Monopoli i plehrave, kështu punon mafia

Monopoli i plehrave, kështu punon mafia

Nga Klodian Tomorri - 11/06/2020

Helmimi i qëllimshëm i Manzës për të justifikuar më pas ngritjen e monopolit të plehrave Tiranë-Durrës, është një nga projektet më kriminale që është vënë në jetë në Shqipëri.

Ky është një biznes, ku bashkohen interesat financiare të politikanëve të korruptuar, krimit të organizuar dhe medias.

Qëllimi final është gllabërimi i mbetjeve të Durrësit nga inceneratori i Tiranës, që do të zgjeronte biznesin e koncesionit me 150 milionë euro në të gjithë jetëgjatësinë e tij.

Kaq janë, plot 150 milionë euro. Sepse sot Durrësi prodhon 150 mijë tonë mbetje në vit dhe shifra vjen në rritje nga viti në vit. Për çdo ton nga këto, nesër do të paguhet 29 euro tek inceneratori. Paratë do t’i paguajë Bashkia e Durrësit ose buxheti i shtetit në llogarinë e koncesionarit.

Sabotimi i projekteve që do t’i jepnin zgjidhje problemit të mbetjeve në Durrës, mbyllja me shpejtësi e landfillit të Porto Romanos përmes një tenderi pa garë, depozitimi i mbetjeve në Manzë jashtë çdo kushti mjedisor, për të krijuar urgjencë shëndetësore dhe alarmi mediatik, janë të gjithë hapa të llogaritur në funksion të një qëllimi. Sjelljen e mbetjeve të Durrësit në Tiranë. Pa garë, pa procedurë ligjore. Krijuan emergjencën atje, që të justifikojnë më pas marrjen e plehrave këtu.

Kryetarët dhe ish-kryetarët e bashkive në Durrës e dine mirë se nga kush u është bërë presion për të vënë në jetë këtë skenar.

Kështu punon mafia.

Kjo është ndoshta organizata më e rrezikshme kriminale në Shqipëri, pasi ka ne përbërje të saj pushtetarë të korruptuar, banditë nga krimi i organizuar dhe njerëz, që i sigurojnë promovim mediatik. Të gjithë këta kanë interesa ekonomike tek koncesioni i inceneratorit.

Dosja e inceneratorëve është në SPAK dhe duhet të hetohet me përparësi. Prokuria duhet të investigojë ligjshmërinë e çdo akti dhe vendimi të institucioneve që kanë qënë të përfshira në këtë proces. Përtej kësaj, duhet të hetojë të gjithë historikun e transaksioneve dhe lëvizjes së parave të kryera nga kompanitë e përfshira. Kush ka paguar kë dhe kush ka përfituar.

Të gjejë kush është mbrapa dhe të shohë se kush duhet të merret i pandehur. Një pjesë e tyre dihen dhe kanë dalë zbuluar pavarësisht përpjekjeve për t’u fshehur me kompani jashtë vendit. Vetem se nëse konstatohen paligjshmëri, akuza nuk duhet të jetë thjesht korrupsion, por edhe krim kundër njerëzimit.

Të helmosh qëllimisht një qytet për të vënë fitime të paligjshme nuk është thjesht korrupsion, por genocid.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Bea12/06/2020 10:18

Eshte e tmerrshme, keta te paskrupull po tejkalojne cdo parashikim. Po ia kalojne edhe regjimit komunist...
Shpetoni Shqiperine dhe shqiptaret nga kjo fare e keqe. Po vrasin te ardhmen pak e nga pak.

Shto koment

Denonco