Lajmi i fundit

LIVE/ Grupi i dialogut në komisionin e ligjeve, deklaratë për mediat

Edi Rama, i vetëm në shtëpi

Edi Rama, i vetëm në shtëpi

Nga Gentian Gaba - 16/07/2020

Edi Rama është kryearkitekti i listave të mbyllura. I duheshin për të vendosur nën hyqëm një parti që nuk udhëhiqte dot. I ka mbrojtur ato me fanatizëm, derisa 5 qershori krijoi një moment të ri politik. Ky i fundit nuk erdhi si pasojë e zemërgjerësisë së Ramës ndaj opozitës, dhe nuk ishte vetëm një çast në të cilën u gjet ‘paqja’ politike midis palëve.

Ishte shumë herë më shumë se kaq. Me pranimin e ‘Këshillit Politik’ si dhe me pranimin e produktit të tij, 5 qershorin, mazhoranca miratoi pozicionimin e saj si pala që kishte shkaktuar konfliktin, duke marrë kësisoj, në sytë e vendorëve dhe të huajve, përgjegjësitë për dosjet 184 dhe 339.

Ndonëse në konferencat e stërzgjatura për shtyp të këtyre ditëve po përiqet ta pikturojë veten si lëshuesi i madh, Edi Rama nuk ka dhënë, por çdo gjë i është hequr.

Nëse mazhoranca do të ishte e qashtër në të shkuarën e saj zgjedhore, do të kishte forcën morale për të kundërshtuar çdo zgjidhje ‘sui generis’. Por skeletet që dolën nga dollapi i gazetës Bild e nxorrën mazhorancën nga Parlamenti, për ta ulur tek Këshilli Politik.

Aty ku opozita mori shumçka kishte kërkuar, dhe mbetet në pritje të dy kushteve të rëndësishme të Bundestagut dhe Bashkimit Europian, sikurse janë hetimi dhe ndëshkimi i krimit zgjedhor dhe shqyrtimi i ligjshmërisë së zgjedhjeve të 30 qershorit.

Pamundësia e Ramës për të prodhuar një alibi për Dibrën dhe Durrësin, bashkë me mungesën e reflektimit kundruall përzgjedhjes së vazhdueshme të individëve me rekorde kriminale, edhe pas miratimit të ligjit të ‘Dekriminalizimit’, e detyroi atë të ishte vetëm një nënshkrues i thjesht i 5 qershorit.

Nën këtë hyqëm, me zgjedhjet që afrojnë dhe llogaritë që nuk i dalin, Edi Rama po përpiqet të sabotojë marrëveshjen me shpresën se në këtë mënyrë mund t’i krijojë shance të reja vetes në zgjedhjet e ardhshme.

Për ta bërë këtë zgjodhi të bëjë të tijën, njëkohësisht duke e bërë pis, kauzën për listat e hapura. Andaj futi në një turravrap deputetët e tij, të cilët vetëm në dy javë prodhuan ndryshime kushtetuese në formë digjitale. Sigurisht këto arnime të pjesshme, 1/3 e listave, vendet e pëllumbave, mbeten të mbyllura, që për qëllim kryesor nuk kishin ndryshimin e sistemit por ndalimin e koalicioneve.

Sikurse thotë edhe shprehja, “Djalli nisi të citojë Biblën për interesat e veta”, dhe nga mbyllësi i listave, në një natë vere, Rama u kthye në ithtarin më të madh të listave të hapura. Dhe falë fuqisë mediatike që pushteti i siguron, nëpërmjet vuvuzelave në ekrane dhe portale, po përpiqet të kornizojë debatin publik në mënyrë të tillë që mazhoranca të duket prijëse e ndryshimit, ndërsa opozita si bllokuese e tij.

Anipse kjo është një lojë e vjetër, që dikur i dilte mbarë, është mëse e kuptueshme se, pas një katastrofe 7 vjeçare shumë dimensionale, listat e hapura janë një gjethe fiku mbas të cilave ai kërkon të fshehë frikën e tij zgjedhore.

Ngase debati për sistemin është një nga më themelorët për një demokraci, dhe nuk mund të çohet përpara nga një mazhorancë që sipas raportit më të fundit të Freedom House është kthyer në varrmihëse të saj, që për më tepër gëzon një epërsi negociuese fiktive në Parlament, për shkak të votave të rrëmbyera në bashkëpunim me krimin, nuk mund të kryehet si pasojë e frikës nga proceset zgjedhore dhe as si një hile për t’i shpëtuar gjykimit të votës së lirë.

Sidoqoftë manovrën e Ramës nuk e ka lexuar lehtë vetëm opozita, por edhe ndërkombëtarët. Reagimi Zv.kryetarit të Grupit të CDU-CSU, e trandi pasditen politike që pasoi votimin e ndryshimeve në komisionin parlamentar, i ndjekur një ditë më pas nga hezitimi i pafshehur nga kreu i diplomacisë gjermane për të ardhmen e negociatave dhe duke shkëputur përfundimisht fatin e Shqipërisë nga ai i Maqedonisë.

Qëndrime që na kujtojnë edhe njëherë se hëna e mjaltit e të huajve me Ramën ka perënduar prej kohësh, e për pasojë ai vetë është shndërruar në hënën e keqe për të ardhmen tonë europiane. Një kosto e papërballueshme për një vend të vogël, i cili çdo ditë humb një mundësi përparimi sa herë që Edi Rama vendos mbijetesën e tij politike përpara interesit publik.

Qartësisht një fanepsje pas pushtetit që është tipike e xhinsit me të cilin janë gatuar autokratët, dhe që në rastin e kryeministrit të këtushëm po përzihet me frikën që nxit vetmia. Sepse pa aleatë dhe pa mbështetje ndërkombëtare, ngjason me personazhin e filmit që shoqëron mbrëmjet e ndërrimit të viteve, ‘I vetëm në shtëpi’.

Një vetmi që ka kultivuar me keqqeverisjen e tij. E cila do të përkthehet në izolim ndërkombëtar të Shqipërisë, që do të zgjasë derisa të kuptohet se e ardhmja e një vendi është më e rëndësishme se frika e një njeriu nga e ardhmja e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

cak16/07/2020 13:30

Veçanërisht e paturpëshme është gënjeshtra e tij e trashë se medemek ai paskej qenë qejflli i madh që komisionet e votimeve të ishin jo të politizuara, dhe i bëri një lëshim të madh opozitës që ato të kontrolloheshin nga komisionerë partiakë.
Mund tja shesë këtë gënjeshtër të trashë ndonjë qytetari amerikan që as e di se ku bie Shqipëria, por si institucionet e BE, ashtu edhe DASH , edhe të gjithë shqiptarët e dijnë se sa të pa politizuara janë administratat e Shqipërisë të kontrolluara tërësisht nga Rama.
Për cilën administratë të pa politizuar e ka fjalënRamëziu, për mjekët e Manastrliut, policët e Lleshit apo mësuesit e Shahinit Apo janë të pa politizuara administratat e pushtetit lokal me Tërmete e Kajmakë ?
Po vërtetë që mirë do të ishte që votimet të komtrolloheshin jo nga partitë por nga administratat e pa politizuara., ama sëpari duhej të dilte para drejtësisë Rama që ju bënte thirrje policëve që të hedhin tej uniformën e të votojnë për PS e sot të ishin pas hekurave të burgut nja njëzet copë si puna e Gjushit, Tahirit, Manjës , Gjiknurit etj që me zë e figurë janë demaskuar se kanë shkelur ligjet për votimet dhe i kanë miratuar vetë këto ligje.jo vetëm nga mediat shqiptare, por edhe nga mediat më të mëdha të botës.

Shto koment

Denonco