Do të ringremë ekonominë e njerëzve me qartësi kirurgjikale

Do të ringremë ekonominë e njerëzve me qartësi kirurgjikale

Nga Florjon Mima - 10/08/2020

Në 8 vite çoroditje, kaos, rrëmuje e gjullurdi totale për ekonominë reale, ekonominë që mban e ushqen shqiptarët dhe prodhon të mirat për arkën e përbashkët dhe … në të njëjtën kohë, qartësi e precizion kirurgjikal, trajtim princëror, plot favore e privilegje për veten e miqtë.

Në fillim rrisin çmimin e energjisë për popullin, pastaj me radhë të gjitha taksat e tatimet, ndalojnë fermerët të shesin majdanoz e rigon pa kasë; dhunojnë të mjerët që rrëmojnë për kanaçe në plehra; akuzojnë paraardhësit, pa një dokument, për gropë në financat publike dhe marrin ca qindra milionë euro borxhe; prezantojnë gjoba qindra-milionëshe për moslëshim kuponi; rrisin kontributet, por as nuk indeksojnë e jo më të rrisin pensionet; heqin TVSH për biznesin e vogël me arsyetimin se do luftojë informalitetin, më pas e vendosin me arsyetimin se do luftojë informalitetin, por pastaj… e heqin prapë me arsyetimin se do luftojë informalitetin; marrin prapë qindra milionë euro borxhe; rrisin tatim-fitimin, por ulin atë mbi dividentin; vendosin taksë qarkullimi shtesë në çmimin e naftës, por pastaj e kuptojnë që shtesa ka nevojë edhe për një shtesë tjetër që vendi të dalë numri një në botë për çmimin më të shtrenjtë të karburanteve; ulin çmimin e blerjes së energjisë nga prodhuesit e vegjël, por pastaj bëhen pishman që e ulën aq pak dhe e ulin përsëri; investitorëve të huaj u thyejnë këmbët me shkop bejsbolli dhe dalin në të njëjtën ditë e ftojnë të tjerë të investojnë në vendin e mundësive të mëdha, sigurisht, për t’i përzënë përsëri e për t’i dëmshpërblyer me qindra milionë euro nga arka e përbashket; kërkojnë të prishin teatrin e ta ndërtojnë me koncesion me arsyetimin se buxheti nuk ka para, por pastaj vendosin ta shembin e ta ndërtojnë vetë, me arsyetimin se kanë para; marrin përsëri miliarda euro borxhe për tërmetin e pandeminë, por prodhojnë vetëm zhgarravina 3D teksa ekonomia e vendit po jep shpirt në kthetrat e krizës…

Në anën tjetër, për veten e miqtë ulin çmimin e energjisë, ulin taksat e tatimet e për disa i heqin fare, paratë e buxhetit bëhen ose koncensione e PPP, ose rilindje pllakash urbane, ose rrugë me 20 milionë euro/km, ose autostrada blu ku 50 km kushtojnë 1,2 miliardë euro; për vete e miqtë ka edhe amnisti fiskale, ka edhe legalizim drogërash, për popullin ka rritje të borxhit për t’u mbartur në shpinë, por edhe duar të stërzgjatura të shtetit që hyjnë thellë e më thellë në xhepat e njerëzve.

Si dilet nga kjo mynxyrë, ku edhe kaosi dhe çoroditja, duken si nxënës inoçentë përpara kësaj rrumpallhane qeveritare? Me një qeverisje normale, shërbëtore të njerëzve. Me një qeveri që del nga zgjedhjet e njerëzve dhe jo që paracaktohet nga çunat problematike.

Ky është parakushti, të tjerat kanë nevojë për llërë të përveshura dhe për të kundërtën e asaj që ka ndodhur në këta 8 vjet: qartësi kirurgjikale për të sjellë ekonominë e njerëzve të thjeshtë në binarë, duke lënë gjullurdinë rrumpallhanë të pleqërojë në dreqninë e vet, sigurisht, atje ku populli t’ia caktojë vendin e dreqnimit!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

alibaba11/08/2020 05:29

Shume kritila te drejta por vetem dy rreshta per strategjine qe do ndiqet per te dale nga kriza

altini10/08/2020 16:45

Tek mendja jote e kthjellet dhe e ndritur shpresoj o Flor Mima. Ti duhet te jesh Ministri i Financave ne qeverine e ardhshme. E mos e le Lulin t'ja mbysi rroma pertoma se pak difektoz me arithmetiken ai.

Skrapari10/08/2020 14:50

Profesor i nderuar, me fjaline e fundit te shkrimit Tuaj nuk jam dakord. Keta plehra te japin llogari deri ne nje. Tu sekuestrohet cdo gje e paligjshme, pastaj le te pleqerojne ne burgje, ku dhe driten e diellit te mos e shohin me. Athere ky popull e kam fjalen per ate pjese te popullit qe kupton ceshte jeta dhe demokracia te jetojne si njerez. Nga kjo do te perfitoje edhe ajo pjese e popullit kafshe qe kenaqet qe Edvin Kellira me shpuren e tij pasurohet. Le ta jetojne dhe ata jeten megjithese kot jetojne se nuk kuptojne asgje nga kjo bote.

Koment10/08/2020 13:18

kesaj here per hajer.

Shto koment

Denonco