Ka Rama Karma

Ka Rama Karma

Nga Vehap Kola - 02/09/2020

Po sikur Rama - pasi të mos fitojë dot zgjedhjet me gjithë mafian, paratë e drogës dhe manipulimet - të kthehet e të manipulojë zgjedhjet në PS? Kush do të mund ta kontestonte rezultatin?

Ngjarjet do të zhvilloheshin pak a shumë kështu:

Erion Veliaj i merr borxh Edi Ramës fjalët që ai i tha Fatos Nanos në vitin 2005: nëse kryetari i partisë kandidon për t’u rizgjedhur, askush nuk mund ta rrëzojë. Por, Rama nuk është Nano. Ai i futet “garës”, ndërsa Veliaj nuk ka guxim të hyjë, por i quan zgjedhjet VOTIME. Ju kujton gjë kjo?

Sekretari për çështjet zgjedhore, Damian Gjiknuri ka rrjedhur për gazetën BILD përgjime bisedash dhe screenshots të komunikimeve të Ramës me kriminelë në whatsapp, ku ish-kryeministri i pyet ata nëse është arritur objektivi. Tërmet Peçi i përgjigjet i pari Ramës në grupin e krijuar enkas për fushatën brenda partisë.

Vërejtje të ashpra për fjalorin e rëndë të përdorur në komunikimin mes Ramës dhe banditëve vijnë varg nga Saimir Tahiri, Damian Gjiknuri dhe Pjerin Ndreu. Një furgon çunash problematikë rrinë hazër pas Pallatit të Kongreseve ku po zhvillohet votimi sipas parimit një pallat një votë.

Gjushi është parë të dizinfektojë duart në hyrje të konsullatës në ambasadën amerikane, pasi kishte konsumuar një akullore në atë vapë qershori. Arsyeja që e ka çuar Gjushin në dyert e ambasadës është një kërcënim që ai ka marrë nga Avdylajt për të mos dalë në fushatë dhe për të mos marrë pjesë në votim. Nuk dihet nëse kërkesa e tij për azil do të pranohet, por thuhet se ai është pajisur me pasaportë të re dy muaj më parë.

Ilir Beqja akuzon Vilma Nushin, ndërsa Arben Ahmetaj Klodian Mërtirin se kanë ndërhyrë në punët e brendshme të partisë dhe kanë financuar blerjen e votave dhe korruptimin e komisionerëve. Taulant Balla publikon një mesazh nga një doganier dixhital që bën me dije se disa miliona euro të fshehura në disa automjete TOYOTA AURIS (jo YARIS) pritet të hyjnë në portin e Durrësit dy ditë përpara zgjedhjeve. Anonim, të lutem!

Pandeli Majko nuk ka marrë dot pjesë në fushatë pasi periudha e fushatës për zgjedhjen e kryetarit përkoi me kohën kur ai po bënte dhëmbet dhe nuk qeshte dot. Ditmiri ka nisur një lëvizje të largimit nga partia të fëmijëve të ish-Bllokut. Lëvizjes së tij i janë bashkuar edhe të përndjekurit e Bllokut të udhëhequr nga Belinda Balluku.

E vetmja që e mbron Ramën nga kritikat është Elisa Spiropali. Të gjitha akuzave për manipulim, frikësim, përdorim të mafias dhe blerje masive të votave ajo u përgjigjet me formulën e njohur: JANË BËRË EDHE FILMA!

* * *

Të gjithë njohim disa socialistë që mallkojnë Ramën dhe Veliajn sa herë ulen tek kafja e lagjes. Nuk po themi se ata nuk do ta votojnë Partinë Socialiste, sepse Partia është mëmë e vjetër që ia gjen anën çdo të pakënaquri. Por edhe nëse e votojnë, do ta bëjnë me hundë mbyllur. Të flasësh për mungesën e entuziazmit është punë e panevojshme.

Për këtë derexhe ku ka rënë mbështetja e Ramës mes socialistëve, më i vetëdijshmi është vetë Rama, sponsori i të gjithë sondazheve që bëhen sot në Shqipëri. Prandaj, dje ai me një gur mori në shenjë dy zogj:

(1) problemin e socialistëve që nuk e votojnë, por edhe atë që e tremb më shumë:

(2) rivalitetin dhe sabotimin nga figura të pakënaqura apo rivale si Veliaj, Xhafa apo Tahiri.

Lufta e Ramës është me veten, në fakt. Ai e ndjen se ajo që mund ta rrëzojë Ramën është vetë tradita e tij anti-demokratike që riktheu në PS, njësoj siç e mbolli në Shqipëri.

Në vitin 2017, ai mblodhi kongresin e PS-së për të marrë vendimin për të mos bërë zgjedhje për pozitën e kryetarit. Sepse, sipas tij, fitorja e zgjedhjeve ishte njokohësisht edhe fitore brenda partisë. Tani socialistët e irrituar, të neveritur dhe të rebeluar ndaj tij kanë një mundësi të artë për ta rrëzuar nga karrigia e kryetarit: ta rrëzojnë nga karrigia e kryeministrit duke votuar opozitën ose duke mos dalë në zgjedhje. Me humbjen e pushtetit, socialistët kanë të drejtë ta përjashtojnë nga gara.

E kush është më shumë i interesuar për këtë skenar se sa sfidanti i tij Erion Veliaj?

* * *

Por vetë socialistët janë në të njëjtën grackë. Ata janë vetë të dënuar të vuajnë fatin që shkruan për shqiptarët kur u bashkuan në një aleancë qelbësirash me vrasës, përdhunues, trafikantë droge dhe prostitucioni e zhigolo party-sh për ngritje fondesh për të ardhur në pushtet. Jo vetëm kaq, por ata hëngrën në tre palë zgjedhje çorbën e prishur të manipulimit masiv, kërcënimit dhe përdjekjes së votuesve të opozitës. Ata iu gëzuan fitoreve të rreme, mjaft që logo e mavijosur e partisë së tyre të valëvitej triumfuese.

Po nëse Rama zgjedh të mos largohet nga PS pas humbjes së pritshme në pranverë? Nëse ai dështon të kthejë përmbys rezultatin e zgjedhjeve për shkak se njerëzit e votojnë masivisht kundër, ndërkombëtarët shtrëngojnë mbikqyrjen dhe opozita është paraqitur me një program dhe ekip bindës për shqiptarët, në PS ai është në gjendje të bëjë ç’të dojë.

Të ndarë ndërmjet Ramës në krye të Partisë dhe Veliajt në krye të Bashkisë, socialistët ndoshta për herë të parë në këto 30 vite do të duhet të ndahen në dy parti të cilat do të drejtohen nga dy krerët e sektit Rilindje.

© SYRI.net

Lexo edhe

Tags

Komentet

xiku04/09/2020 22:26

Ka Rama kerma duhet titulli i shkrimit

Shto koment

Denonco