Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi në seancë plenare

Lufta e Veliajt për kryesimin e opozitës të pas 25 prillit

Lufta e Veliajt për kryesimin e opozitës të pas 25 prillit

Nga Gentian Gaba - 10/10/2020

Nuk mund të ketë një ilustrim më të përshtatshëm për bilancin negativ të mazhorancës aktuale, sesa sfilata e ‘mesovipave’ me të cilët Veliaj po shëtit në fillim të kësaj fushate të gjatë zgjedhore.

Aktorë, gaztorë, këngëtarë, në vjeshtën e karrierës së tyre, që shfaqen për të mbushur boshllëkun politik, ekonomik dhe moral të Rilindjes, e cila përpiqet të gjejë te fytyrat e tyre tituj lajmesh me të cilat të përcillet pseudo-ngjarja: Takim i Asamblesë së PS-së në Zall Bastar.

Takime që bujarisht transmetohen në mediat kombëtare, sepse siç thoshin romakët, jo gjyshja e kryeministrit, pecunia non olet (paraja nuk mban erë); në të cilat nuk gjendet asnjë dromcë programore, por vetëm sokëllimat e Veliaj kundër kundërshtarëve politikë.

Mesa duket kjo do të jetë edhe detyra e vetme e kreut të Tiranës në këto zgjedhje, ajo e ‘qenit të sulmit’. Një rol që ka ditur ta çojë përherë në oktavën më të lartë. Andaj, me të njëjtin zell dhe paturpësi me të cilën hartonte mesazhet mbi Griseldën e Kavajës, i është turrur me sulme politike kreut të opozitës. Duke marrë mbrapsht dy padi për shpifje nga Selia Blu.

Megjithatë, është e qartë se fermani i ardhur nga Surreli, që po detyron atë të çojë përpara mëditjen me romuze, nuk është e vetmja arsye që po e shtyn të shkëlqejë në poshtërsinë e tij. Duke përfituar nga mundësitë që i ofron kjo fushatë, Veliaj duket më i vendosur për ta përdorur këtë vakancë nga punët e Bashkisë, për të konsoliduar rolin e tij në Partinë Socialiste.

Pra, jo vetëm një tribunë për të farkëtuar imazhin e një politikani kombëtar, por një trampolinë për t’u hedhur drejt një të ardhmeje pa Ramën. Qartazi, Basha është për atë një armik artificial, një objektiv që i është caktuar për këto zgjedhje, ndërsa Rama përbën një armik natyral, si pengues i ambicieve që tashmë Veliaj nuk i fsheh më.

Sigurisht, humbja e zgjedhjeve do t’i pamundësonte fishekzjarret mediatike të deritanishme, duke tharë burimin me të cilin është financuar ngjitja e shpejtë politike, lejet e ndërtimit. Sidoqoftë, 3.5 milionë metra katrorë me të cilat i ka marrë frymën Tiranës, bash me pastrimin e të paktën 1.6 miliardë eurove të ardhura nga burime informale, përbëjnë një rezervuar nga i cili mund të synojë fronin e PS.

Dhe për të arritur këtë, nuk i mjafton përballja me Bashën, por i duhet me patjetër disfata e Ramës. Pasi një mandat i tretë i liderit aktual të PS-së, do t’i kthente ambiciet e Veliaj në një listë dëshirash, tërësisht të varura nga humori i një kryeministri të plotfuqishëm në PS që, në fund të rrugëtimit të tij politik, me shumë gjasa do t’i dorëzohet adaxhios së vjetër ‘pas meje, qameti’.
Në këtë rast, Veliajt nuk do t’i mbetej gjë tjetër për të trashëguar, veçse nofka ‘lavatriçja e pastrimit të parave’, një parti politike e konsumuar nga një keqqeverisje galopante dhe kusuri publik i punëve të pista që ka kryer me dhe për Ramën. Andaj, sikurse edhe ai e di, shtegu për të ardhmen e tij në krye të PS-së kalon nga fitorja e ‘armikut të armikut’ të tij.

Për këtë arsye, daljet e tij të përditshme, nuk janë vetëm zbatimi i një detyre elektorale, por përpjekja e ethshme që, të hënën e 26 prillit, të jetë kandidati kryesor për drejtimin e opozitës. Nuk ëshë sekret fakti që tashmë Veliaj gëzon mbeshtetjen e një fraksioni të madh ‘anti-Rama’ në radhët e socialistëve, midis të cilëve spikasin Xhafaj dhe Majko.

As fakti që tashmë ai ka ndërtuar enturazhin e tij brenda PS-së, të përbërë nga besnikët e MJAFT-it dhe G99-ës, të pasuruar nga lidhjet klienteliste me botën e medias dhe biznesit. Një bashkësi ideale kombinimesh, të cilat ndjekin në mënyrë besnike hapat e hedhura vite më parë nga dorëzani i tij në PS. Madje, aq besnike është ndjekja e manualit, saqe në stilin e njohur të Rilindjes, mund të kuptohet qysh në këto momente, se cili do të jetë kandidati i Veliaj për ministrin ‘hije’ të bujqësisë në opozitën e re Socialiste…

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Skrapari12/10/2020 13:24

Krasastp. Me vjen keq por une E.V nuk e kam fare ne liste. Eshte nivel i ulet. Ndihem i ofenduar ti ze emrin ne goje jo me te diskutoj per te, katunaret po mund te meren me te.

krasasi tp11/10/2020 18:36

Pse or të uruar, çfarë keni me mua. S'kini ç'ti bëni 'gomarit' e i bini 'samarit'. Pse nuk ankoeni te moderatori që mos ti publikojë komentet. Para 5 minutash postova një koment ku besoja që vetëm 5 anëtar kryesie të PS do kandidohen për deputet. Para 4 minutash në një analizë të Artan Hoxhë-s bëra apel që partitë politike dhe kryesisht, Edi Rama mos të kandidojë për deputet të korruptuarët dhe dhe të lidhurit me fije të dyshimta. Për disa reagoi anëtarsia. Nuk presë të më paguajnë as kafen, lëre të komentoi me porosi e me pagesë. Unë jam kritik ndaj E.V dhe mesa duket, Ju jeni miqtë e tij. Unë nuk besoi se një rotacion pushteti në këto kushte, do sillte një zhvillim pozitiv.

Skrapari11/10/2020 17:33

Me ne fund krasastp nuk durove. E nxore koken duke hedhur balte mbi punen e shkelqyer qe PD po ben per hapjen e listave si parti. Ku e di ti se PD paska propozuar kandidate per deputet me lidhje te dyshimta? Na trego te pakten nje rast te na bindesh. Por ti nuk rri dot pa bere detyren qe te eshte ngarkuar nga kryeridhjerasi Edvin Taq Kellira. Je ne llogoren e tij. Mire ben per ate pune paguhesh, madje duhet te paguhesh mire. Nuk pres te replikosh me mua se per njerez si puna jote jo koherente ndjej neveri.

T.P.11/10/2020 12:44

Nuk e kuptoj se pse ka zgjedhur Tërmet Peçi i Tepelenës për të komentuar kaq dendur tek Syri.

krasasi tp10/10/2020 11:05

Kjo qënka shpresa e PD. Ramën ta 'vras' Velija,Majko, Xhafaj e 'compani',mandej PD të qeverisë me ta, kur të fitojë zgjedhjet e 39 Gushtit. Ndaj PD përfshin në lista për votim element me lidhje të dyshimta. Ndaj PD e padit Velinën vetëm për shpifje.

Shto koment

Denonco