'Trimërimi' i fundit i Edi Ramës!

'Trimërimi' i fundit i Edi Ramës!

Nga Poli Hoxha - 11/07/2020

Të gjitha ata që mendonin se Edi Rama do t’ia hidhte edhe këtë herë me “heshtjen” e ambasadës amerikane siç është mësuar rëndom, u zhgënjyen. SHBA folën dhe ia bënë të qartë, që marrëveshja e Këshillit Politik duhet të votohet siç është rëndë dakord dhe pa u prekur në asnjë presje.

Pas kësaj, Edi Rama ka kohë deri në 31 korrik që të avancojë në rrugën që ka nisur, ose të tërhiqet.

Loja është bërë e rrezikshme dhe këtë herë do të kuptojmë përfundimisht, se çfarë halli të vërtet ka Edi Rama kur mendon se nuk do të jetë më i mbrojtur nga pushteti gati absolut që posedon sot.

Gjatë konferencës me gazetarët këtë të premte, që zgjati më shumë se një orë, ai foli gjatë për “listat e hapura” për të cilat kishte arritur në përfundim se i kërkonte “populli” dhe opozita parlamentare sa më shpejt. Foli gjatë, por kaloi fare tërthorazi çështjen e “koalicioneve”, edhe pse u pyet disa herë.

Një herë gënjeu kur tha se listat e hapura i përjashtojnë automatikisht koalicionet parazgjedhore, pastaj tha se kushdo ka të drejtë që të futet në zgjedhje me lista të përbashkëta, të cilat në fakt nuk janë koalicione. Dhe për ta përmbyllur ia nxori veshët lepurit në mbrëmje, te një intervistë e sforcuar me Muhamet Veliun kur pasi u pyet se përse flet pak për çështjen e koalicioneve parazgjedhore, tha se: “Për sa i përket procesit të formulimit dhe për sa i përket procesit teknik sesi do të implementohen ato që duhen shtuar dhe jo hequr nga marrëveshja e 5 qershorit, është një proces i ekspertëve dhe vendimmarrësve”.

Pra një çështje që përfshihet te të drejtat bazë të demokracisë dhe Kushtetutës, si ajo e bashkëpunimit dhe bashkimit politik e partiak, do t’u lihet në dorë ekspertëve të Vasilika Hysit dhe Gramoz Ruçit.

Edi Rama ka ardhur dy herë në pushtet si kryeministër. Në vitin 2013, edhe pse siç deklaronte poshtë e përpjetë “i detyruar, por me hundë të zëna”, ai arriti që të fitojë vetëm pasi bëri koalicion parazgjedhor me LSI-në e Ilir Metës.

Rikonfirmimi i tij i dytë erdhi në zgjedhjet e vitit 2017, të cilat u bënë pa koalicione për arsye të djegies së afateve kohore, ku Rama përfitoi nga një tre-polarizim i skenës zgjedhore, por edhe më shumë nga efekti “kanabis” dhe manipulimi masiv i votës, siç edhe u vërtetua nga dosjet e publikuara nga “Bild”.

Aktualisht jemi në një fazë kur Edi Rama po kërkon prishjen e rregullave të lojës vetëm 10 muaj përpara zgjedhjeve, ndërkohë që ka bërë një marrëveshje politike për Kodin Zgjedhor me të gjithë faktorët politik në vend dhe me bekimin dhe garancinë e SHBA dhe BE.

Rrugës dhe pas sondazheve intensive edhe me kompani të huaja, ka kuptuar se këtë herë nuk i dalin llogaritë nëse garon përballë opozitës së bashkuar, pavarësisht se ka dyfishuar të punësuarit në administratë dhe kontrollon krejtësisht pushtetin lokal.

Edi Rama është iniciatori ekskluziv i “listave të mbyllura”, të cilat u vendosën me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008.

Propozimin e Rudina Hajdarit për “lista të hapura” në Këshillin Politik, nuk e rrëzoi Oerd Bylykbashi me Petrit Vasilin, por Damian Gjiknuri i Ramës.

Tani papritur duke furnizuar me “benzinë” edhe grupin zhurmues të Myslym Murrizit, Rama na kthehet në dashnor i “listave të hapura”.

Ndryshimin e sistemit zgjedhor me gjithë “listat e hapura” brenda, për hir të së vërtetës Lulzim Basha, e ka deklaruar publikisht dhjetëra herë.  Por nuk mund të ndryshohet një sistem brenda 2 javësh, siç po tenton Edi Rama, i cili deri 1 javë më parë ishte deklaruar i prerë kundër. Nuk mund të bëhet sërish si në vitin 2008, pa një konsultim të gjerë publik e pa një shoshitje të mirë nga ekspertë vendas e të huaj. Por mbi të gjitha i votuar nga një parlament pa opozitën reale brenda dhe që ka vetëm 122 deputetë, nga 140 që përcakton Kushtetuta.

Edi Rama akuzon dhe stigmatizon shpesh kreun e PD-së, Lulzim Bashën, si një njeri që nuk e njeh aritmetikën.

 

Kujtojmë se ndryshimet kushtetuese, kërkojnë 2/3 të parlamentit. Pra 99 votat që po kërkohen janë 2/3 e 140-ës dhe jo të 122-ës , sa deputetë ka aktualisht parlamenti.

Deri te marrëveshja politike e ‘Këshillit’, situata mund të jetë e kapërcyeshme, ndaj ndërkombëtarët këmbëngulin te konsensusi mbarë-politik. Por nëse Edi Rama vendos që të ndryshojë Kushtetutën, pa llogaritur partitë që përfaqësojnë të paktën gjysmën e elektoratit dhe me një parlament ‘treçerek kushtetues’, atëherë është njësoj si të synosh me ndërgjegje destabilitetin politik, kushtetues dhe social të vendit.  Madje edhe në përplasje të hapur, me ish-mbrojtësit e tu ndërkombëtarë.

Ndoshta e do vërtet këtë... Sa i madh mund të jetë halli që të detyron të futesh në një hulli të tillë eksperimentale, e cila më shumë ngjan me ‘vetëvrasjen’?!

Zakonisht në këtë rrugë të dëshpëruar futen ata auto-kleptokratë, të cilët kërkojnë rikonfirmim pushteti jo edhe aq si qëllim në vetvete. As për të shijuar dhe shtuar më tepër, pasurinë dhe pushtetin. E bëjnë këtë mbi të gjitha për të mbrojtur veten dhe organizatën, nga ndëshkimi penal dhe sekuestrimi material.  Në këtë rast kemi të bëjmë me një shantazh të fundit, për të siguruar amnisti.

Të shohim a do ta mbajë ‘trimërimin’ deri në datën 31 korrik, këtë herë që ka përballë jo vetëm opozitën, por edhe SHBA-BE?!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp11/07/2020 17:24

"......ndëshkimi penal dhe sekuestrimi material" nuk ndodhin se Reformën në Drejtësi po e sabotojnë "40 hajdutët dhe 400 kapedanët". Ndaj mënyra më e shpejtë për mos ti parë më si ligjvënës dhe për ta shporrur nga parlament këtë kategori, janë listat e hapura. Mbi 80% e qytetarëve, opozita parlamentare, Rudina dhe Murrizi të PD që braktisi parlamentin për ti lënë hapsira pa fund qeverisë dhe Edi Ramës për hajni, janë për listat e hapura.Listat e hapura krijojnë një perceptim tjetër te qytetarët . Vota e tyre merr vlerë. Deputetët e dal nga listat e hapura ju detyrohen qytetarëve dhe jo kryetarëve. Më shumë grupe interesi, qytetar të pa përfaqësuar, do vihen në ruajtje të votës. Me listat e hapura mundësia për pazare do minimizohet dhe do shkohet në marrëveshje principiale nëpërmjet dialogut ndërpartiak. Me listat e hapura do ofrohen kapacitete intelektuale,nga të gjitha fushat,,shkencore, afariste, të artit e të kulturës. Deklaratat e "virgjërisë" që duhet të plotësojnë mundësojnë futjen në parlament të figurave që nesër nuk shantazhohen nga askush. Listat e hapura dhe ndryshimet kushtetuese për pragun e hyrjes në parlament dhe konkurimin 'gjithkush për vete zoti për të gjithë' sjellin shumë avantazhe. Kualicionet duhet të jenë pas zgjedhore. Një front i madh antirama si qëllim në vetvehte, ku përfshini edhe faktorin ambasadorial ,(siç) ka rrezik që ti jap avantazhe z.Rama. Pa lista të hapura zhgënjimi qytetar do pasohet me largime masive nga vëndi, ose me protesta që mund të dalin jashtë kontrollit të yshtyra edhe nga kundërshtarët e Reformës në Drejtësi. Kundërshtarët e Reformës në Drejtësi dhe kundërshtarët e listave të hapura çuditërisht interferojnë. Për listat e hapura në mos gaboi është shprehur edhe Znj.Kim ambasadorja e SHBA(modeli danez). Kur nuk doni listat e hapura mbështeteni te ambasadorët. Kur ju preken interesat dhe ju tronditen themelet ,silleni si sovranistë.

Shto koment

Denonco