Kaq budallenj i dinë socialistët e thjeshtë?!

Kaq budallenj i dinë socialistët e thjeshtë?!

Nga Poli Hoxha - 12/06/2020

Edi Rama kishte ngarkuar Endri Fugën, me gjithë stafin e tij gjigant të propagandës dhe teknologjisë, që të përgatisnin një video-klip, kushtuar 29-vjetorit të Partisë Socialiste.

Çfarë nuk shikoje aty; Dritëro Agollin, Fatos Nanon e gjithë sakrificat e socialistëve të thjeshtë, në kohët kur Edi Rama jo vetëm që nuk ishte aty brenda, por edhe e quante atë parti, ‘një e keqe, që duhet shkulur me rrënjë’.

E në fakt pasi e bleu a e mori në mënyrë të dyshimtë, ai e shkuli dhe e tjetërsoi PS-në e Dritëro Agollit, Fatos Nanos, Servet Pëllumbit, Limos Dizdari, Pandeli Majkos, Arta Dades, etj, duke shpikur ‘Rilindjen’.

Por tashmë jemi futur de facto në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e vitit 2021 dhe na duhet `brandi PS`, me gjithë socialistët e majtistët e thjeshtë.

Këtë ka bërë Edi Rama, që kur ka ardhur në pushtet. Kur është i rehatuar, punon si ‘Rilindje’ dhe zhduk PS-në. Kur i duhen vota për të rikonfirmuar pushtetin, thërret PS-në dhe nxjerr flamujt e saj të mykur nga bodrumet e selisë.

Po të shohësh rrjetin së fundmi, ‘Rilindja’ dhe rilindasit si me magji janë shndërruar në PS e socialistë `të vërtetë`. E kështu do të vazhdojë, deri në zgjedhjet e ardhshme.

Për të kuptuar lojën e dalë boje, por që guxojnë ta hapin sërish, le të hedhim një sy te profili në FB i Ditmir Bushatit; Një `rilindas` tipik kur ka postin që do dhe një `socialist parimor`, kur synon rikthim në postin që i ka mbetur brengë! 

Me rastin e ditëlindjes së Partisë Socialiste ai ka bërë një shënim të gjatë, ku pasi i ka futur një lyerje-lëpirje plot ngjyra majtiste-moraliste, kërkon edhe ‘ndryshim’ të partisë. Në fakt kërkon atë që bën Edi Rama sa herë ndihet në hall dhe i duhen vota: Ujkun me emrin Rilindje, ta veshin me lëkurën e deles PS!

Bushati flet për PS-në si një parti e madhe, `që mendon për më të vegjlit, të pafuqishmit, të dobëtit, sipërmarrësit, të rinjtë, pensionistët, arsimtarët, mjekët, infermierët, artistët, sportistët, ushtarakët, policët, minatorët, naftëtarët, fermerët, punëtorët e krahut dhe nëpunësit civilë; Si partia që i fiton betejat me krimin e organizuar dhe korrupsionin, por që kujdeset, edhe për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut'.

Kur shkruan kështu për PS-në Bushati, bën sikur harron se u bënë 8 vite që Edi Rama, atë forcë politike e ka zëvendësuar me ‘Rilindjen’, e cila e ka vërtetuar me vepra, se nuk mendon dhe punon për ‘të pafuqishmit dhe të dobëtit’, por për oligarkët dhe krimin e organizuar.

Ish-ministri i Jashtëm, i cili herë pas here shfaqet si `zë ndryshe` brenda PS-së, gjithashtu harron që të tregojë, se emri i vërtetë i partisë me gjithë simbolet origjinale të saj, rikthehen prej Edi Ramës vetëm përpara fushatave elektorale, duke i trajtuar socialistët e thjeshtë që janë po aq e më shumë të varfër se 8 vite më parë; si budallenj.

Bushati njësoj si Rama dhe gjithë enturazhi i tij nuk e zënë më fare në gojë ‘Rilindjen’, që mbushi parlamentin, bashkitë dhe administratën me kriminelë, deri ordinerë. Mes rreshtave ai tenton që të bëjë ‘parimorin’ dhe të ngrejë peshë zemrat, e socialistëve të thjeshtë.

‘Sfida jonë është si të ndërtojmë një kapitalizëm progresiv që shkon përtej një grushti përfituesish që vërtiten rreth e përqark buxhetit të shtetit dhe pasurive natyrore, duke siguruar rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës’, shkruan ai.

E thotë këtë Bushati, por nuk iu vë emra atyre që janë ‘një grusht përfituesish përqark buxhetit’ dhe mbi të gjitha nuk guxon që të drejtojë gishtin mbi kumbarin e tyre. Vetë, Edi Ramën, i cili i ka dhënë këtë `karta-bianka`, mbi pasuritë e vendit kësaj pakice.

Gjëja më qesharake në retorikën e Ditmir Bushatit dhe që bie në sy jo vetëm në këtë tekst, është se ai synon që të krijojë idenë se është njësh me `socialistët e vërtetë ‘, por nga ana tjetër nuk guxon që t'u thotë të vërtetën; Nuk ka më PS, por një klan në pushtet që është vetëquajtur `Rilindje`, i cili punon dhe grabit financat dhe pasuritë e vendit në shërbim të një grushti njerëzish, oligarkë e mafioz të maskuar si biznesmenë të mëdhenj.

 Vini re, Bushati bën këto pyetje në shkrimin e tij:

‘Çfarë dhe kë përfaqësojmë ne?;  Duke qenë se përfaqësimi në politikë është po aq jetësor sa ç’është pulsi për njeriun, sa është socialisti i përfaqësuar në hallkat e qeverisjes?; Si ta bëjmë të dëgjueshëm zërin e qytetarëve të zakonshëm në vendimmarrjen tonë në mënyrë që askush të mos ndjehet i harruar?; Nga buron e drejta jonë për të marrë vendime që impaktojnë gjeneratat, për 20 apo 30 vitet e ardhshme?’

Bukur, por përse nuk u ngrit në kongresin e fundit të Partisë Socialiste dhe t'i bënte këto pyetje, apo ishte i zënë duke dëgjuar `socialistët` Linda Rama, Besa Shahini, Elva Margariti, Gent Cakaj, Sandër Lleshaj, etj?!

I bën këto pyetje, por nuk guxon që të japë edhe përgjigjet: PS-ja, ndjesë pastë, sot përfaqëson të vetmen mafie në botë, që ka qeverinë e saj!

Socialisti i thjeshtë është sot i përfaqësuar në hallkat e qeverisjes dhe vendimmarrjes, po aq sa çdo popull opozitar dhe çdo shqiptarë tjetër, që nuk ka miq e farefis në lozhat e `Rilindjes`.

Socialisti i thjeshtë që po thirret në betejën `finale` për të marrë edhe 8 vite pushtet Edi Rama, `Rilindja` dhe rilindasit e tij, janë edhe më të varfër e të dëshpëruar, se atëherë kur kontribuuan me zemër, për 1 milion shuplakat.

Ata i njohin sot bashkëluftëtarët me të cilët kanë qenë dikur së bashku në opozitë. I shohin se si janë shndërruar në milionerë, pasi u transformuan në `rilindas`, drejtorë, deputetë, e ministra. Sa shtëpi e biznese kanë, ku ju punojnë gratë e farefisi, në çfarë shkollash i studiojnë fëmijët, e si për pak ‘i shtypin’ në rrugë me makinat e tyre luksoze.

Ata e dinë që Edi Rama ju do votën, por pushtetin dhe pasuritë që burojnë prej tij i ndan me të tjerë që nuk kanë asnjë lidhje me PS-në e vërtetë, ndjesë pastë.

Ky avaz është, sa herë që afrohen zgjedhjet. Një ditë pasi i kanë fituar, as shefi më i rëndomtë në rrethe nuk i qas te pragu i derës së zyrës. Nuk i pyesin as për punësimet, as për drejtorët, as për kryetarët e bashkive, as, as… se për deputetët dihet.

Sot më shumë nga frika se çfarë do të ndodhë me pasuritë e grumbulluara, nxjerrin nga bodrumet flamujt e PS-së; i fusin ca video me Dritëro Agollin e Fatos Nanon me pranga në duar; rikthejnë `gogolin PD në pushtet` e premtojnë për 8 vitet e ardhshme qiqra në hell, sikur sapo kanë zbritur nga ndonjë anije aliene… 

Vërtet, kaq budallenj i dinë socialistët e thjeshtë!?

© SYRI.net

Lexo edhe

Tags

Komentet

shqiptar15/06/2020 10:49

Pa shkuar më tej për të komentuar sociaistët "e vërtetë" si dele të "urta", duke lexuar shkrimin, më erdhi në kujtesë një deklaratë e nënkryetarit të Kuvendit, "djathtistit ekstremist" Murrizi.
E dëgjova para do ditësh në studion e një televizioni, që me ate zërin e hollë si të Ramiz Alisë, të deklaronte se 80% e deputetëve socialistë ai ikonsideron jo vetëm si kolegë por edhe miq të tij sepse. janë "njerëz të ndershëm", e nga partia Demokratike vetëm ai paskej qëlluar i ndershëm kurse gjithë të tjerët janë "ish sigurimsa e këlyshë të tyre".
Ndërkaq po në këtë studio sulmonte shkrimtarin e publiçistin e shquar Agron Tufa me të njejtën urrejtje të kolegut të tij deputet socialist 24 karatësh enverist, Spartak Braho.
Është e vërtetë që "sekti i Rilindjes" që formoi aventurieri anarshist politik Rama, nuk ka të bëjë me "idealet socialiste" por me një kapitalizëm mafioz, por a mos partia socialiste në tërësi ka hequr dorë nga idealet e socializmit ?
Pati vërtetë kjo parti kur ndroi emrin nga Partia e Punës në parti Socialiste, ndryshime të dukëshme në kupolën e saj udhëheqëse, hoqi dorë kjo parti nga propogandat kundër imperializmit amerikan e kapitalizmi europian, por a mund të besohet se ish antarët e PP e ndruan menjëherë lëkurën e nga ujqër u bënë dele ?
Nuk ishin të gjithë antarët e PP përgjegjës për krimet e diktaturës enveriste , mund të thotë dikush, e kjo është e vërtetë. , aq sa çështë e vertetë që një pjesë e intelektualeve që ishin antarësuar në PP vetëm për mbijetesë e për të ushtruar profesionin e tyre, që në 1990, flakën tej tesarat e PP e ju bashkuan Partis Demokratike.
Do të ishte marrëzi e madhe që të pretendohej që me përmbysjen e diktaturës enveriste, në Shqipëri të mos kishte asnjë parti të majtë, pasi e gjithë perëndimi demokratik kapitalist ka fuksionuar si një sistem pluralist i ndarë kryesisht në dy grupime të mëdha, të djathtë e të majtë ama mos të bëjmë sikur nuk e dijmë se në Shqipëri, ndryshe nga shumë vende ish komuniste,akoma deri sot nuk është pastrimi i politikës nga persona me të kaluar kriminale të diktaturës enveriste.I parë realiteti me këtë fakt të dukshëm, a mund të krahasohet e majta europerëndimore që nuk ka ushtruar asnjëherë ndonjë pushtet diktatorial,komunist, me ish Partinë e Punës së Shqipërisë që tani quhet Partia socialiste ?
Është plotësisht e vërtetë që shkrimtari i shquar Dritero Agolli, pati guximin të denonconte publikisht krimet e diktatorit Enver Hoxha.
Por a bëri ai një mea culpa që i sherbeu asaj diktature , jo si antar i thjeshtë i PP, por në majat e institucioneve të shtetit diktatorial ?
A ishin vërtetë armiq të diktaturës komuniste edhe shumë antarë byroje apo funksionarë të lartë që paranoiaku Enver i eleminoi apo persekutoi.
Aspak, përkundrazi disa prej tyre ishin edhe më të zellshëm në krime se Enveri.
Fakt është që sot bijtë e nipërit e tyre, ndonëse e kritikojnë me zell Edi Ramën si një bashkëpuntor me oligarkët, nuk harojnë të vjellin vrer për të djathtën e ëndërojnë për kthimin në sistemin socialist
Po dreqi e mori, fundi i fundit, kush e pruri Edi Ramën në krye të partisë socialiste e si kryeministër ?
A nuk ishte vetë Partia socialiste e "populli socialist" siç i pëlqen Ramës të quajë trushpëlarët e propogandave komuniste e bandat e mafies ?

kokepalari13/06/2020 08:07

nuk jane budallenj o shoku jane thjesht legena qe durojne gjithshka qe ben
lideri global, do votojne per ate si perhere dhe do vazhdojne te qahen si legena
qe jane!!

Skrapari12/06/2020 18:56

Pas dy komenteve te shkelqyera te Daj Jakut dhe komentuesit "t" ska nevoje per asnje koment tjeter. Ne gjithe boten te majtet nje fytyre kane pavaresisht emrave te ndryshem. Kjo Ridhjerja eshte PKSH, PPSH, PS. Asnje ndryshim nuk ka.

Krist12/06/2020 17:44

Poli,me pelqen,ne cdo analize qe ben.eshte konkret dhe nuk paragabon.Por nje verejtje,te vogel ne dukje,por qe une nuk e shikoj edhe aq te vogel,eshte renditja e Pandeli Majkos,ne mes Limoz Dizdarit,Arta Dades, e te tjere.Pandeliu,gjithmone ka qene pa shtylle kurrizore,dhe pa mendte e veta.Ai,nuk arrin te behet Rilindas-aq e ka takatin,ndersa si socialist,Pandi as e njeh Partine ku bente pjese,dhe as e njeh (konkretisht) rilindjen.Vetem nje pergjigje ,qe i ka dhene,ne nje emision Krastes,e tregon qarte,se cfare buri,socialisti,apo qofte edhe rilindasi ,eshte ai.Nuk kishte as takat,por as edhe burreri,e nuk behet fjale as edhe per intelektualizem ,kur si pergjigje,i thote Krastes: Po edhe ti more Adi,pse me ben te tilla pyetje mua,me mua e gjete?????

Daj Jaku12/06/2020 16:09

Gabimi i madh e e pafalshëm është të tentosh të ndash "rilindhjasit" nga "socialistët e vërtetë". Të gjithë janë njëlloj, janë derra me surrate derrash, sikurse i përshkruan George Orwell në kryeveprën e tij madhore, "Ferma e Kafshëve", derra që vishen si njerëz dhe ecin mbi dy këmbë.

t12/06/2020 15:56

Perderisa keta socialiste e thjeshte rrine ,durojne e nuk e ngrene zerin,budallenj duhet te jene,dhe me shume gjasa prap do tja japin voten km më batakçi ne bote dhe rilindjes,sepse dashje pa dashje jane te lidhur me nje fije te padukshme me kete ps-rilindje te shkerdhyer

t12/06/2020 15:56

Perderisa keta socialiste e thjeshte rrine ,durojne e nuk e ngrene zerin,budallenj duhet te jene,dhe me shume gjasa prap do tja japin voten km me batakçi ne bote dhe rilindjes,sepse dashje pa dashje jane te lidhur me nje fije te padukshme me kete ps-rilindje te shkerdhyer

Shto koment

Denonco