Si duhet ta lexojmë ‘shuplakën’ gjermane për Edi Ramën

Si duhet ta lexojmë ‘shuplakën’ gjermane për Edi Ramën

Nga Enton Palushi - 18/09/2020

Gjermanët i preferojnë shumë salçiçet. Aq shumë sa kanë një shprehje të urtë që lidhet me to. “Gjithçka e ka një fund, vetëm salçiçja ka dy,” thonë gjermanët, duke iu referuar dy anëve të saj.

Teksa po i afrohet fundit të tij politik, kryeministri Edi Rama u nis drejt Gjermanisë, duke e shitur në median pranë tij këtë vizitë herë si një përpjekje për të zgjidhur krizën e madhe të Bjellorusisë, dhe herë si një vizitë për të takuar kancelaren gjermane, Angela Merkel për nisjen e negociatave.

Në fund, si gjithmonë, ishin mediat e huaja që na i zbardhën detajet. Dojçe Vele shkruan se Rama paska shkuar në Gjermani për të lobuar për nisjen e negociatave, por nuk e paska pritur askush. As Merkel dhe as drejtuesit e CDU/CSU. Në fund ‘kontrabandoi’ një lajm që thoshte se Rama do bënte një telefonatë me Merkel, a thua se u desh të shkonte në Gjermani për këtë gjë.

Të shkosh në Gjermani për të lobuar, kur të kanë vendosur përpara një listë me kushte, të miratuara nga Bundestagu gjerman, do të thotë se je së paku budalla. Por Rama e bën këtë gjë për konsum në Shqipëri, sepse e di shumë mirë se asnjë gjerman nuk e pret kur nuk ka plotësuar asnjë kusht për të nisur negociatat. Aq më tepër kur kushti i parë ishte në dukje më i thjeshti: miratoni një reformë zgjedhore konsensuale.

***

Në Shqipëri ndodhin plot gjëra që të bëjnë të ndjehesh keq. Por kur shihje karvanin me mijëra shqiptarë teksa prisnin për ditë të tëra në kulmin e vapës që të futeshin në Greqi, të këputej shpirti. Ishte një krizë humanitare që solli edhe sakrifikimin e një vogëlushi, teksa kryeministri vazhdonte pushimet dhe tek-tuk e lëshonte ndonjë mesazh në FB për qytetarët që vuanin.

Edhe kriza erdhi drejt fundit, por ajo që të shqetësonte më shumë është fakti se pas saj, shumë njerëz nisën të mallkojnë ‘politikën 30-vjeçare’ që i ka katandisur në këtë gjendje.

Ndoshta njeriu që gëzohet më shumë se kushdo kur dëgjon se po mallkohet politika 30-vjeçare, është Edi Rama vetë. Sepse e di që politika nuk është njësoj.

Më shumë se një dekadë më parë, falë politikës, shqiptarët nisën të lëvizin me dinjitet lirshëm nëpër Europë, pa u rropatur nëpër ambasada, por duke u mjaftuar me një pasaportë biometrike. Një dekadë më pas, jo vetëm që kjo arritje është kërcënuar, por Shqipëria nuk ka bërë asnjë hap përpara drejt integrimit. Sepse nëse ka një gjë që duhet ta dini, ajo është se sa më shumë përparon integrimi, aq më shumë do trajtohemi me dinjitet nga të huajt.

Sigurisht nuk është e lehtë që të presësh që qytetarët të revoltohen kur vidhen zgjedhjet, kur cenohet liria e medias, kur shtohet korrupsioni, pasi ndoshta nuk e dinë se mungesa e përparimit drejt BE-së ka edhe pasoja në jetën e tyre. Atë e tregoi qartë Kakavija.

***

Erisa Zykaj, korrespondentja e njohur e Brukselit, duke folur përpara disa ditësh për Adi Krastën në SYRI TV, tha se në Bruksel duan patjetër rotacion politik në Shqipëri. Vetëm kjo është një mënyrë për të çuar përpara integrimin në vend dhe për të çliruar ekonominë.

Kurse analisti gjerman, Norbert Mappes-Niediek shkruan për Deutschlandfunk se Edi Rama po i bën keq vendit. ‘Sipas vëzhguesve perëndimorë, kryeministri Edi Rama po zgjeron fuqinë e tij më shumë sesa është mirë për vendin,’ shkruan ai.

Vërtet Brukseli është i avashtë dhe njihet për gjuhën e ngurtë, por refuzimi i Edi Ramës në Berlin është qartazi një sinjal për votuesin shqiptar.

Vendit i duhet një rotacion për të çuar gjërat përpara. Koha e ka provuar se vetëm zgjedhjet që prodhojnë ndryshimin mund të sjellin përparim drejt integrimit. Të gjithë ata që kuptojnë nga kjo fushë e dinë se marrja e statusit kandidat nga Shqipëria ishte një koncesion për rotacionin politik.

Sepse duket qartë se Edi Rama jo vetëm nuk ka ndërmend të plotësojë kushtet gjermane, por i ka bërë zgjedhjet e ardhshme pis që tani. Dhe gjermanët nuk po pranojnë as reformën zgjedhore, jo më të pranojnë zgjedhje të bëra pis.

***

Zgjedhjet ‘pis’ nuk do të thotë që nuk prodhojnë rotacion. Madje mund të prodhojnë edhe rezultate spektakolare dhe fitore të thella. Ndaj ky mesazh gjerman ishte më shumë për shqiptarët. Për të çliruar vendin dhe integrimin. Dhe për ta dërguar Ramën drejt fundit ashtu siç e meriton: të bërë ‘pis’. Mos harroni se gjithçka e ka një fund. Përveç ‘wurst’-it.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco