Vendimet e Ramës po rrënojnë sistemin tatimor

Vendimet e Ramës po rrënojnë sistemin tatimor

Nga Klodian Tomorri - 25/09/2020

Një senegalez, brazilian apo kinez vjen të luajë futboll në Shqipëri dhe paguhet 5 mijë euro në muaj. Ai nuk do të paguajë asnjë lek tatim mbi të ardhurat në dy vitet e ardhshme.

Një pastruese pastron tre shtëpi dhe paguhet nga 100 euro secila. Qeveria ja mbledh të tre pagesat dhe mbi shumën finale i ngarkon shkallaren progresive.

Ky është shteti progresist dhe i ndershëm i së majtës.

Historia e përjashtimeve tatimore në Shqipëri nisi me ardhjen në pushtet të së majtës. Fillimisht me shëndetësinë dhe arsimin. Më vonë u shtri në media, ndërtim, turizëm dhe gjithandej. Kudo, ku kishte grupe interesi afër qeverisë.

Tani përjashtimet kanë shkuar aq larg sa që sistemi tatimor i vendit ka degjeneruar në një mekanizëm pervers dhe të pandershëm. Në sektorë të tërë të ekonomisë, taksimi ka marrë natyrë të pastër regresive, pra qeveria takson më shumë të varfrit se të pasurit.

Problemi me përjashtimet tatimore është se ato janë si infeksionet. Sapo i hap rrugë të parës, zgjon oreksin e të gjithë grupeve të interesit. Kërkesat e Federatës dhe klubeve të futbollit janë çmenduria e radhës. Mjafton vetëm një fakt për ta ilustruar. Qeveria shqiptare mbledh 350 milionë dollarë në vit nga tatim fitimi.

Klubet e futbollit dhe Federata me kërkesat e tyre duan të privatizojnë 70 milionë dollarë, pra 20 për qind të të ardhurave që buxheti mbledh nga tatim fitimi. Ata janë duke kërkuar as më shumë dhe as me pak privatizimin e buxhetit.

Milano ka qenë kryeqyteti botëror i futbollit për dekada të tera duke patur dy nga klubet më të fuqishme në Europë, Milanin dhe Interin. Berlusconi, ish-pronari i Milanit ka qenë kryeministri i Italisë për shumë vjet.

Por në Itali, gjysma e rrogës se futbollistit i shkon shtetit si taksa dhe për asnjë moment, as Berlusconi, as Agnelli dhe as Moratti nuk guxuan të kërkonin përjashtime fiskale.

Duan klubet shqiptare se i inkurajon sjellja e kryeministrit. Por çështja është shumë e thjeshtë. Pa futboll jetohet. Pa para për të mbështetur spitalet, shkollat dhe të varfrit nuk jetohet dot.

Shqipërisë i duhet një qeveri, e cila t’u japë fund të gjitha përjashtimeve tatimore dhe të ndërtojë një sistem tatimor, i cili i fton të gjithë qytetarët dhe bizneset që të kontribuojnë  sipas pjesës së ndershme që u takon në arkën publike.

Sistemi aktual ka degjeneruar dhe është bërë i pandershëm, joeficent dhe korruptiv.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco