Marrëdhëniet e fqinjësisë s’trajtohen me poture, atlete e kollare!

Marrëdhëniet e fqinjësisë s’trajtohen me poture, atlete e kollare!

Nga Kastriot Islami - 22/10/2020

1. Së pari, pas deklarimeve të pardjeshme, më shumë me natyrë politike dhe shumë pak ose aspak juridike, nuk është ende e qartë për publikun, madje as për ekspertët, se çfarë do të dërgohet në Gjykatën Ndërkombëtare nga Shqipëria e Greqia. Një marrëveshje e arritur mes palëve që do të kishte çështje të mirëkuptuara por edhe qëndrime të diskutueshme, për të cilat do të kërkohej vendimmarrja e një Gjykate Ndërkombëtare? Apo thjesht qëndrime për të cilat palët nuk bien dakord për shkak të interpretimeve të ndryshme të Konventave të OKB? Për këtë duhen pyetur vetëm ekspertët e të drejtës ndërkombëtare…! Propozimi i Ramës është ende minimalisht i papërcaktuar dhe i paqartë, qoftë edhe për ekspertët e të drejtës ndërkombëtare. Dhe i pakonsultuar, qoftë si ide, as me Kushtetutën, as me Presidentin e Shqipërisë e ndoshta edhe as me institucione apo dokumente të tjerë të rëndësishëm ligjorë.

2. Së dyti, palët nuk sqaruan apo saktësuan se në cilën Gjykatë Ndërkombëtare konkrete do ta çojnë këtë çështje. Kjo tregon të paktën se Rama është ende i papërgatitur për të rënë dakord se në cilën Gjykatë Ndërkombëtare do ta çonte këtë çështje! Nga ky këndvështrim, duket se ka një nxitim thjesht për interesa politike sesa për t’iu afruar zgjidhjes zgjidhja reale. Duket se ka më shumë një nxitim për përfitime politike, sesa për të qasur me punë sistematike zgjidhjen…

3. Së treti, është e vështirë të mos arrish në përfundimin se palët u shfaqën të “kënaqura”, duke deklaruar atë që kishin vendosur larg kamerave. Rama tentoi të kompensonte nacionalizimin e tij të shtirur, bazuar në vendimin e GJK të cilin për më tepër e kishte sponsorizuar tërësisht vetë më parë, me retorikë e poture “nacionaliste”. Kurse pala greke tentoi të tregonte se ndryshe nga ç’ndodh me Turqinë, Greqia di të mirëkuptohet me fqinjët…

4. Thënë më “popullorçe”, Greqia arriti të realizonte një synim politik të mirëpërcaktuar, por jo vetëm. Kurse Rama erdhi në këtë vendimmarrje, i nxituar, i papërgatitur dhe i paqartë. Pas shumë sjelljesh/veprimesh tipike të një nacionalisti aguridh me poture e atlete që dje u shfaq me kollaren e mashtrimit, por edhe lojërash të rrezikshme diplomatike me Greqinë, por jo vetëm. Madje edhe pas veprimesh deri arrogante me Greqinë, duke u detyruar pardje të shndërrohej në një lëpirës të neveritshëm për të gjithë pa përjashtim, përveç kupolës së sektit të tij…

5. Rama u mburr se e bëri vetë këtë propozim, që s’do të ndiqet më prej tij, por do të rimerret nga qeveria e ardhshme e pas 25 prillit 2021, duke kaluar këtë çështje përmes një shfaqje cirku me 3 akte. Në aktin e parë, ai do të luante rolin e një “nacionalisti aguridh” me poture, kundër dërgimit të çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare, madje duke sponsorizuar fuqimisht rrëzimin e marrëveshjes në GJK, thjesht dhe vetëm për interesa të pushtetit të tij personal dhe duke sulmuar të gjithë kundërshtarët si tradhtarë. Në aktin e dytë, me atlete, ai do të tërhiqej me heshtjen e tij atipike tërësisht nga vendimi i tij i GJK, duke promovuar dërgimin e marrëveshjes në Gjykatën Ndërkombëtare dhe duke e shitur këtë veprim, pro-europian, por duke sulmuar ndërkohë si anti-europianë të gjithë ata që i përmendnin rolin e nacionalistit aguridh në aktin e parë. Në aktin e tretë, ai do të mburrej me kollaren rurale si nacionalist që po luftonte për sovranitetin e Shqipërisë, e nga ana tjetër do të hiqej si propozuesi pro-eruropian i një zgjidhjeje “gjeniale”. Pa harrur të akuzojë ata që ia kujtojnë se çfarë rolesh ka luajtur në aktin e parë e të dytë…

6. “Lideri global” me këtë rast s’harroi të luante edhe rolin e gaztorit në një shou tipik estrade. Ai flet për angazhimin e tij për heqjen e ligjit të luftës, një humor i zi, për të qeshur e për të qarë. Sepse së pari, pala shqiptare s’ka pasur dhe s’ka asnjë përgjegjësi apo rol për vendimet juridike të palës tjetër, pra as mund t’i heqë, e as t’i abrogojë ato. Së dyti, kjo është një çështje e mbyllur përfundimisht me firmosjen e Traktatit të Miqësisë në 1996 mes dy vendeve dhe me praninë e të dy vendeve në NATO. Thënë më shkoqur, gaztori kërkoi të balanconte luhatjet në marrëdhëniet me Greqinë, me angazhimin artificial për zgjidhjen e një çështjeje që s’ekziston as moralisht e as politikisht me dy vendeve. Sepse nuk mund të ketë marrëdhënie e takime miqësore mes dy vendesh në gjendje lufte!

7. Gjykoj se Rama duhet goditur për mungesë serioziteti dhe luhatje të qëllimshme në trajtimin e një çështjeje që këtë radhë e trajtoi ndryshe! Në 2016 Rama do të deklaronte se “s’ka kthim prapa për Çështjen Çame, dhe zgjidhja e saj është vetëm çështje kohe”… Madje për këtë qasje, jo vetëm do të potenconte ish-ministrin e tij, por do të sponsorizonte edhe “mikun e tij Hahn” që ai ta ngrinte këtë çështje në Bruksel… Duke shkaktuar reagimin e palës greke, por duke menduar se kjo ishte rruga e duhur për të fituar pikë brenda vendit por edhe tek miqtë e tij, armiq të palës greke. Kurse dje heshti, duke mos thënë as ato që kishte thënë me zë të lartë më parë, ndërkohë që pranë zyrës së tij zhvillohej një protestë! Thënë më shkoqur për shqiptarët e ndërkombëtarët: Rama për interesat e pushtetit të tij personal, është gati të hiqet herë si nacionalist i flaktë, por i pabesueshëm dhe herë të kthehet në lëpirës të neveritshëm qoftë edhe me heshtjen e tij atipike… Dhe kështu t’i ngulë thikën pas shpine kujtdo!

8. Të gjithë ata që janë kundër acarimit të marrëdhënieve të fqinjësisë, madje që kërkojnë avancimin e shëndetshëm dhe të ndershëm të marrëdhënieve me fqinjin jugor, anëtar i NATO dhe i BE, e i ndërlidhur fuqimisht me urat e minoritetit e të emigrantëve, e cilësojnë të gjithë këtë dinamikë marrëdhëniesh, herë agresive anti-greke e herë lëpirëse, diletante e infantile. Duke kujtuar ndërkohë se marrëdhëniet me jashtë s’mund të jenë çështje batutash apo lojëra fjalësh; aq më pak të një marketingu me atlete, poture apo kollare.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp22/10/2020 15:02

Shiko Profesor se nga përthyet kurora e pemës.Po u përthye nga lindja ,era fryn nga perëndimi. Edi Rama kryeson OSBE dhe ky nder ju bë Shqipërisë pas nënëshkrimit nga R.Alia ndoshta nga viti 1987 antarësimin në OSBE. E djathta përmbylli futjen në NATO ,e majta nën E.Ramën do përmbyll integrimin e vëndit në BE dhe jo vetëm. E.R i takon nderi që guxoi ta ngrinte çështjen e Heqjes së Ligjit të Luftës , ta negocionte me palën Greke dhe me faktor me peshë vendimarrëse në punët e 'koklavitura'. Sa për ato marrëveshjet e miqësisë SHqipëri - Greqi , unë mendoj se nuk janë të mjaftushme dhe as ju shërbejnë të dy shteteve. Politikanëve në të dy anët po. Për 'Detin' vendosin GJ.K, dhe Parlamenti, Nuk kemi pse nxitohemi por edhe në këtë drejtim E.R u tregua në lartësinë e duhur. Ruajti ekuilibrat duke i kthjelluar të gjithë. "Poshtë në det ,ka të hamë të gjithë". Ne nuk jemi 'violinë e parë' në çështjet me peshë në marëdhëniet ndërkombëtare por E.R e njeh polifoninë dhe iso di të bëj.

Shto koment

Denonco