Takimi Kosovë-Serbi dështoi, ishte ide e keqe që nga fillimi

Takimi Kosovë-Serbi dështoi, ishte ide e keqe që nga fillimi

Nga Nicholas Burns & Frank Wisner - 27/06/2020

Kosova, një preokupim madhor për Washingtonin në dekadat e kaluar, është rikthyer në kronikat e lajmeve.

Plani i madh i Presidentit Trump për të ftuar Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për t’u takuar në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor u shpërbë para se të nisë, pasi Gjykata Speciale e Kosovës njoftoi të mërkurën padinë ndaj Thaçit e të tjerëve me akuzat për krime lufte.

Që kur Kosova shpalli pavarësinë në fillim të 2008, me përkrahjen e fortë të Presidentit George W. Bush, ajo është njohur nga shumë vende, por jo nga Serbia, prej së cilës u shkëput. Administrata Trump shpresonte të inkurajonte dy liderët të linin mënjanë shumë dallime ligjore e politike dhe të nisnin punën për njohje reciproke.

Ekipi i Trumpit argumenton se futja e një investimi privat ndërkombëtar do të hidhte themelet për një marrëveshje të mundshme. Ky është një bast i madh nga një administratë që ka shfaqur pak interesim për Evropën, lëre pastaj për Ballkanin, në tre vjet e gjysmë. Ka disa probleme potenciale me planin e Trumpit dhe padia kundër Thaçit duhet të jetë një arsye shtesë që administrata të rishohë edhe njëherë qasjen për negociatat.

Së pari, Trump ka drejtuar një fushatë diplomatike solo në Kosovë në vend që të bashkëpunonte me Bashkimin Evropian, përfshirë aleatë madhorë si Gjermania e Franca. Ai refuzoi negociatorin e BE-së dhe madje edhe vetë Presidentin francez Emmanuel Macron, i cili gjithashtu u shfaq i gatshëm për të pritur samitin. SHBA dhe BE, për të parën herë në dy dekada, po zhvillojnë fushata negociatash më vete e shpesh konfliktuese, duke ngatërruar si serbët, edhe kosovarët. Kjo rrezikon ngadalësimin në vend të avancimit të drejt marrëveshjes.

Së dyti, BE ka një arsye të fortë për të udhëhequr diplomatikisht më tepër se SHBA. Vendet e varfra të Ballkanit, me infrastrukturë në kolaps dhe rritje të vogël në ekonomitë e tyre, kanë më së shumti nevojë për investime dhe ndihmë ekonomike evropiane dhe, në të ardhmen, shpresojnë anëtarësimin në BE. SHBA, krejt në të kundërt, ka prezencë të vogël ekonomike në rajon. Duke nxjerrë me forcë BE nga rruga, gambiti diplomatik i Trumpit përçan miqtë e rajonit dhe faktikisht ul shanse për një rezultat pozitiv. Nuk është e vështirë që dyshosh se një nga motivet e Trumpit është inati, duke ditur përçmimin e tij të hapur e për të ardhur keq për kancelarin gjermane Angela Merkel, si dhe tendencën e tij, unike midis presidentëve të SHBA moderne, për të refuzuar bashkëpunimin e ngushtë me aleatët evropianë pothuajse për çdo çështje me pasoja.

Së treti, Ballkani është një varrezë për gambitë diplomatikë të nivelit të lartë. Shumë në rajon nuk e besojnë se Trump dhe emisarët e tij i kanë bërë përgatitjet e duhura për të prodhuar më tepër se një operacion fotosh në Shtëpinë e Bardhë. Ne dyshojmë se motivi i vërtetë i Trumpit është të prodhojë një marrëveshje të profilit të lartë por afatshkurtër, për të shtuar arritjet e pakta në skenën diplomatike ndërkombëtar para zgjedhjeve të 3 nëntorit. Ekziston frika që Trump mund ta shtyjë Kosovën t’i bëjë lëshime territoriale Serbisë, çka do të ishte një precedent potencial zjarrvënës në rajonin e paqëndrueshëm të Ballkanit.

Si veteranë të diplomacisë për Kosovën, sigurisht që ne i duam të mirën administratës. Por, kemi dyshime për urtësinë dhe suksesin e mundshëm të qasjes së njëanshme. Presidentët Bill Clinton, Bush e Barack Obama të gjithë e nisën nga premisa e përbashkët që vendet ballkanike – Serbia, Kosova, Bosnja, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e Shqipëria, si edhe Bullgaria, Kroacia, Greqia e Sllovenia — duhej të ishin të sigurta në kufijtë e tyre dhe do të kulmonin me anëtarësimin në NATO e BE për hir të sigurisë e begatisë së tyre në të ardhmen.

SHBA gjithmonë i ka kundërshtuar korrigjimet territoriale nga frika e ndezjes së konflikteve dhe ka kundërshtuar specifikisht ‘Shqipërinë e Madhe’, duke pranuar që realizimi i saj do të ndizte konfliktin me Serbinë e të tjerët. Të shtysh Kosovën e Serbinë të rivizatojnë kufijtë është precedent i rrezikshëm që mund të minojë marrëdhëniet midis Maqedonisë së Veriut e Greqisë, si dhe të prishë marrëveshjen e paqes në Bosnjë, arritur me aq mund në Dayton.

SHBA ka qenë mik i mirë i Kosovës që nga ndërhyrja jonë bashkë me aleatët e NATO-s për të ndaluar masakrimin e shqiptarëve etnikë nga ushtria serbe më 1999. Ne i dhamë fund asaj lufte. Forcat e NATO-s, përfshirë kontingjentet amerikane, kanë ruajtur paqen që nga ajo kohë. Shërbimi i jashtëm dhe ushtria kanë punuar shumë për të ndihmuar Kosovën të arrinte e siguronte paqen dhe pavarësinë.

Presioni i hapur i administratës Trump mbi liderët kosovarë në muajt e fundit dhe qëndrimi më i butë karshi qeverisë autoritare serbe nuk ka qenë në linjë me miqësinë tonë dhe i ka dobësuar institucionet e brishta qeveritare të Kosovës.

Lëvizje e mençur nga Trump do të ishte bashkimi i forcave me evropianët, kosovarët e serbët për të rënë dakord mbi masat që do të rrisin investimet në infrastrukturën e rajonit dhe do të zvogëlonin barrierat për tregti e lëvizje. Ballkani Perëndimor ka nevojë të lidhet me Evropën dhe t’i ofrohet një kuadër ekonomik që do t’u ofronte qytetarëve të tij më tepër shpresë për të ardhmen. Pa vëmendje serioze për kushtet ekonomike të rajonit e ardhmja do të kompromentohet nga largimi i të rinjve.

Synimet e SHBA kanë edhe më tepër rëndësi tani që Rusia dhe Kina po përpiqen të përçajnë Evropën e të nxjerrin BE e SHBA jashtë Ballkanit. Mbështetja jonë për një prani të fortë e aktive të NATO-s në rajon është investimi më i mirë që mund të bëjmë për të siguruar paqen. Edhe kërcënimi i administratës Trump për të larguar forcat amerikan nga misioni i NATO-s në Kosovë do të ishte një gabim i madh.

Nuk ka ‘rregullime të shpejta’ në Ballkan për një president të njohur për fiksimin në atë lloj diplomacie. Trump duhet të korrigjojë kursin e tij, të ulë ambiciet e të hedhë bazat për një strategji të kujdesshme, e të duruar para se të shkaktojë dëme të tjera në Ballkanin e brishtë dhe besueshmërinë tonë, tashmë të dobësuar, në Evropë.

*Nicholas Burns është profesor në Harvard University dhe ish-nënsekretar i Shtetit. Ai është këshilltar i fushatës së Joe Biden. Frank Wisner është këshilltar i lartë në Squire Patton Boggs dhe ishte përfaqësues special për Kosovën në administratën e Presidentit George W. Bush.

Marrë nga WashingtonPost-Përktheu: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Tags

Komentet

krasasi tp27/06/2020 17:50

"Si veteranë të diplomacisë për Kosovën, sigurisht që ne i duam të mirën administratës". Joe Biden nuk duhet të komunikoj me qytetarët me maskë dhe as këta dy ekspertët nuk duhet të komunikojnë me qytetarët me hipokrizi . Vini re. Të dy ekspertët në krah të kampit demokrat dhe këtej ju hapet barku për administratën Trump. Edhe kaq pak mjafton për të konkluduar se momentalisht demokratët, nuk i kanë punët në terezi. Analiza mbi marëdhëniet transatllantike dhe në veçanti ato mbi Ballkanin ,lënë për të dëshiruar, pasi politikën Amerikane dy ekspertët e shohin si një politikë "ishullore" dhe jo me lidhje të ndërlikuara e komplekse me shtrirje afatëgjatë. Gjeostrategjike dhe bazuar mbi ligje të mbështetur në të drejtën ndërkombëtare. Ujku ujku ,por çakalli bënte kërdinë. 5 shtete të BE nuk njohin Kosovën, BE lidhet direkt me Putinin , ka edhe lidhje të tjera , në të gjitha sferat, qysh para e pas luftës së parë botërore, para e pas luftës së dytë botërore ,para e pas rënies së perdes së hekurt. Për BE Amerika duhet të luaj rolin e xhandarit. NATO gjithashtu, BE të bëj allishverishe.me Rusin.Nuk mjaftojnë as allishverishet me Kinën. Kinës ju ofrohen në 'sini 'portet në Greqi, në Itali e në fusha të tjera strategjike që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare të SHBA të vet BE, por edhe të aleancës, NATO-s. Eshtë meritë e republikanëve dhe posaçerisht e z.Trump që evidentoj rrezikun kinez si më imediat për perëndimin. Por që gjithashtu i bëri një skaner politikës së jashtme të administratave demokrate, që apsolutisht kanë përshtjelluar ekuilibra botëror që duhen rindërtuar me domosdo.Amerika dhe qytetërimi perëndimor nën demokratët kanë paguar kosto jo të vogla në diplomacinë ndërkombëtare dhe në planin e brëndshëm. BE sehirxhesha tradicionale ka kontribuar mesa ka mundur. Janë këto arsyet që z.Trump do ta marë një mandat të dytë. Mirë ju bëhet të gjithëve. Pa dyshim edhe shqiptarëve kudo ku janë. Votoni Trump. Dy ekspertët e mësipërm janë dy dështak me dipllomë.

Shto koment

Denonco