Estrada e Veliajt si oferta elektorale e Rilindjes për shqiptarët

Estrada e Veliajt si oferta elektorale e Rilindjes për shqiptarët

Nga Vehap Kola - 08/10/2020

I ngarkuar nga Edi Rama për të drejtuar fushatën elektorale në Tiranë, Erion Veliaj nuk ka pritur gjatë por ka filluar menjëherë me spektaklin vjellandjellës të mashtrimit dhe joshjes së njerëzve me lugën bosh. Me imponimin e tij të tepruar ai është duke dëshmuar këto ditë pikërisht anën e tij më të spikatur: aftësinë e tij për të korruptuar pa asnjë skrupull këdo dhe çfarëdo me qëllimin e vetëm që njerëzit të mos e gjykojnë për veprat por të argëtohen prej tij.

Kjo nuk është hera e parë që Erion Veliaj me shqisën e tij ndotëse përçan qytetin dhe ndan njerëzit në të mirë dhe të ligj, sipas kutit të tij djallëzor. Ai veproi njësoj edhe tek Teatri Kombëtar, kur korruptoi pjesën më të madhe të aktorëve dhe mbolli armiqësi e përçarje në një komunitet që duhej të shërbentë për të kundërtën. Ai ndau artistët në të mirë dhe të vërtetë, që mikloheshin me paratë, pushtetin dhe ofertat e tij, dhe të ligj, që nuk pranonin shembjen dhe zhdukjen e trashëgimisë kulturore në favor të një masivi kullash prej betoni.

Në kushtet kur reputacioni i tij është në derexhenë më të keqe që mund të ketë imagjinuar çdo politikan lokal, Veliaj është duke u munduar të përfitojë pikë përmes marketingut të influencer-ave. Dhe si për të shfaqur banalitetin dhe vulgaritetin që përfaqëson, ai ka zgjedhur një estradë tallava çingijesh e gaztorësh, që për kulm të veprave të tyre në jetë kanë performancën në skenë. Sa për interesin publik dhe çështje që prekin çdo ditë jetët e njerëzve, kjo estradë është tërësisht e pavetëdijshme dhe e painteresuar.

Jo vetëm kaq, por të pasuruar përmes industrisë së ahengut vulgar, ata jetojnë tërësisht të shkëputur nga qyteti dhe qytetarët, në vila të shtrenjta në Kodrën e Diellit, në Rolling Hills apo në rezidenca të tjera elitare, vozisin makina luksoze drejt aeroportit, hoteleve dhe restoranteve të rezervuara për parellinjtë. Ata pushojnë në plazhe të dedikuara në ishujt më ekzotikë të planetit, hipin në jahtet më finë dhe shijojnë pjata të shtrenjta e verëra dhjetëra vjeçare.

Ndërsa qytetari mesatar i Tiranës pi ujë nga rubineti apo merr dy tre autobusë për të mbushur ujë Selite me bidona plastikë në ish-Uzinën e Autotraktorëve apo Lanabregas, qejflinjtë e Veliajt të veshur kërcitshëm me rroba firmato pinë ujë importi në shishe qelqi. Ata s’e njohin dyzimin e tiranasit të zakonshëm ndërmjet mollës dhe mandarinës si frut i ditës për fëmijët. Ata preferojnë frutat e shtrenjta ekzotike dhe frutat e egra të pyllit të pasura me vitamina dhe anti-oksidantë, që të detoksikojnë, forcojnë imunitetin dhe mbajnë lëkurën të re.

Ata njohin Tiranën e pistës së ndriçuar të vrapit tek Liqeni, të pishinave dhe shezlonëve të ndarë për elitën. Për ta, djersa e tiranasit në autobusët e stërmbushur që zvarriten si kortezh funerali nëpër rrugët e paralizuara të Tiranës është një rrëfenjë gjyshërish. Kjo tufë ahengxhinjsh pa pikëpamje që me aheng fitojnë para dhe jetojnë një jetë tërësisht të shkëputur nga njerëzit e thjeshtë nuk duhen ngatërruar as me artistin, as me të qytetëruarin.

Ajri i çeliktë i Tiranës dhe reja e veshtulleme e pluhurit që i ha mushkëritë qytetit si shqiponja mëlçinë e Prometeut është për këtë orkestër një barsaletë portokallie e denjë për t’u treguar sa herë ulemi të tallemi me Lulin dhe PD-në. Tek e fundit Luli dhe PD-ja nuk u kanë ofruar asgjë atyre dhe nëse nuk ofron mundësi protagonizmi për ta, ti thjesht nuk ekziston. Vlera e njerezve dhe komuniteteve matet me favoret dhe joshjet për egon e tyre të sëmurë.

Bashkia televizive e Erion Veliajt ka gjetur kështu rrugën më të çlirët për t’u thënë tiranasve se ajo nuk ka ç’u ofron atyre dhe as nuk i ka në listë për t’u shërbyer. Ajo është një klub privat i Erion Veliajt ku ai ngashënjen me para, ndere dhe dhurata këdo që në këmbim i huan një ditë a një natë nga fama e tij/saj vulgare. Pas kaq vitesh që shijojnë favoret dhe llastimet e tij me paratë e taksave dhe hapësirën publike, është koha që ata t’u binden ishareteve të ringmasterit të tyre në arenën e cirkut të Rilindjes. 

Në thelb, ata kanë harruar se ç’do të thotë të jesh njeri i zakonshëm, e mbi të gjitha njeri normal, dhe kanë humbur kontaktin me qytetin dhe komunitetet reale të Tiranës. Shfaqjet e tyre të mbipopulluara me salltanete dhe gjuhë vjershërore nuk kanë asnjë lidhje me vuajtjet dhe kërkesat e shumicës dërrmuese të banorëve të këtij qyteti. Mbi të gjitha, ata nuk mund ta kuptojnë se për shqiptarët e varfëruar dhe të plaçkitur, spektakli në politikë është një gjë e dënueshme dhe e papranueshme. 

Shqiptarët, në Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë, Elbasan, Vlorë etj, nuk kanë nevojë as kureshtje për të parë se sa e duan Erion Velinë disa shakaxhinj, spikerë apo këngëtarë të pasur, aq më tepër kur këta i bashkohen atij për të hapur dengun e rrenave të përdorura. Por, me sa duket nuk kanë as nge të dëgjojnë nga e para një shirit të zhubrosur premtimesh të dala boje.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp09/10/2020 16:33

Guxove dhe u shprehe keq për Velinën. Klasifikimi juaj do jetë një tregues se sa klanet brënda PD influencojnë dhe dominojnë L.B. Se nuk ka budalla që nuk e di, që partitë influencojnë te votuesit, nëpërmjet krerëve të strukturave në bazë. Mirë i bëhet PD që ju të jeni në listë. Mirë ju bëhet qytetarëve, që ju të jeni deputet.

Shto koment

Denonco