Revolta ndaj 15 kushteve, Rama si likuidator i sipërmarrjes së falimentuar

Revolta ndaj 15 kushteve, Rama si likuidator i sipërmarrjes së falimentuar

Nga Gentian Gaba - 15/06/2020

Nuk duhet të jetë fort e lehtë për Ramën të pranojë se nga të paktat gjëra që janë rritur gjatë qeverisjes së tij, janë edhe kushtet që po i imponohen vendit për të çelur negociatat.

Sa herë Rama festonte hapjen e negociatave në Tiranë, më shumë kushte vendoseshin nga Brukseli.

Nuk është ndonjë mëkat i madh të pohohet se për një pjesë të mirë të tyre, Rama ka një autorësi ekskluzive. Sidomos për ato pika në të cilat në gjuhë të huaj kërkohet ndëshkimi i krimit zgjedhor, pra të dosjeve të Dibrës dhe Durrësit, vendimi mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve moniste të 30 qershorit, ngritja e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, pa të cilat qeveria do të qendronte për bukuri, ulja e numrit të azilkërkuesve, ekzistencën e të cilëve qeveria e ka mohuar me kokfortësi, si dhe ndryshimi i ligjit të medias sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, kërkesë që na ka rënë për hise për shkak të oreksit kryeministror për të asgjësuar kritikët e tij.

Pa realizmin e tyre, qeveria nuk do të ketë mundësi të ulet në tryezën e Konferencës së parë Ndër-Qeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, që do të shënonte nisjen e negociatave për anëtarësim. Mirëpo, Rama, si përgjegjësi për imponimin e tyre, por edhe si i ngarkuari për zbatimin e tyre për shkak të pozicionit që mban në krye të qeverisë, ndodhet në dilemën e atij që po detyrohet të presë degën në të cilën është ulur vetë.

Prandaj, edhe pse implementimi i kushteve nisi me dakordësinë mbi administrimin zgjedhor, të cilin gjeti kohë për ta përshëndetur edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, Rama po përpiqet, nëpërmjet opozitës së opozitës që ndodhet në Parlament, ta pengojë me lojëra të nëndheshme ‘kodifikimin’ e rezultatit të 5 qershorit, dhe bashkë me të edhe një nga kushtet më të rëndësishme për paqen zgjedhore, ndjekja penale e të akuzuarve për shitblerjen e votave.

Kjo përpjekje vërehet në komunikimin e kryeministrit, i cili pak ditë më parë deklaroi: ‘Nuk ka 15 kushte për të shkuar drejt konferencës së parë Ndër-Qeveritare. Nuk ka, nuk ekzistojnë.’ Ose te gjatësia e njëjtë e valëve midis përfaqësuesve të shakasë së fundit të Tranzicionit, ‘opozita e re’, dhe mazhorancës për sa i përket ndalimit të koalicioneve parazgjedhore dhe imponimit të një pragu të lartë zgjedhor për të fragmentuar sa më shumë frontin e gjerë opozitar; por edhe nga plani me 15 pika që u prezantua në Këshillin Kombëtar të Integrimit, në të cilin mungonte ndëshkimi i krimit zgjedhor.

Këto qëndrime kanë ngritur shqetësime jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe përtej Adriatikut. Rrufeshëm ka reaguar Johann Wadephul, numri dy i CDU/CSU, institucion që për Shqipërinë ka tashmë rolin e Shën Pjetrit në dyert e ‘parajsës’ Europiane, ka kërkuar përmbushjen e 15 kushteve.

Në të njëjtën gjatësi vale ka qenë edhe deklarata e së martës e Grupit Parlamentar të Partive Popullore Europiane, ku në mënyrë të përsëritur kërkohet përmbushja e 15 kushteve në mënyrë që të çelen negociatat, pa harruar ‘hetimin për akuzat e blerjes së votave në zgjedhjet e kaluara’.

Dukshëm, rebelimi i Ramës ndaj kushteve, sigurisht nëpërmjet bedelëve, po lexohet përherë e më qartë nga vendorë e të huaj, që kanë kuptuar se frika e tij nga humbja e pushtetit po prodhon, dhe do të prodhojë, makinacione për të destabilizuar situatën politike dhe shoqërore, si vetmja rrugë që ka për të shpëtuar pushtetin e tij.

Rruga tjetër, të cilën kryeministri nuk e përcakton dot, veçse duhet ta ndjekë, është ajo e zbatimit të kushteve të nisura nga Bundestagu dhe të shndërruara në një dokument të Këshillit Europian. Ato janë skanim i Shqipërisë disfunksionale që ka prodhuar Rama. Në to është shkruar perspektiva europiane e vendit, si dhe restaurimi i normalitetit institucional dhe politik që i shërben kaq shumë qytetarëve.

Në zbatimin e kushteve, kreu i qeverisë, ka një pozicion aspak të kënaqshëm, atë të një likuidatori të një sipërmarrjeje të falimentuar. Ngjashëm me ato që emërohen në fundjetën e një biznesi në QKB. Në këtë kuadër, merr kuptim edhe revolta e Ramës, i cili parasheh shumë qartë se paketa europiane dhe shtrëngimet për ta aplikuar atë, shumë shpejt do të vendosin mbi ‘Rilindjen’ mbishkrimin ‘MBYLLUR’.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

tirana15/06/2020 18:36

Te faleminderit shume per qartesine dhe pjekurine tuaj si gazetar i ri ne moshe .

krasasi tp15/06/2020 14:13

"Në zbatimin e kushteve, kreu i qeverisë, ka një pozicion aspak të kënaqshëm, atë të një likujdatori të një ndërmarrje të falimentuar". Sipas meje një analizë bazuar në një vështrim me sy të lirë, pa syze partiake. Në vitin 19989-1991 kryetarët e koop bujqësore por edhe ata të ndërmarrjeve, kërkonin mik për tu larguar nga nga posti, pasi gjithçka kish shkuar në fund. Ekonomia dhe shteti u "lëshua pa timon e pa frena" dhe ja ku jemi. Mbi fatin personal dhe politik të Edi Ramës, Ilir Metës,Lulëzim Bashës ,Gramoz Ruçit, Monika Kryemadhit dhe gjithë vendimarrësve të tjerë, qëndron fati i kombit. Ndaj marrëveshja për integrim në BE nuk ka alternativë tjetër .Asnjë kthim pas. Më vonë i kthehemi tepsisë . z.Murrizi me shokë duhet ta kuptojnë se tepsia është bosh. Destabilizimi i qeverisjes ,sado e keqe që është, destabilizimi i parlamentit, megjithfarë argumentash që të sillen ,unë do shtoja edhe ca të tjera, është i dëmshëm.

Shto koment

Denonco