Lajmi i fundit

DOKUMENTI/ Zbulohet letra e Agaçit: Po, jam i përfshirë në marrëveshjen për emigrantet

Këta të shkaktojnë vetëm habi...

Këta të shkaktojnë vetëm habi...

Nga Namir Lapardhaja - 17/06/2020

Teza e maturës së provimit të gjuhës shqipe dhe letërsisë u shoqërua me kontestime. Për të u shprehën specialistë të fushës, studiues të letërsisë, gjuhëtarë, akademik, mësues dhe nxënës. Kam lexuar reagimet dhe jam plotësisht dakort me gjithçka. Për të mos përsëritur, dëshiroj ta shohë debatin nga një tjetër këndvështrim.

Si mësimdhënës do më dukej “normale” që ndaj tezës të kishte pretendime, që në situatën e krijuar të ndërprerjes së shkollës si pasojë e pandemisë, nxënësit të hasnin vështirësi, që hartuesit e tezës të kenë gabuar në organizimin dhe shkallën e vështirësisë, që të kishte gabime teorike dhe drejtshkrimore, që të kishte përkthime mekanike dhe jo përshtatje në përputhje me kontekstin dhe programin.

Gabimi mund të shoqërohej me reflektim, me ulje në tryezë, me mea-culpa, me shtrirje dore për bashkëpunim, me përpjekje për të kërkuar rrugëdalje nga situata. Do të ishte fisnike, qytetare, e panjohur për ne, gjë që do të shenjonte një arritje për shoqërinë shqiptare. 

Çka më sipër, do të ishte normale për realitetin jetësor të botës arsimore prej nga vjen ministrja e Arsimit, zonja Besa Shahini. Këtij normalieti iu përplas në fytyrë një lum akuzash dhe fyerjesh, jo vetëm duke mos pranuar asgjë, por duke u pozicionuar fort në llogoren e gjuhës së urrejtjes, sipas parimit: “Mbrojtja më e mirë, është sulmi”. Një ministre tekniciene, që duhet ta mbante larg arsimin nga skajshmëria partiake, sulmoi maturantët si të keqpërdorur nga opozita, ndërkohë që fëmijët janë plotësisht në të drejtën e tyre.

Në vend të reflektimit, kemi polarizim të narrativës, e cila, jo vetëm që nuk jep zgjidhje, por thellon problemin.

Reagimi i parë u shoqërua me një njoftim të Qendrës së Shërbimeve Arsimore, sipas së cilës është zhvilluar një takim nga përfaqësi të ndryshme dhe 20 mësues gjuhë-letërsie, ku është marrë dakordësia se testi nuk ka qenë jashtë programit orientues, nuk ka pasur gabime drejtshkrimore, ka qenë i përshtatshëm për vlerësimin e kompetencave etj. Tekst më qesharak dhe reagim më fyes për inteligjencën se ky njoftim i QSHA-së nuk kam lexuar kurrë. Si për të vulosur joprofesionalizmin e ministres, në ndihmë i vjen një strukturë anonime, teksti i së cilës ndërtohet sipas thënies: “Mos bëj të vesh vetullat dhe nxjerr sytë”.

Gjuha e përdorur nga ministrja e Arsimit dhe Sportit është e papranueshme, ashtu sikurse është fyes njoftimi i Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Gjuha e ministres është ndarëse, e QSHA-së tallëse.

Nëse do të parafrazonim arsyetimin e ekspertit të arsimit të qeverisë, sipas së cilit lëndët e gjuhës dhe letërsisë janë mjete dhe jo qëllime, ato bëhen jo për të mësuar, por për ta aftësuar nxënësin të komunikojë, do të thosha se arsimi në këtë vend ka dështuar, sepse në krye të tij ka njerëz që nuk merren me thelbin e problemit, por me sulme politike, në krye të tij ka drejtues që nuk reflektojnë, por akuzojnë, nuk ulen për diskutime, por mbyllen skutave dhe marrin vendime arbitrare, nuk kërkojnë zgjidhje, por thellojnë ndasitë, nuk ndërtojnë ura, por ngrenë mure. Arsimi në këtë vend ka dështuar për arsye se drejtuesit e tij reagimin qytetar e akuzojnë si politik, mendimin kritik e kanë zëvendësuar me bindjen e verbër ndaj njëshit dhe partisë, argumentin e ftohtë me sulmin emocional, qytetarinë me militantizmin, seriozitetin me karagjozllëkun.

Pasi kemi dështuar të ndërtojmë qytetarin, e vetmja gjë që na ngelet është të habitemi me të gjithë reagimet e mësipërme.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco