Kambanat perëndimore po bien për Bashën

Kambanat perëndimore po bien për Bashën

Nga Gentian Gaba - 04/07/2020

Pak ditë na ndajnë nga pesëvjetori i vizitës së parë të kancelares gjermane Angela Merkel në Shqipëri. Një moment i rëndësishëm për vendin tonë dhe për Rajonin, si një përpjekje për të afruar perspektivën europiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetje në procesin e integrimit në BE, por njëkohësisht edhe për Edi Ramën.

Atëmot, ende i ‘freskët’ nga zgjedhjet e 2013-s, Rama ndodhej në apogjeun e tij diplomatik. Turi ballkanik i kancelares nisi nga Shqipëria

Jo vetëm si një hap besimi në rolin që mund të luante vendi ynë, por edhe si një përpjekje për ta farkëtuar kryeministrin e vendit më proeuropian në Rajon, si një interlokutor të rëndësishëm për të çuar përpara ‘procesin e Berlinit’, i cili do të duhej të shënonte ritmin integrues për gjashtë vendet e Rajonit.

Pesë vite më vonë, ‘bonusi’ që Angela Merkel i dha në mirëbesim Ramës, duket një shajni. Kanabizimi, falë të cilit vendi u pagëzua si ‘Kolumbia e Europës’; dy ministra të Brendshëm të lidhur në një mënyrë ose në tjetrën me trafikun e drogës; përfshirja e elementëve me rekorde kriminale në politikën aktive, tjetërsimi i zgjedhjeve nëpërmjet krimit, që u njoh ‘urbi et orbi’; përfshirja në procesin tejet të fshehtë dhe enigmatik për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, për të cilin më së paku gjermanët kanë dëshminë e një ‘pentito’ (të penduari) jo të dosidoshëm, ish-ministrin e Punëve të Jashtme Ditmir Bushatin; azilkërkuesit që u shtuan biblikisht si një turravrap për t’u larguar nga Sodoma dhe Gomora ‘rilindase’; barbarizmi ndaj trashëgimisë kulturore (edhe europiane) dhe shtetit të së drejtës në aktin e fundit të Teatrit Kombëtar, dëshmuan se Rama e keqpërdori mirëbesimin teutonik, duke e vendosur në funksion të jetëgjatësisë së tij politike, dhe jo në interes të vendit.

Dhe, sikurse ndodh përherë, tafmaja e madhe la pa gjë Ramën, e për pasojë edhe Shqipërinë, e cila nëpërmjet kushteve po paguan faturat politike të kryeministrit.

I vetëdijshëm për këtë ‘humbje të pafajësisë’, Rama po shfaq përherë e më shumë irritimin ndaj Europës, që tashmë nuk e sheh si problemzgjidhës por si problemkrijues. Qartësisht nuk e bën në mënyrë të drejtpërdrejtë, por duke e kamufluar qëndrimin e tij me një retorikë kombëtare. Rastet më të fundit i përkasin javës që po mbyllet.

I pari, në konferencën për shtyp që mbajti në Kosovë, ku jo vetëm pati vetëbesimin t’ju mësojë shqiptarëve të atyshëm historinë e luftës së UÇK-së, por kritikoi zëshëm BE-në, si fillim për vonesën në heqjen e vizave, pasandaj duke e cilësuar si politik vendimin për të mbyllur kufijtë me Shqipërinë. Duke harruar kësodore se sa shumë ai vetë mund të bënte si për vizat, duke përfituar për të ndihmuar diplomatikisht Kosovën në dritë të qasjes së mirë që kishte dikur me Merkel, por edhe në menaxhimin e pandemisë në shtetin e tij.

Rasti i dytë është ai i së enjtes. Gjatë fjalës si përherë të gjatë në Parlament, nuk kritikoi partnerët, por shtrëngimin që po pësonte për të ‘kodifikuar’(për të përdorur fjalët e Sekretarit të Shtetit Pompeo) marrëveshjen zgjedhore të arritur në 5 qershor, që është edhe vullnet i partnerëve të cilët janë garantët e saj.

Duke anatemuar kërkesën e opozitës për ta miratuar sa më shpejt dhe pa ndryshime produktin e Këshillit Politik, Rama deklaroi: ‘Unë nuk di të ekzistojë në historinë e këtij planeti, në të gjithë jetën demokratike, ndonjë institucion tjetër përveç Gjykatës Kushtetuese, që mund t’i diktojë Kuvendit, një gjë apo një gjë tjetër.’

Paradoksalisht, ai që dikur me krenari shprehej se do të firmoste në të bardhë çfarëdo që do të vinte nga ndërkombëtarët, hedh poshtë dakordësinë e arritur me SHBA e BE, dhe kthehet në ithtarin më të madh të sovranitetit të një vendi që ai vetë e ka lënë kaq gjatë pa Gjykatë Kushtetuese (deduksion që lind vetiu nga opinioni i Komisionit të Venecias).

Një hakërrim që në të vërtetë kërkon të fshehë faktin se arsyeja pse lindi Këshilli Politik, dhe pse marrëveshja e 5 qershorit duhet kaluar pa ndryshim në Parlament, janë pasoja të drejtpërdrejta të krimeve zgjedhore të njohura botërisht dhe të zbardhura në dokumente ndërkombëtare, të cilat e kthejnë Ramën në një zbatues të thjeshtë.

Ndërsa një fat krejt të kundërt gëzon sot Basha. Një fat që për hir të së vërtetës e farkëtoi vetë. Duke ngjitur një malore e cila ishte proporcionale me humbellën ekzistuese midis perceptimit të rremë që Rama kishte krijuar brenda dhe jashtë vendit dhe hileve me të cilat përdorte çdo mjet, sidomos jopolitik, për ta portretizuar negativisht opozitën.

Bashës, sigurisht edhe opozitarëve që e ndoqën në këtë rrugëtim shtatëvjeçar, iu desh të ndërmerrte aksione të paprecedentë, për të rrëzuar narrativën e shkëlqimit rilindas dhe për ta ekspozuar Ramën ashtu sikurse sot e njeh një pjesë e mirë e opinionit vendas dhe të huaj.

Një ‘terapi shoku’, djegia e mandateve dhe mosmarrja pjesë në zgjedhjet vendore, e cila krijoi një pakënaqësi të pashmangshme te partnerët ndërkombëtarë, por njëkohësisht tregoi gatishmërinë e Bashës për të sfiduar stabilokracinë, kur kjo e fundit merr një epërsi të padrejtë mbi demokracinë, dhe prodhon efektet ekonomike, sociale dhe politike që na kanë renditur të parët nga fundi në çdo raport ndërkombëtar.

Por kjo është e shkuara. Tashmë kambanat perëndimore bien për zgjidhjen e çështjeve të shumta të ngritura nga opozita, të kristalizuara në kushtet e vendosura nga BE, nëpërmjet të cilave bashkë me restaurimin e shtetit të së drejtës, kërkohet edhe një energji e re për të rifituar kohën e humbur në rrugëtimin europian. Dhe ky pranimi i betejës së gjatë opozitare, që kushtëzon aventurat e qeverisë, do të thotë se tani kambanat perëndimore bien për Bashën.

© SYRI.net

Lexo edhe

Tags

Komentet

emigrant05/07/2020 17:42

Po i bie "shkurt" edhe unë si këta dy komentuesit me t.
Shqipërinë nuk e dashka "Avrupi" se Enveri e Luli janë myslimanë

emigrant05/07/2020 10:58

A ka mundësi që të shpjegoni se çfarë ju ka penguar që të shfaqni komentin tim poshtë këtij shkrimi ?
Kasm shtruar në ate koment një të vërtetë reale që në Shqipëri nuk janë ndëshkuar akoma edhe pas 30 vitesh krimet mizore të diktaturës enveriste.
Përse qenka tabu për Syrin kjo temë e nuk është tabu për Zërin e Amerikës ?

shqiptar05/07/2020 09:11

Lexova sot që më në fund edhe në Zërin e Amerikës, pas ardhjes në krye të kësaj medie të fuqishme amerikane të z,Elez Biberaj, një intervistë me profesor Pano, ku ai i bën një analizë tre dekadave të tranzicionit shqiptar.
Kjartazi z,Pano e lidh dështimin e ndërtimit të shtetit ligjor demokratik në Shqipëri, me faktin se akoma pas 30 viteve, në udhëheqje të partive politike shqiptare ka persona me të kaluar kriminale të diktaturës enveriste.
Ai bën krahasime të "prirjeve autortariste" të ish presidentit Berisha, me kryeministrin aktual Edvin Rama, ndonëse tek ky i fundit thekson edhe prirjrje të modelit diktatorial monopartiak.
Padyshim që një sistem demokratik, nuk mund të konceptohet pa përballjen e mendimit ndryshe politik të dy grupimeve kryesore, të së djathtës e të majtës, por ama është krejtë tjetër gjë liria e mendimit politik, e krejtë gjë tjetër ndëshkimi nga drejtësia i krimit politik të një sistemi diktatoril kriminal.
As mund të pretendohet që drejtësia të mund të ndëshkojë krimin ordiner e mafien ekonomike, pa ndëshkuar krimet politike që patën shkaktuar mijra viktima të pafajëshme, vetëm se kishin mendim ndryshe.
A mund të presësh nga një drejtësi që dikur kishte masakruar mendimin ndryshe, që sot të ndëshkojë korrupsionin e krimin ekonomik ?
Krimet e fashizmit e nazizmit, meqë u shoqëruan edhe me luftëra pushtuese, morën ndëshkimin e merituar nga Gjykata e Nurembergut e bile vazhdohet edhe sot të kapen kriminelë nazistë të fshehur nëpër botë e të ndëshkohen.
Ndërkaq, po aq miliona viktima të pafajëshme , në mos më shumë, pati edhe sistemi diktatorial komunist, jo në kohë lufte, po në kohë paqeje., duke përfshirë këtu edhe krimet e periudhës leniniste e staliniste të para luftës në ish Bashkimin sovjetik.
Po nuk dijmë që ndonjë Gjykatë ndërkombëtare si ajo e Nurembergut, të ketë ndëshkuar krimet e diktatorëve mizorë komunistë e veglave të tyre.
Në një pjesë të madhe të ish vendeve komuniste, u bë një farë farse e ndëshkimit të tyre duke i përjashtuar nga jeta politike, por në Shqipërinë që ruajti deri në vitin 1992, modelin më të egër të diktaturës komuniste, ate staliniste, ish "drejtësia" e diktaturës, dënoi me burgim disa eksponentë të regjimit komunist, me akuzat qesharake se sa kafe kishin pirë., e "revolucioni bollshevik" 1997-tës , ii nxorri edhe ata nga burgjet jo vetëm duke i rehabilituar, por duke ju a paguar ditët e burgut si të "dënuar politikë".
Ka pasur padyshim probleme në qeverisje edhe Partia demokratike në vitet e para të ardhjes së saj në pushtet, nga mungesa e përvojës qeverisëse dhe mungesa e një disidence të organizuar , siç kishte në disa vende të tjera ish komuniste. Në ato pak vite që qeverisi , e kishte të pamundur që të pastronte gjithë administratën e kalbur enveriste..
Edhe një tentative që bëri Berisha për krijimin e një drejtësie të parimeve demokratike perëndimore, akoma edhe sot përqeshet nga komunistët si "drejtësia e plepave", kur në atë "plepa", nëse do të ishte vepruar me "drejtësinë" enveriste, e kishin hak që të varreshin shumë kriminelë sadistë që kishin masakruar me mijra njerëz, vetëm se mendonin ndryshe.
Përmenda që në krye që profesor Pano në intervistën e tij në Zërin e Amerikës, konstaton se sot pas 30 vitesh në politikë ka akoma persona me të kaluar kriminale të sistemit diktatorial, por edhe ai bën përgjithësimin "politikë" e nuk e saktëson se politikanë të cilës parti janë.
Flitet shumë për "konsensus politik", por a mund të ketë konsensus me ish kriminelë politikë që sot qeverisin në një shtetë të kapur nga krimi e korrupsioni ?
Flitet për "reformim" të drejtësisë, por a mund të konsiderohet një drejtësi e reformuar me ish hetues, prokurorë e gjykatës të drejtësisë enveriste ?
Vihet shenja e barazimit midis autoritarizmit të ndonjë politikani e prirjeve diktatoriale të një tjetri.
Mendoj se është krejtë tjetër që në politikë një lider të fitojë autoritet nga performanca e tij, e krejtë tjetër që të ketë prirje diktatoriale arrogante e deri krimnale.

t04/07/2020 18:14

E paske nda mendjen vetem per ti bere elozhe lulit,se vetem keshtu futesh ne listat e kryetareve

Tun04/07/2020 17:38

Or ti mik. Gjate ke shkrujt. Merkeli, Trump, Macron e çfare kane qene me pare nuk i duan muslimanet. Edi eshte burre i keq thu ti. Merkeli e Avrupi thone " Ma mire nje kaur i keq, se musliman i mire"

Shto koment

Denonco