal' apo të rezultoi si një peshk i madh. Kush ka bër Kallzim Penal në SPAK paraqet prova. Kërkon që BKH të mbledh prova të tjera. Shpresa e 'peshqëve të mëdhenj' se SPAK ,BKH, Prokurori i Përgjithshëm apo partnerët, do shërbejnë si peshqir për të fshir to..t politikanët duke bër kok turku ca cironka, gabohen rëndë.

Shto koment

Denonco