Opozita të bëjë çfarë të dojë, por ky është kurthi që i ka ngritur Edi Rama!

Opozita të bëjë çfarë të dojë, por ky është kurthi që i ka ngritur Edi Rama!

Nga Poli Hoxha - 03/06/2020

Ka një kurth evident të cilin opozita jo vetëm nuk po e sheh, por përkundrazi po e lejon vetveten që të bjerë brenda tij në zhytje të lirë. Kjo po duket qartë në mënyrën se si po e menaxhon këtë punën e Këshillit Politik, për Reformën Zgjedhore.

Po ta shihni me kujdes, një proces që duhej të ishte fare i thjeshtë sepse është një kusht i BE-së, po shfaqet si një dramë. Si një mal që uturin nga dhimbjet e lindjes, por që edhe vetë e di se do të pjellë një mi.

Tensioni që i transmetohet publikut me takime jashtë kamerave dhe me deklarata enigmatike është teje i lartë, por i stisur. Rama që e di se fundi do të jetë një limonadë, i hedh shkarpa zjarrit sepse i intereson një mbyllje bombastike.

Reforma nuk lindi dot në datën e vet më 31 Maj. Bisedimet mbahen sekrete, kurse tre ambasadorët më të rëndësishëm në Tiranë mbyllen 9 orë me Damianin, Oerdin, Petritin dhe Rudinën dhe dalin të djersitur: ‘Kemi bërë përparime; ka shumë shpresa se marrëveshja do të arrihet shpejt.’

Të krijohet përshtypja se po bisedon SHBA me Korenë e Veriut dhe Iranin. Kurse Edi Rama me Lulzim Bashën; po bëjmë luftë de more de, lum ti parti që na ke!

I gjithë ky shtrëngim absurd, vetëm 10 muaj përpara zgjedhjeve, është një pjesë e kurthit të Edi Ramës. Kur të pillet miu i ngjizur nga OSBE-ODHIR, ai do ta shesë atë si elefant dhe mundësisht edhe për të legalizuar një takim `kok më kok` me Bashën.

Personalisht besoj se në këtë situatë, tani që nuk ka më kohë, ata që i shërbejnë Edi Ramës, me dashje apo jo, me financim a në natyrë, janë pikërisht ata që kritikojnë dhe sulmojnë opozitën në mënyrë permanente. Sidomos kur janë të vetë-deklaruar si pro saj dhe nuk i zë gjumi, për ‘frymën’ që i mungon. Më të rrezikshmit janë ata që e bëjnë Ramën `copë-copë`, sepse janë kështu edhe më të besueshëm. Tani nuk ka më kohë ‘për frymë’, por për taktikë.

Frymë është dosja klepto-kriminale 8 vjeçare e Rilindjes!

Bie erë kjo këshillë, por ja që nuk jemi në Danimarkë dhe as popull danez. Kurse largimi i organizatës që ka kapur gjithë sistemin imunitar të vendit në këto 8 vite, është tashmë një emergjencë kombëtare.

Opozita që kemi është produkt i këtyre 30 viteve tranzicion, me të gjitha karakteristikat e tij që dihen. Por `Rilindja` e Edi Ramës është një mutacion malinj. Nëse nuk ndërhyhet me një operacion radikal, në zgjedhjet e vitin që vjen, atëherë Shqipëria do të jetë kushedi edhe për sa dekada, një trup nën pushtetin e qelizave kanceroze.

Por kjo nuk do të thotë që ca mendje me ingranazhe ku nuk rrjedh pikë vaji lubrifikant të cilat këshillojnë lidershipin e opozitës, të lejohen që ta shtyjnë atë në kurthin e Edi Ramës.

Tashmë edhe vetë opozita e di që ‘operacioni radikal’ vitin që vjen, nuk nënkupton thjesht një votë shumice për partitë e tyre, por një votë popullore ati-Ramë dhe kundër asaj që ai përfaqëson.

Pra cili është kurthi dhe si është ngritur ai?!

Që kjo votë anti-Ramë të mos hidhet në kuti nga dilematikët dhe veçanërisht, nga ata që bojkotuan në zgjedhjet e kaluara. Dhe këta janë shumicë e totalit të shqiptarëve që votojnë. Bojkoti të stimulohet dhe të thellohet sa më shumë; kjo është shpresa e vetme e Edi Ramës.

Ingranazhi i kësaj strategjie është demotivimi i votuesve dhe veçanërisht i atyre që përfaqësojnë zonën gri; pështirosja nga klasa politike dhe partitë në bllok, mos besimi te Kodi i ri Zgjedhor që do të dalë dhe përlyerja e të gjitha palëve si bashkëfajtorë.

Në funksion të kësaj strategjie janë edhe të gjitha ‘lajmet’, analizat e `merak-et` se ka apo jo një pakt tjetër sekret, Basha-Rama; se do të ketë qeveri të gjerë PS-PD pas zgjedhjeve të ardhshme, e të tjera helme përçarëse dhe diziluzionuese që po hedh me shumicë shtabi elektoral i Rilindjes.

Strategjia, kurthi, ka si synim pjesëmarrjen sa më të ulët të shqiptarëve në zgjedhjet që vijnë duke dekurajuar votën plebishitare anti-Ramë. Ky është thelbi. Çështja e Reformës Zgjedhore është një prej rrjetave, e hedhur që tani.

Disa ideologë partizanë e `punëtorë` të opozitës thonë me rastin e kësaj Reforme; mos u merrni me sistemin, por me mënyrën se si do të mbrohet vota!

Dhe e thonë ca zëra që në opinion merren, si gojët e Bashës dhe Kryemadhit. Edi Rama fërkon duart kur i dëgjon. Madje i stimulon në mënyrat e tij.

Shqiptarët janë militant të lehtë, por jo budallenj. Nuk mund t`ju thuash mbro votën që nxjerr fituese listën që e bën kryetari i mbyllur në zyrën e tij, (edhe pse ke parë se kush janë futur në parlament që pas vitit 2008), por mos u shqetëso se çfarë lloj monstrash-deputet, do të prodhojë vota jote!

Kushdo me dy pare mend e di që tani për tani, nuk ka për të pasur ndryshim të sistemit dhe veçanërisht heqje dorë nga ajo puna e listave të mbyllura, eksluzivitet i kryetarëve. Kjo sepse Rama as që ka për të lëshuar ndonjëherë pe në këtë drejtim, sa të jetë në politikë. Mezi e kapi këtë shans kur Berisha ishte në siklet të madh në vitin 2008. Dhe këtë e thotë troç.

Çështja është te artikulimi qoftë edhe formal i Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit. Që të dy janë deklaruar dhe janë treguar të gatshëm, që të heqin dorë nga listat. Partia e kësaj të fundit, ka bërë edhe grevë urie për këtë punë.

Sistemi nuk ka për të ndryshuar as këtë herë, edhe pse është goditur rëndë. Por ‘enigma’ është se përse në opinion është krijuar përshtypja që po bëhet bindje, se opozita krahas kushteve të drejta që ka vënë për ingranazhet që do të mbrojnë votën, nuk e do ndryshimin e një sistemi, i cili qoftë edhe si perceptim jua ka shpifur shqiptarëve, majtas e djathtas?!

Kjo duhet kthjelluar prej opozitës, pavarësisht se Rama dhe ndërkombëtarët e kanë vendosur që ta diskutojnë, në një kohë të ardhme dëshirore. Le t`ja lënë ndër dhëmbë Ramës alibinë; unë nuk e dua ndryshimin, por as opozita nuk e do.

 Ja e shihni jemi njësoj; çfarë ndryshimi thoni?!

Ata thjesht duan rotacion, rikthim në vitin 2019; ja marrim Prenës ja japim Lenës?!

Dhe kjo po ngjit, për hir të së vërtetës. Shihni sa janë shtuar zërat anti-Ramë që po betohen se nuk do të votojnë fare në zgjedhje, meqenëse Rama dhe Basha ‘qenkan marrë veshë’ që të mos ndryshojnë sistemin. Rama po ja del, që ta shpërndajë faturën!

Në këtë situatë, pjesëmarrjen e ulët të votuesve në zgjedhjet e vitit 2021, ka për ta ndihmuar shumë edhe një valë e paprecedentë emigrimi e shqiptarëve që pritet të ndodhë menjëherë pas rihapjes së kufijve. Ata qindra-mijë shqiptarë që kanë emigruar gjatë pushtetit të Rilindjes dhe mijëra të tjerë që kanë bërë gati valixhet pas goditjes së rëndë ekonomike që shkakto pandemia në vend, janë të gjithë vota kundër pushtetit të Ramës që i ka përzënë nga atdheu.

Pra thelbi i kurthit dhe i strategjisë së tij është bojkoti masiv i zgjedhjeve të ardhshme, prej shqiptarëve. Këtë i kanë thënë edhe ‘mjeshtërit’ e kompanive të huaja të `piarit`, që i bëjnë sondazhe të hollësishme.

Synimi është që në zgjedhjet e ardhshme të marrin pjesë vetëm militantët e betuar të partive; administrata e tej-fryrë shtetërore, mësuesit dhe punonjësit e bizneseve me pronarë që përfitojnë me tenderime e koncesione nga buxheti i shtetit.

Tani gjejeni, se kush fiton!

Edhe pse mund të jetë pakicë e frikshme, siç u vërtetua në votimet e fundit moniste për pushtetin lokal.

Ndaj opozita duhet ta shohë dhe ta lexojë qartë kurthin dhe strategjinë e Ramës për të rikonfirmuar pushtet me anë të pakicës. Të paktën te ky Këshilli Politik, (janë që janë), duhet që të kërkojnë një ndryshim thelbësor për sistemin zgjedhor;

Nuk mund të certifikohen kurrë ato zgjedhje, ku nuk kanë marrë pjesë mbi 50% e atyre që kanë të drejtën e votës!

© SYRI.net

Lexo edhe

Tags

Komentet

Genc.03/06/2020 20:40

Gazetari P.Hoxha nje fantazist i madh.Je pjese e babales edhe ti.

emigrant03/06/2020 19:24

E pranon edhe vetë o z.Poli që ju a kupton taktikën e ca pseudo opozitarëve që shiten si kritikë të tërbuar të Ramës, e nga ana tjetër po aq energji harxhojnë edhe për të përhapur dyshime për Bashën..
Që opozita duhet të jetë edhe nën presionin e gazetarëve me eksperiencë si ju, kjo e ndihmon demokracinë shqiptare, por problemi është se shoqëria shqiptare fatkeqësisht nuk e ka emancipimin e shoqërisë daneze (gjë që e përmendni edhe ju) , e një pjesë e madhe e saj çdo kritikë që i bëhet opozitës për të qenë më e kujdesëshme, meret si akuzë se ajo po bashkëpunon me Ramën.
Rama është mjeshtër i intrigave ama ka edhe disa gazetarë ujq të vjetër, që dijnë ta përdredhin fjalën për të barazuar të keqen tek të gjithë politikanët njëlloj, me shpresën se mos na del ndonjë parti e re qorash enveristë.
Sepse kisha shpresën se kjo ambasadorja e re amerikane e zgjedhur nga Trump, do ti futej mirë analizimit të reformës soroiste të drejtësisë në Shqipëri. Por mesa po shohim deri tani, nga deklaratat e saj, duket sikur janë haruar edhe "peshqit e mëdhej" të Lu-së.
Nëse edhe administrata e Trump e ka ndarë mëndjen nga hallet e mëdha që ka në vëndin e saj, që shqiptarët të rinë urtë e të bien në ujdi me propozimet e Rudina Hajdarit, nuk ja uroj askujt nga kritikët dashamirë e dashakeq të Bashës, që të ishin në vendin e tij., ndonëse këto të fundit shpresojnë që ti hapim përsëri luftë "imperializmit amerikan"

Boreali03/06/2020 19:04

Poli, ke shkruar nje artikull te mrekullueshem. Mendoj se ne kete gracke , tashme ka rene opozita. Duhet te shkundet mendja e tyre nga mendime si ky qe ke shprehur . Te sygjeroj qe ta besh fakt te kryer, qe perveç botimit, t'ja dergosh me poste ( me leter ) edhe Bashes edhe Rames, qe ta marrin vesh se ka djem te mencur ky vend, shume me te mencur .
Respekte.

ZAHO03/06/2020 18:27

Z. Poli! si gjithmone ju analizoni çeshtje te mprehta persa i perket jetes (politkuce) te vendit, e me pamesi e patrotizem, gje qe ju nderon, e une i lexoj pothuaj te gjitha shkrim preokupimet e sinqerta te nje gezetari qe ben gazetari ne sherbim te vendit jo te qeneve te politikes... E deri ketu ju pergezoj, por nga ana tjeter, ajo qe te ben te vrerosesh, eshte pyetja; Si ka mundesi qe tek ne shqiptaret;- fiton e keqja gjithmone? (kam parasysh edhe rrezimin e qeverise se Kosoves). Besoj se kemi arritur deri aty sa çdo shqiptar te pyesi veten : Mor po jemi ne ne gjendje te qeverisim vendin, apo eshte astu siç thone fqinjet tane prej shekujsh, "gomere" qe nuk dijne te qeverisim? E di, qe ndonjerit ose shume njerzve nuk do i pelqejne keto fjale, por jane te verteta dhe e verteta eshte veshtire te pranohet per te pacivilizuarit, kur ata te arrije ta kuptojne ndosha ka ardhur dita edhe per Shqiperine! Nje tjeter karkteristike e jona eshte se jemi me dondkishote se donkishoti vete, per rrjedhoje prasin nuk e heqim nga dora per asnje çast! Te gjithe i dijme ato filiozofimet prej "kopetenteve" te kafeneve kur flasin gjoja per politike e nuk punojne, e kur i pyet, pse nuk punon : te pergjigjen se nuk ka leverdi, e jetojne( me nioj njeqind euroshe qe i sjellin emigrantet) e me pensionin e prinderve dhe nuk kane lexuar asgje nga politika e....,kur te gjithe nuk jane te kenaqur nga qenqeveria hajdute e doçit, hidhet ndonjeri e thote:::: Po ...jo .mo jo se keshtu eshte intresi i amerikoneve... dhe gjermoneve, se kane plane te tjera ata! Budallejte nuk i arrin mendja as deri aty sa te kuptojne se po te qe interesi i i tyre Shqiperi zeza ishte bere me kohe, jo te kalonin tridhjete vjet! E ne fund llulli eshte ( qe kur u be doçi krytar qeverie nen devizen: Me lini te kryetar qeverie te vjedh une (pertej te majtes e te dhjathtes" dmth me shume se te dyja te marra bashku) edhe per ju! Dhe keshtu eshte e do jete, deri sa populli jo vetem qe nuk ngrihet, por nuk nxerrin dufin te shkruajne neper mure te pakten, jo ..as kete ne shkiptaret kokeshkrete, e trimat me flete , nuk e bejme dot ..,!!

Tiku03/06/2020 18:23

Artikull brilant, opozita ka kohe te kthjellohet!

Bosh03/06/2020 17:47

Artikull shume i mire

Noni03/06/2020 16:20

Opozita nuk i sheh apo ben sikur nuk i sheh e aq me teper nuk i kupton ketu e 8 vjet , keto lloj "kurthesh" skandaloze , qe mbajne emrin Krim kudo .? Kjo gje nuk duket Pak si shume e cuditeshme ? Kurthet dhe skandalet , pa u mbyllur njeri kalohet tek tjetri dhe kete bande kriminelesh qeveritare me E di Ramen ne krye , asgje nuk e pengon dhe aq me teper e ndalon dhe populli i coroditur dhe i sterlodhjes me keta politikane 30 vjecare , nuk di ku te kapet per Pak siguri per te larguar te keqen e madhe qe e ka mbuluar .

Edvin03/06/2020 16:02

Opozita e Luli-Mones e kupton situaten,por i kane duart e lidhura me sistemin aktual.Ata qe pranuan ikjen nga parlamenti,kane marre garanci nga Kryetaret respektiv qe do te jene perseri kandidate te sigurte per deputet ne zgjedhjet e radhes. Cdo alibi tjeter nuk ka vlere.

Skrapari03/06/2020 15:45

Nese opozita i nderuar Poli nuk kuptoka kurthet e Edvin Kellires, c'mender opozite eshte athere? Opozite fasade? Nuk mendoj se eshte keshtu, ne te kundert na mori lumi. Besoj momenti ka ardhur qe kete monster bashke me shpuren e tij ti heqim zvare neper rruget e Tiranes. O sot o kurre.

t03/06/2020 15:16

Qe eshte krijuar zhgenjim i madh nga opozita kjo nuk diskutohet,por elektorati gri po nuk doli te votoje antirame do ta lere ramen ne fuqi per kohe te gjate,sepse po fitoi kjo rilindje super e shkerdhyer,eshte e vertete ajo qe thoti Poli se ikjet nga shqiperia do jene te medha dhe ketu do mbesin militantet e ps rilindjes,prandaj o njerez e dime se luli eshte nje rame i kamuflluar,e dime se eshte e keqja me e vogel dhe po te kishim shprese per ndonje parti apo koalicion tjeter me te besueshem,nuk do ti merrte votat tona, por tani jemi te detyruar te votojme koalicionin opozitar sepse rruge tjeter nuk kemi.Shpejt do te ike efhe luli dhe do zevndedohet nga te tjere dhe keshtu pas çdo ndryshimi rritet shpresa se diçka e mire do vije,se po u vanit edhe shpresa çna mbetet më.Ky vend nuk nxjerr me Avni Rustema

Shto koment

Denonco