Lajmi i fundit

LIVE/ PD, aktivitet për 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

Rama ngulmoi për gjithçka dhe i humbi të gjitha

Rama ngulmoi për gjithçka dhe i humbi të gjitha

Nga Vehap Kola - 15/07/2020

Propaganda që Edi Rama kishte ngritur prej shtatë vitesh si grackë për shqiptarët dhe ndërkombëtarët, po shndërrohet së fundmi në gropën ku po bie ai vetë.

Si demi i bronxtë i tiranit të Siçilisë antike, Falarisit, propaganda e Edi Ramës ishte projektuar për të torturuar pandalur viktimat e saj në një zjarr të ngadaltë. Me qëllim që klithjet e të gjorëve të mos arrijnë veshët e tiranit dhe të shkaktojnë terror në zemrën e tij, Perilosi e kishte pajisur demin e bronxtë me një aparat akustik që konvertonte ulërimat e të torturuarve në pëllitjen familjare të një demi.

Edi Rama ka gënjyer dhe mashtruar aq shumë me propagandën e tij, saqë ai ka humbur siç duket çdo kontakt me të vërtetën. Më qartë se kurdo e nxjerr në pah këtë gjë guximi i tij për të dalë hapur përballë ShBA-ve dhe BE-së me teza kryekëput totalitare, antidemokratike.

Në fillim të qershorit ai mohonte që Europa t’i kishte vënë kushte për të thirrur tryezën e parë ndërqeveritare BE-Shqipëri për hapjen e negociatave. Për të rrëzuar këtë gënjeshtër të tij, u desh që Parlamenti Europian të miratonte, për herë të parë në historinë e zgjerimit, një rezolutë ku përmendeshin 15 kushte për t’u përmbushur përpara thirrjes së tryezës së parë ndërqeveritare.

Pasi palët politike ranë dakord me 5 qershor për reformën elektorale, kryeministri nxori ata që janë ulur në vendet e opozitës në Parlament për t’i vënë kushte ShBA-ve dhe BE-së për reformën elektorale. Kushtet e çuditshme të një grupi njerëzish pa një parti politike të konsoliduar pas kërkonin të maskonin ndalimin me kushtetutë të koalicioneve parazgjedhore me tezën trendy të listave të hapura.

Edhe kjo gënjeshtër ra pasi nga radhët e atyre që janë ulur në vendet e opozitës në Parlament dolën 6 deputetë që ishin të gatshëm të votonin dakordësinë e 5 qershorit, duke krijuar kuorumin. Atëherë Rama i hoqi të gjithë maskat dhe vendosi ta mbrojë vetë projektin e tij të ndryshimit të kushtetutës për të penguar opozitën të bëjë koalicion parazgjedhor. Reagimi i zv.Kryetarit të Grupit të CDU-CSU në Bundestagun gjerman, Wadepuhl u dha fund trukeve të propagandës së regjimit në Tiranë. Disa nga tezat që propaganda qeveritare përtypte në mediat e oligarkisë janë:

1) Nuk ka ASNJË kusht për thirrjen e tryezës ndërqeveritare;

2) Dakordësia e 5 qershorit nuk është reformë e plotë, por reforma që kërkoi opozita e bashkuar. Pjesa tjetër e reformës do të vazhdojë në Parlament me Myslym Murrizin.

3) Ndryshimet kushtetuese që pengojnë koalicionet nuk prekin dakordësinë e 5 qershorit.

4) Hapja e listave e bën të pamundur krijimin e koalicioneve parazgjedhore.

Deklarata e Wadepuhl i thërrmoi të gjithë këto teza. Thelbi i deklaratës ishte ky: Bundestagu nuk do të miratojë hapjen e negociatave nëse (1) nuk miratohet marrëveshja e 5 qershorit e pandryshuar dhe (2) nëse bëhen ndryshime kushtetuese që e mitojnë këtë marrëveshje.

Pas këtij ligjërimi të drejtë, Rama ka vetëm dy rrugë:

1) Të sakrifikojë hapjen e negociatave dhe të fusë Shqipërinë në një kurs të hapur antiperëndimor;

2) Të tërhiqet nga ndryshimi i njëanshëm i Kushtetutës që pengon krijimin e koalicionit nga opozita.

Megjithatë, thelbi i zhvillimeve të fundit në raportet e ShBA-ve dhe BE-së me Shqipërinë dhe Edi Ramën nuk është rënia e njëpasnjëshme e maskave të propagandës së regjimit. Mbi të gjitha, deklaratat e ambasadores amerikane Yuri Kim në mbështetje të rrotacionit dhe kjo deklaratë e djeshme e Wadepuhl thërrmuan mitin e marrëdhënieve preferenciale të Ramës me ndërkombëtarët. Tani askush në Tiranë nuk thotë dot se Edi Rama ka mbështetjen e Uashingtonit dhe Berlinit. Sepse është krejt e kundërta: Edi Rama ka kundër Uashingtonin dhe Berlinin.

Sado joideale të tingëllojë që demokracia dhe fati europian i Shqipërisë nuk mbrohen dot në Tiranë, por përcaktohen në zyrat e Departamentit të Shtetit apo Bundestagut gjerman, fati ynë është ky që është. Dhe është më në fund një fat i mirë. Amerika dhe Europa nuk e lanë Edi Ramën të inaugurojë projektin e tij totalitarist të mbajtjes së pushtetit edhe për një mandat. Nëse kjo i ndodhi të përkëdhelurit të të gjithë lozhave dhe lobeve të fuqishme nëpër koridoret e rëndësishme të Uashingtonit dhe Brukselit, asnjë pushtetar sot e tutje nuk do të jetë i sigurt dhe komod në ëndrrën makbethiane të marrjes së pushtetit duke shkelur mbi parimet e demokracisë.

Sot shqiptarët kanë të drejtë të jenë shpresëmirë sepse maskat kanë rënë dhe palët janë krejt të qarta: Edi Rama dhe regjimi i tij karshi botës demokratike të Amerikës dhe Europës. Me rënien e fasadës perëndimore të Edi Ramës, janë prishur të gjitha kurthet propagandistike të regjimit dhe janë ndërprerë të gjithë kanalet fallso të komunikimit të tij me Perëndimin. Ramën e vrau vetë propaganda e tij.

Miti thotë se në vend që ta shpërblente për zbulimin, Falarisi urdhëroi që sistemi i bririt të testohej pikërisht me shpikësin e tij, Perilosin. I gënjyer se do të mjaftohej me dy-tre ulërima në barkun e krijesës së tij monstruoze, Perilosi qe i dënuar ta bindte tiranin me klithjet që i shkaktoi zjarri që u ndez vërtet.

Në rolin e tij të dyfishtë si projektues dhe përdorues i makinerisë më të sofistikuar të manipulimit që ka provuar Shqipëria në 100 vite shtet, Edi Rama u bë edhe vetë viktimë e djallëzisë së tij. Sepse asnjëra nga 2 rrugët që i kanë mbetur nuk parathotë shpëtimin e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco