Hipokrizia e madhe e progresistëve

Hipokrizia e madhe e progresistëve

Nga Klodian Tomorri - 28/09/2020

Në të njëjtën ditë, që qeveria dhe ekspertët e saj nisën të sulmonin planin e opozitës për taksën e sheshtë duke e quajtur atë si dhuratë për oligarkët, në Portin e Sarandës mbërriti për turizëm fiskal jahti më i madh në botë. I zotëruar nga një miliarder rus me emrin Andrey Melnincheko, jahti u furnizua me 840 mijë litra karburant të çliruar tërësisht nga taksat. Për krahasim, nëse një grup fermerësh shqiptarë blejnë të njëjtën sasi karburanti, atëherë qeveria u merr 840 mijë dollarë taksa.

Historia e karburantit të jahteve është vetëm një pikë e vogël uji në oqeanin gjigand të hipokrizisë progresiste. Në Shqipëri, nëse je miliarder dhe ble një jaht 10 milionë euro, paguan zero lekë tatim mbi vlerën e shtuar. Por nëse je i varfër dhe ble një makinë 3 mijë euro, duhet të paguash 600 euro TVSH. Nëse fiton 10 milionë euro nga hoteli luksoz me 5 yje, paguan zero lekë tatim fitimi. Por nëse merr një page 500 euro, paguan 13 për qind tatim mbi të ardhurat. Nëse ble një shtëpi modeste për t’u strehuar paguan 8 për qind të çmimit si taksë ndikimi në infrastrukturë, por nëse ble vilën e e dytë dhe të tretë në resortet ekzotike të bregdetit, atëherë paguan zero taksë infrastrukture sepse shitësi yt quhet investitor strategjik.

Të gjithë shembujt e mësipërm nuk kanë lidhje me taksimin e të ardhurave dhe jo pa qëllim, por për të ilustruar nje tjetër hipokrizi të madhe. Në Shqipëri, zhurma e taksimit progresiv është shumë herë më e madhe se sa vetë taksimi progresiv.

Shqipëria mbledh mesatarisht 460 miliardë lekë ose 3,7 miliardë euro çdo vit në buxhetin e shtetit nga taksat, tatimet dhe burimet e tjera financiare. Nga këto vetëm 180 milionë euro ose më pak se 4.7 për qind e totalit vijnë direkt nga taksimi progresiv, që janë të ardhurat nga pagat. Pra zëri i vetëm që Shqipëria takson në mënyrë progresive janë rrogat. Pjesa tjetër, prej 95 për qind e të ardhurave ne buxhet burojnë nga taksimi uniform. Këto janë tatimi mbi fitimin e bizneseve, taksat mbi konsumin dhe taksimi i të ardhurave të tjera përtej pagës. Të gjitha këto janë taksa të sheshta, që taksojnë njësoj si miliarderët ashtu dhe të varfrit. Për ta thënë me qartë; ky nuk është një sistem progresiv taksimi. Ky është taksim i sheshtë me një çiban progresiv në mes, që është taksa mbi rrogat. Dhe është aq qesharak sa që prodhon situata komike.

Imagjinoni vetëm një rast. Një biznes, i cili fiton 10 milionë euro në vit paguan 15 për qind tatim mbi fitimin. Një biznes tjetër, i cili fiton 100 mijë euro ose 100 herë më pak se i pari, paguan po të njëjtin tatim, pra 15 për qind. Për idhtarët e taksës progresive të qeverisë kjo është tërësisht normale. Por nëse një rrogëtar, i cili paguhet 15 mijë euro në vit paguan të njëjtën normë tatimi me një tjetër rrogëtar që merr 5 mijë euro në vit, atëherë, sipas qeverisë, ky është sistem që favorizon oligarkët. Ky është budalliku progresiv i Shqipërisë së Rilindur.

Debati mbi sistemin e taksimit në thelb ka të bëjë me rishpërndarjen. Kjo është një çështje nga e cila ekonomistët duhet të qëndrojnë larg. Në fund, vendimi nëse një shoqëri duhet të rishpërndajë më shumë pasuri ose jo, i takon vetë shoqërisë. Ekonomistët duhet vetëm të debatojnë mënyrat se si pasuria mund të rishpërndahet më drejtë dhe me sa më pak pasoja negative për ekonominë. Dhe taksa progresive mbi rrogat nuk është njëra prej tyre. Të paktën, jo në këtë formë që ka Shqipëria sot.

Një taksë e sheshtë, që mbyll të gjitha privilegjet dhe përjashtimet fiskale do të ishte shumë herë më efektive se sa taksimi progresiv i rrogave për të luftuar pabarazinë. Pastaj, nëse shoqëria shqiptare mendon se ka nevojë për më shumë rishpërndarje, atëherë ndoshta rruga duhet të ishte taksimi i pasurisë. Por kjo është punë për të majtën e vërtetë. Jo p137r progresistët e shtirur të Rilindjes.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco