Kur nuk ke kuptuar asgjë nga shëndetësia

Kur nuk ke kuptuar asgjë nga shëndetësia

Nga Erion Dasho - 29/08/2020

Nuk është më sekret! Sistemi shëndetësor shqiptar sot ka numrin më të ulët të mjekëve për banor në Europë dhe çdo përpjekje për reformimin e tij duhet ta nisë punën nga ndalja e hemorragjisë së bluzave të bardha.

Javën që lamë pas politika u ofroi mjekëve karamelen e radhës: rritjen e pagave. Jo sot, kur përballen me COVID duke vendosur jetën në rrezik, por mot para zgjedhjeve të radhës, atëherë kur paret mund të konvertohen në vota me një kurs më të lartë këmbimi.

Duke bërë pagat e bluzave të bardha kalin e betejës së ardhme elektorale në fushën e shëndetësisë, politika tregon se nuk ka një ide të qartë për reformën e kujdesit shëndetësor.

Mjekët dhe infermierët nuk po e braktisin Shqipërinë për shkak të pagave. shumë prej atyre që ikin, kanë patur të ardhura më të larta në shqipëri se sa në vendet ku kanë emigruar.

Mjekët largohen pasi ata shohin se sistemi shëndetësor shqiptar nuk ofron as edhe kushtet më minimale për të ushtruar profesionin në përputhje me praktikat e mira ndërkombëtare.

Së pari, mungon një vizion dhe plan strategjik që të japë shpresë duke treguar se si do të dilet nga humnera aktuale për t’ju afruar sadopak qoftë edhe sistemeve shëndetësore të vendeve fqinje. Duke qënë se asnjë nga qeveritë e 30 viteve të fundit nuk e ka patur prioritet sistemin shëndetësor, nuk ka patur edhe nevojë të artikulohej një vizion i tillë.

Së dyti, vitet e fundit kanë bërë pjesë të “sofrës” oligarkët të cilët po mjelin çdo qindarkë të mjeksisë nëpërmjet PPP-ve, centralizimit të tenderave dhe marrëveshjeve okulte. PPP-zimi (pipipizimi) i laboratorëve ka krijuar precedentin më të rrezikshëm për shkatërrimin e sistemit shëndetësor publik. Fjalët që qarkullojnë për PPP-zimin e pritshëm të imazherisë do të ishin “colpo di grazia” për sistemin.

Së treti, infrastruktura e spitaleve dhe qendrave shëndetësore është e parikuperueshme. Sado të investohet në spitalet tona, ata nuk i përmbushin dot standartet që kërkon ofrimi i kujdesit shëndetësor bashkëkohor. Nevojitet një master plan rrënjësor për të zëvendësuar pothuajse 100% të infrastrukturës aktuale shëndetësore.

Së katërti, teknologjia e përdorur në spitalet tona është akoma e niveleve të shekullit të kaluar. Teknologji nuk është skaneri dhe rezonanca; janë edhe medikamentet që mungojnë në mënyrë kronike, njohuritë, protokollet, standartet dhe udhëzuesit. Sistemi shëndetësor shqiptar mund të jetë i vetmi në Europë që nuk i përdor ende këto të fundit duke vazhduar funksionimin “qesim” sipas gjykimit individual të gjithësecilit ofrues individual shërbimesh.

Së pesti, inovacioni dhe kërkimi shkencor në sektorin publik kanë vdekur. Numërohen me gishtat e dorës mjekët që botojnë në revista prestigjioze dhe bëhen pjesë e rrjeteve kërkimore ndërkombëtare.

Së gjashti, spitalet shqiptare janë të vetmit në Europë që nuk shfrytëzojnë teknologjinë e informacionit. Mjeku shqiptar që shkruan në kartelë letre ngjan më tepër me mjekun egjiptian që shkruante mbi papirus, se sa me mjekun europian që shkruan në kompjuter.

Së fundi, por ndoshta më e rëndësishmja, financimi i sistemit shëndetësor është ngërthyer në një hibrid të shëmtuar, as Bismarck dhe as Beveridge. Përpjekja e fundit për t’i dhënë sistemit ngjyrat e sistemit Beveridge (një aventurë që do të kishte rezultuar me pasoja të rënda) ishte në vitin 2013, kur forca politike që qeveris sot e premtoi diçka të tillë. Kësaj here për fat të mirë, ky premtim elektoral mbeti në letër dhe u harrua.

Për të gjithë arsyet e sipërpërmendura dhe shumë të tjera më pak të rëndësishme, politika duhet të lërë mënjanë lojërat me rritje pagash për mjekët dhe infermierët!

Në se politika e ka seriozisht reformimin e sistemit shëndetësor, ajo duhet të ndajë me publikun vizionin strategjik, duhet të hartojë një master plan zhvillimor (duke treguar edhe burimet financiare për zbatimin e tij) dhe duhet të ecë me vendosmëri në rrugën e reformës, e pandikuar nga oligarkët dhe biznesi okult.

Përndryshe shqiptarët rrezikojnë ta gjejnë veten jo më në bisht të europës, por në nivele afrikane.

Me ritmet që shohim sot, kjo kohë nuk ka për të qënë fort e largët...

© SYRI.net

Lexo edhe

Tags

Komentet

Shto koment

Denonco