A ka zgjedhur FMN tashmë një partner tjetër?

A ka zgjedhur FMN tashmë një partner tjetër?

Nga Dritan Shano - 29/09/2020

Fondi Monetar Ndërkombëtar - Fondi - lëshoi dje një deklaratë në përfundim të Misionit të Parë Pas-Program me Shqipërinë.

Edhe pse Fondi mendon se mundësitë që Shqipëria t’i kthejë huanë që Fondi na ka dhënë ekzistojnë, rreziqet që këto mundësi të zvogëlohen janë rritur mjaft së fundmi, sidomos për shkak të rritjes së defiçitit buxhetor, borxhit publik dhe kredive të këqija. Për këtë FMN është e shqetësuar.

Fondi mendon se rënia ekonomike në 2020 do të jetë rreth 7.5%, defiçiti buxhetor do të jetë 7% e PBB dhe se borxhi publik do jetë mbi 80% e GDP. Por, po të marrësh parasysh edhe pagesat e prapambetura dhe faturat e bollshme të gjyqeve të humbura në Gjykatat Ndërkombëtare për shkak të dhunës dhe arrogancës qeveritare ndaj individëve dhe kompanive private, borxhi publik i Shqipërisë shkon pa zhurmë dhe pa protestë tek 100% e PBB për vitin 2020.

Në 4 faqe deklaratë të Fondit fjala “transparencë” përmendet 6 herë!

Kjo i referohet:

1) Disa herë për sistemin aktual të taksave jo transparent dhe aspak nxitës të rritjes ekonomike;

 2) Shpenzimeve aspak transparente për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti;

3) Mbështetjes jo transparente dhe selektive të dhënë nga qeveria gjatë pandemisë;

4) Procedurave të prokurimit të parasë publike, sidomos përmes PPP-ve. Pra,

Fondi mendon se qeveria shqiptare ka mungese të theksuar transparence. Dhe përgjegjshmërie.

Fondi identifikon si burime të rritjes ekonomike në Shqipëri turizmin dhe remitancat. Nuk përmend ndërtimin edhe pse në dy vitet e fundit janë dhënë mijëra leje ndërtimi, dhe presupozohet që aktiviteti i rindërtimit pas tërmetit të kishte dhënë ndonjë efekt pozitiv në ekonomi. Ky aktivitet ose nuk ka dhënë efektet e pritura, ose nuk ka ndodhur ende.

Fondi i kërkon qeverisë që të sigurojë burime financiare për sa i përket shëndetësisë, mbrojtjes sociale dhe arsimit duke hequr dorë nga shpenzime jo prioritare. Si për shembull Milot – Fier, apo jo? Qeleshet dhe lojërat mos u nxeh apo jo? BMW e ministrisë së rendit? Pagesat e inceneratorëve...

Fondi nxjerr në pah që shpenzimet e qeverisë nuk kanë cilësi, nuk janë prioritare, nuk janë të planifikuara dhe vlerësuara mirë, pra janë “kuturu” dhe në favor të të preferuarve të qeverisë dhe jo ekonomisë së shqiptarëve.

Të dy komponenet e Menaxhimit të Financave publike – të ardhurat dhe shpenzimet – janë dobësuar aq shumë sa nevojitet një rishikim urgjent i tyre!

Fondi i kërkon qeverisë që të heqë dorë nga Aministia Fiskale dhe Korporata e Investimeve. Mbartin risqe të pastrimit të parave. Janë shumë të rrezikshme për ekonominë shqiptare! Nuk është vonë!

Fondi evidenton se qeveria ka dëmtuar ekonominë dhe biznesin, dhe ka përkeqësuar klimën e biznesit duke krijuar detyrime të prapambetura. Pikërisht ato detyrime të prapambetura që ishin kali i betejës së saj elektorale në 2013. Apo detyrimet e të tjerëve janë të këqija, këto tonat jo?

Ndryshe nga optimizmi i Guvernatorit të BSH i shprehur në 1 korrik 2020 për shëndetin e sistemit bankar, Fondi ngre shqetësimin për shpërthimin e kredive të këqija.

Më shumë se një shqetësim është një konfirmim i çfarë ka ndodhur përgjatë këtij viti. Rritja e Kredive të këqija shpresoj të mos përkthehet në rritje të tjera të komisioneve mbi transaksionet bankare, kosto të cilën bankat e transferojnë në kurriz të klientëve duke ruajtur fitimin e tyre të paprekur.

Mbikëqyr, mbikëqyr!

Në fund dua të vërej se Fondi pa asnjë ekuivok bën me dije se sistemi i taksave i krijuar nga kjo qeveri është: një sistem taksash kompleks, i fragmentuar, jo stabël dhe jo transparent.

Fondi vëren se Shqipëria, dhe rritja e saj ekonomike ka nevojë për: një sistem më të ndershëm, më të thjeshtë, më efiçent dhe më transparent, që të përmirësojë klimën e investimeve, ulë informalitetin dhe rrisë të ardhurat. Ekzakt si propozimi dhe vullneti i Partisë Demokratike me taksën e sheshtë 9%.

Më këtë qëndrim ndaj sistemit aktual të taksave që Rilindja krijoi në 8 vjet, duket sikur Fondi, në mos e ka zgjedhur, dëshiron të ketë përballë një partner të ri.

Ndoshta do ishte mirë që edhe Strategjinë Afatmesme të Taksave mos nxitonte ta miratonte, por të priste dhe pak muaj derisa shqiptarët t’i ulin përballë një partner cilësor e të besueshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Daj Jaku29/09/2020 12:20

Partnerët në Shqipëri nuk i zgjedh FMN, ato i përcakton Edvin Rama me djemtë problematikë.

Shto koment

Denonco