Situata e COVID-19 vijon të tatepjetën – shtim i rasteve të konfirmuara, i spitalizimeve, i rasteve të rënda dhe në intubim, i vdekjeve gjithashtu.
Në shkrimin “Pa timon e frena në dishezë”, më 17 qershor, një javë përpara përfundimit zyrtar të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, shtjellova një formulë fare të thjeshtë mbi numrin e pritshëm të rasteve me COVID-19 në periudhat e ardhshme e që është në përpjestim të drejtë me numrin e këtyre rasteve në periudhën pararendëse e me intensitetin e kontakteve njerëzore si dhe në përpjestim të zhdrejtë me kujdesin e treguar në këto kontakte apo me shkallën e distancimit social e të higjienës.
Deri në atë moment, më 17 qershor, mesatarja ditore (e shtatë ditëve më të fundit) e rasteve të reja me COVID-19 ishte 54 vetë, e spitalizimeve 50 vetë, e rasteve të rënda 8 vetë, e të intubuarve 1 vetë, ndersa vdekjet për këto shtatë ditë ishin 4 vetë gjithsej.
Sipas raportimit të sotëm, 12 gusht, mesatarja ditore (e shtatë ditëve më të fundit) e rasteve të reja me COVID-19 është 133 vetë, e spitalizimeve 119, e rasteve të rënda 19 vetë, e të intubuarve 4 vetë, ndërsa vdekjet për këto shtatë ditët e fundit, janë 26 vetë gjithsej.
Ecuria e treguesve në këto 56 ditë, qe nga 17 qershori, apo 49 ditë (7 javë) që nga 23 qershori, flet për vijim të fazës së rritjes me natyrë eksponenciale të treguesve të përhapjes së virusit dhe të efekteve të tij në shkallë të këtillë që aktualisht na rradhit ndër vendet më problematike në kontinentin europian – jo më kot na kanë izoluar nga udhëtimet verore turistike – e, për më tepër, nuk duket kërrkund pika e kthesës, përkundrazi, me shumë shumë gjasa do vijojë përkeqësimi në gusht, shtator e më tej.
Në fakt, s’ka se si të ndodhë ndryshe, ndërsa numri pararendës i individeve me COVID-19 rritet, intensiteti i kontakteve dhe veprimtarive njerëzore rritet, ndërsa sjellja, qoftë ajo shoqërore e qoftë ajo shtetërore duket se vijon të jetë e shkujdesur.
Ndërsa shkujdesja shoqërore vihet re kudo përreth, ajo shtetërore është më e kamufluar dhe mbulohet me propagandëe, por gjithsesi, shprehet qartë te vijimi me kokëfortësi i numrit të vogel të testeve në vlerë absolute dhe i uljes së tyre në vlerë relative.
Kështu, ndërsa në shtatë ditët pararendëse të 17 qershorit u kryen mesatarisht 320 teste në ditë, në shtatë ditët më të fundit u kryen mesatarisht 559 teste në dite, një rritje me vetëm 74%, ndërkohë që numri i rasteve të reja ditore (mesatare e shtatë diteve) me COVID-19, 54 kundrejt 133 vetë, shënon një rritje prej 146%, apo dyfish në raport me testet, ndërsa duhej të ishte e kunderta - testet të rriteshin të pakten më dyfishin e rasteve.
Për pasoje, shkalla jone e njohjes mbi shtrirjen dhe thellësinë e sëmundjes është shumë e kufizuar e me shumë të panjohura, gjë që shkakon konfuzion shoqëror e shtetëror. Krahas mungesës, kufizimi, me apo pa qëllim, i informacionit të dhënë në vend që të ndihmojë në përmirësimin e sjelljes së shoqërisë bën të kundërtën.
Kështu, të hënën e parë të gushtit, me datë 3, monotonia e përditshme e raportimit medietik të Ministrisë së Shëndetësisë për situaten e COVID-19, konferencë shtypi pa pyetje e pa përgjigje, u thye nga një shprehje e re, futur në raportim, fill pas informacionit për rastet e reja të konfirmuara me COVID-19 dhe rastet e spitalizimit: “…Ndërkohë, pergjatë javëve të fundit e në vijim kemi një shtim të pacientëve të dyshuar me Covid-19, të cilët po marrin trajtim në dy spitalet Covid….”
Thuajse çdo ditë, në ditet në vijim, e gjejmë këtë thënie në forma të këtilla si “…Një punë e madhe po bëhet në dy spitalet Covid, ku përveç pacientëve të konfirmuar pozitivë me Covid19, po vijojnë të marrin trajtim edhe pacientë të dyshuar, të cilët po trajtohen sipas protokolleve përkatëse…” apo më e fundit në datën 12 gusht: “….Në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi”, përveç pacientëve të konfirmuar pozitivë me Covid19, vijon të ketë rritje të numrit të pacientëve të dyshuar të prekur nga virusi i rrezikshëm, të cilët po trajtohen sipas protokolleve përkatëse….”
Pra, ndërsa në javët e fundit e në vijim, krahas shtimit të rasteve të konfirmuara me COVID-19 paskeshim pasur edhe shtim të rasteve të dyshuara me COVID-19, të spitalizuara gjithashtu, raporti ditor i ministrisë nuk jep asnjë të dhënë numerike të këtyre rasteve të dyshuara gjithsej; as të rasteve ditore; as sa prej këtyre nga dyshimi kalojnë në konfirmim; as sa prej këtyre janë rëndë a shumë rëndë; as nëse kemi prej këtyre rasteve të dyshuara raste vdekjeje e si janë raportuar këto vdekje; as se si shpjegohet që këto raste të dyshuara nuk janë kapur nga sistemi i testeve; as si kanë përfunduar në spital dhe as ç’pjesë të kapacitetit spitalor zënë këto raste të dyshuara kundrejt atyre të konfirmuara. Asgjë.
Të gjitha këto pyetje e të tjera kërkojne përgjigje nga autoritetet shtetërore shëndetësore. Me shifra e fakte, jo me shprehje minimizuese të problemit e triumfuese mbi armikun: atë të padukshmin, SARS-COV-2; atë të dukshmin, Opozita.
Përgjigjet ndihmojnë mirëkuptimin e situatës, evitojnë debate të nxehta se sa vetë janë të shtruar në dy spitalet COVID apo a është tejkaluar a jo kapaciteti i tyre, pakësojnë rrezikun e panikut të një pjese të shoqërisë a të flejemendjes së pjesës tjetër.
© SYRI.net