Sandër Lleshi, Hero i Punës Socialiste

Sandër Lleshi, Hero i Punës Socialiste

Nga Alfred Lela - 09/08/2020

Politologu Max Weber thotë në një prej librave të vet se, edhe shfaqja e ‘profetëve politikë’ shkon sipas parimit kërkesë-ofertë: ka nevojë për ta, pa lindin. Profetët, ata të rrejshmit, krijohen prej distopive dhe krijojnë distopi (shoqëri ose rend i imagjinuar). Këtë përshtypje të krijonte një status në Facebook të premten i ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshi.

Ai e fillonte me një mënyrë të pandershme krahasimi duke vënë përballë shifrat e aksidenteve të gjysmës së parë të 2019 me ato të 2020. Them të pandershme për të mos thënë idiote, por i takon zotërisë që të zgjedhë mes firaunit dhe gomarit, por shpresoj te e para.

Nuk mund të krahasohen shifrat e aksidenteve të të dy viteve, për arsye se 2020, që ka hyrë e nuk ka dalë ende, është i përshkuar nga pandemia globale, që do të thotë nga karantina të njëpasnjëshme, nga gjendje emergjence, nga bllokime kombëtare e ndërkombëtare. Mjafton të kujtosh se shqiptarët nuk mund të udhëtojnë në asnjë vend në Europë, hiq Turqinë. Po ashtu Shqipëria është në ‘listën e kuqe’, që ua bën të vështirë europianëve e të tjerëve të udhëtojnë drejt vendit tonë. Edhe dy trafiqet më të mëdha të rrugëve tona, emigrantët dhe kosovarët, janë pjesërisht të kushtëzuar nga kjo bllokadë e përgjithshme.

Një element të pashmangshëm përbën pamundësimi i lëvizjes për gati dy muaj në rrugët e Shqipërisë. Të krahasosh marsin dhe prillin e këtij viti me atë të 2019 dhe të nxjerrësh rezultate aksidentesh dhe ulje vdekshmërie, më shumë se idiotësi dhe dhelpëri, është … .

Por, zotin ministër nuk ka prift që e ndal: që nga Egjipti i lashtë e deri në Firence. Për shkak se ai ka hequr dorë nga dogmat e logjikës dhe të fesë për t’iu bindur Rilindjes socialiste. Nga një njeri i disiplinës, moralit dhe kodeve ushtarake ai është shndërruar në vartës të një ideologjie mashtrimi.

Shfaqet kjo, e plotë si hëna mbi një mal në Mirditën e tij, te një tjetër piruetë në statusin e së premtes. Ku ai premtonte zerim të vdekshmërisë në aksidente deri në vitin 2050. Përveçse është një profeci mashtruese më shumë se platforma e një dinjitari shtetëror, ky pretendim shfaq një reminishencë dhe një rrezik.

Reminishenca është te punonjësit e ndërmarrjeve socialiste përgjatë diktaturës të cilët shpallnin, në vitin 1980 p.sh., se e kishin realizuar planin për atë vit dhe, me ritmin që kishin po punonin për vitin 2010. Këta, dhe të tjerë me arritje të ngjashme, ose që vdisnin duke u munduar për të jetësuar këto projeksione, shpalleshin nga regjimi Heronj të Punës Socialiste. Mund të gjesh ende gjallë nëpër Shqipëri ‘heronj’ të tillë, nga lavdia e të cilëve ka mbetur vetëm teneqeja e një dekorate dhe shëmtia e iluzionit të ‘ndërtimit të socializmit me forcat tona’.

Ndërsa reminishenca është më shumë një argëtim antropologjik, çka e bën të rrezikshme lleshlogjikën është pikërisht ‘profecia’ e saj. Përfundimi se ne qeverisemi nga burra dhe gra që janë shkëputur nga e përditshmja e vendit të tyre dhe jetojnë realitete paralele. Ata udhëhiqen nga efektet dhe ngjyrat, jo nga kuptimi dhe logjika; zgjohen në mëngjes të armatosur me pompë grimasash të cilën e shfryjnë në Facebook e Twitter, dhe jo me merakun e lashtë të përmirësimit të Shqipërisë dhe jetës së bashkëkombasve; ata mjaullijnë projeksionin e fjalëve të veta te Lideri Maksimal, në vend që të projektojnë të mirën individuale dhe kolektive te aktiviteti i përditshëm; ata e shohin veten, jo si shërbestarë të publikut dhe shtetit, por si bimbashë postesh.

Kjo ju lejon që, në vend të programeve zhvilluese, të bëjnë profeci mpirëse.

Zoti ministër: Ka vetëm një mënyrë për ta ulur në zero vdekshmërinë nga aksidentet. Të kthehemi në kohën e ‘heronjve të punës socialiste’, prej nga ju e keni marrë hua logjikën dhe esprit-në e gjërave. Në një Shqipëri që ende nuk është ngopur me konsumin, dhe ende është vend në zhvillim, kjo parabolë foshnjarake ju fut në borxh me detyrën që okuponi dhe me ata që qeverisni./Politiko.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Leli10/08/2020 14:56

Buzekuqja sandra!

Nvcfg10/08/2020 08:47

12 milion euro vjedhje nga tenderi uniformave, rregullo shenjestren lel

Skrapari09/08/2020 23:28

I nderuar Lela! Pse keni harxhuar kohen kot per ti mbushur mendjen nje idioti qe nuk kupton asgje nga realiteti. Ndoshta kapter leshi shkon me logjiken qe deri ne 2050 do te hiqen makinat nga qarkullimi dhe levizja do te realizohet me gomeret e fshatit te kapter leshit. Pastaj i nderuar Lela niveli i kapter leshit le shume per te desheruar dhe ai pothuajse nuk kupton asgje nga cthuhet ne kete dynja. Kam marre vesh qe ka blere rreth 350 mije leke libra te Kadarese. Kujton ditziu se po ti kesh ne shtepi librat mjafton edhe te mos i lexosh behesh i ditur. Minister si ky me vjen mire ta them por edhe Hekri qendronte me lart. Ku do shkoje ky mavri pasi ripjerdhja te shkoje ne te semes. Ai ka pune me cdo protestues qe ka helmuar me gazin helmues perfshire dhe mua. Nuk mund tja fal ne jete te jeteve.

Ridhjeresi09/08/2020 18:49

Tha pra ky - " e pranova detyren vetem se ma kerkoi Edi Rama"!

Shto koment

Denonco