U vetëvra apo e vrau ‘sekreti shtetëror’ i Ramës për COVID-19?!

U vetëvra apo e vrau ‘sekreti shtetëror’ i Ramës për COVID-19?!

Nga Syri.net - 13/08/2020

Një pacient, një djalë i ri 29-vjeçar, i cili ishte shtruar në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ pasi vuante nga koronavirusi, zgjodhi që në vend që të vazhdonte kurimin aty të hidhej nga kati tretë dhe të vdiste në vend.

Shumëkush; drejtuesit e spitalit, ministria e Shëndetësisë apo edhe vetë policia mund të thotë se njihet fenomeni i ‘depresionit të të sëmurit’ dhe me shumë gjasa do ta cilësojë këtë akt ekstrem, si një ‘vetëvrasje në kushte të rënduara psikologjike’.

Por të gjitha faktet dhe të dhënat e dala vetëm 24 orët e fundit, të çojnë në dyshimin se kemi të bëjmë me një ‘vrasje’ dhe madje të paralajmëruar.

“Në përgjigje të reagimit të Partisë Demokratike, Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” informon qytetarët se nuk mungon asnjë medikament apo trajtim për pacientët e shtruar që përdoret në protokollet e përcaktuara të mjekimit në spitalin tonë. Spitali Covid2 “Shefqet Ndroqi” ka marrë të gjitha masat e nevojshme për t’u kujdesur për të gjithë pacientët, me terapitë e plota të mjekimit. Në të njëjtën kohë ftojmë politikanët të na lejojnë të bëjmë punën tonë për t’u shërbyer pacientëve të prekur nga Covid19 ditë e natë, pa ndërprerje, me përkushtim dhe profesionalizëm”.

Kjo replikë e publikuar ditën e djeshme nuk është e ndonjë partie, as e kryeministrit Rama dhe as e ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila është përgjegjëse direkte për mungesën apo jo të medikamenteve dhe trajtimeve nëpër çdo spital në vend.

Deklarata e mësipërme është e drejtuesve të spitali COVID 2, ‘Shefqet Ndroqi’, si një përgjigje të publikimeve të disa fakteve dhe mesazheve nga brenda spitalit për gjendjen katastrofike aty, që bëri mjeku dhe ish-deputeti i PD, Bardh Spahia.

Menjëherë pas këtyre replikave, disa media zbarkuan me gazetarë dhe kamera pranë këtij spitali dhe dëshmitë që u mblodhën ishin tronditëse.

Familjarë që akuzonin se në spital mungonin jo vetëm medikamente, por edhe pajisje jetike për të shtruarit, siç janë pompat e oksigjenit.

Dy motra që kishin ardhur nga Franca, akuzonin se po ua vrisnin babanë aty brenda, si pasojë e kushteve skandaloze.

Një tjetër tregonte se kishte blerë vetë pompën e oksigjenit për 1500 euro, por nuk ishte i sigurt nëse përdorej për prindin e tij.

Dhe ndërkohë që jepte këtë intervistë, kamera kapi rastësisht mes grumbullit të familjarëve të dëshpëruar te sporteli i spitalit, një dorë që zgjaste një 5-mijëshe lekëshe të re.

Por për të gjitha këto e shumë denoncime të tjera të forta dhe dëshpëruese të familjarëve të të shtruarve në këtë spital, drejtuesit e tij nuk ‘denjuan’ që të shkruajnë ndonjë sqarim, siç bënë me shpejtësi kundër Partisë Demokratike.

Nuk reaguan dje, por edhe deri në këtë moment që po mbyllet ky shënim, pra mbi 5 orë pas ngjarjes së rëndë të pacientit të tyre që u hodh nga kati i tretë, nuk kemi asnjë fjalë, reagim dhe sqarim.

Pas ngjarjes së sotme, ka ardhur koha që epidemia e COVID-19 në vendin tonë të mos trajtohet më si një ‘sekret shtetëror’, siç po bën Edi Rama.

Të ‘hapen’ dyert e spitaleve sepse vetëm transparenca shpëton jo vetëm pacientët e shtruar, por mbi të gjitha bluzat e bardha që punojnë në kushte të vështira; të rrezikuar dhe nën presionin dhe depresionin e pacientëve dhe familjarëve, për kushte e medikamente që mungojnë për faj të atyre ‘lart’.

Të gjithë e dinë tashmë, se sistemi ynë i shëndetësisë nuk ishte i përgatitur (njësoj si emergjencat civile me tërmetet) për këtë situatë të koronavirusit, pasi ai vetëm është grabitur fort gjatë këtyre 8 viteve. Por tashmë situata është aq e rëndë, sa propaganda e Ramës me spitalet dhe ‘shëndetësi falas’ mund edhe të vrasë njerëz më shumë se në kushte ‘normale’. Shqiptarët duhet të dinë të vërtetën, se çfarë ndodh në spitale dhe sa i aftë është sistemi ynë për të trajtuar të sëmurët nga koronavirusi. Në fund të fundit, që të marrin masat vetë, sepse bëhet fjalë për jetën e tyre që vjen vetëm njëherë dhe jo për pushtetin e vjelë mirë të Ramës dhe ‘Rilindjes’

Të dinë në fund të fundit se përse Erion Veliaj, siç deklaroi vetë dje, nuk u shtrua te ‘Shefqet Ndroqi’ për t’u kuruar, por mjekët e këtij spitali i shkonin në shtëpi.

Përse Veliaj, Vilma Nushi dhe shumë e shumë zyrtarë e familjarë të tyre, nuk preferojnë spitalet e Ramës?!

Ato, të cilat nuk i duroi dot 29-vjeçari, që vdiq duke u hedhur nga dritarja e dhomës!

Për të ikur përgjithmonë nga çfarë?!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

mungesa e transparences13/08/2020 17:45

Vetlvrasja e një djali të ri 29 vjeçar, që hidhet nga kati i tretë i spitalit ku është shtruar si i infektuar nga koronavirusi, është një ngjarje dy herë më e rëndë se çdo humbje jete nga ky virus. Mjafton të përmendim faktin se njeriu kalon në kët veprim ekstrem, vetëm kur nuk sheh asnjë shpresë për jetën e tij.
Paturpësisht, në vënd që ky i ri të llogaritej si viktimë e koronaviruasit, ashtu siç është bërë edhe për raste të tjera, shoh se nuk përmendet në numurin e sotshëm të viktimave.
Ja ta temë se ai, duke qenë pozitiv për virusin, kishte edhe probleme të rënda psiqike.
Normalisht duke qenë në ate spital, përkujdesja për te duhej të ishte dyfish më e madhe meqë ai paskej pasur edhe "depresionin".
Kaq e vështirë paska qenë që ai të vizitohej edhe nga një psikiatër e të ruhej nga personeli spitalor ?
Përse të polemizojnë mjekët e këtij spitali me "opozitën", e të mos bëjnë një raport profesional traamsparent të gjëndjes së këtij djali kur është shtruar në spital ?
A nuk kanë brerje ndërgjegje ai personel mjeksor që e ka pasur në përkujdesje, e nuk ka qenë i aftë ta evitonte veprimin e tij spo të paktën të skjaronte shkaqet e kësaj tragjedie ?

Lina13/08/2020 12:12

As kryeministri nuk i preferon spitalet e vendit te vet. Gruaja i lindi ne nje spital te huaj. vete u kurua ne nje spital te huaj. Sa per sy e faqe nje kryeminster nisur nga posti qe ka duhet te conte gruan ne nje spital shqiptar, le te merrte mjek te huaj per lindjen..Kjo tregon se ai as qe pyet per opinionin apo etiken e nje pushtetari. E thote hapur nuk kam besim ke spitalet e vendit tim. Te hapin rruget per te semuret. Kete te bejne. Lerini njerezit te shpetojne jeten e tyre. Ky i riu kishte mundesi te shkonte per kurim jashte. Lerini te shkretet te zgjidhin vete hallet e tyre se shteti nuk ia zgjidh.

Shto koment

Denonco