Lajmi i fundit

LIVE/ PD, aktivitet për 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

Ndërkombëtarët të ndëshkojnë 'konsensusin fals' të Ramës, që të mos dështojnë reformat

Ndërkombëtarët të ndëshkojnë 'konsensusin fals' të Ramës, që të mos dështojnë reformat

Nga Kastriot Islami - 02/06/2020

 1. Rama i ka deklaruar diabolikisht shpurës së tij se “pavarësisht që shqiptarët e refuzojnë masivisht në sondazhe”, ka mbështetjen e ndërkombëtarëve sepse ka firmosur mbi karta biankë për të plotësuar interesat e tyre në Shqipëri e së bashku me Thaçin e Vuçiç edhe në rajon?! Opozita e kundërshtarët duhet të bien dakord me këtë realitet përndryshe do të dalin jashtë loje e do të eliminohen. Kjo është filozofia e qeverisjes dhe mbajtjes së pushtetit nga “kompetenti i Surrelit”… Këtë duhet ta dëgjojnë në shqip e në gjuhët e tyre (ata dëgjojnë vetëm “argumentet” e Ramës dhe përkthimet e shërbëtorëve të tij) ndërkombëtarët e angazhuar në vendin tonë! E ta ndëshkojnë!

2. Rama prej 7 vjetësh deklaron: ose pranoni opsionet e mia ose unë e kam shumicën në Kuvend për të vendosur! Kjo është qasje e gabuar për të arritur “konsensus substancial” mes palëve politike për reformat e rëndësishme. Rama e urren “konsensusin substancial” dhe preferon “konsensusin fals”. Para se Rama të bëhej kryeministër, për 23 vjet rresht, është aplikuar “konsensusi substancial” mes palëve sa herë do të kryheshin reforma të rëndësishme.

3. Natyrisht duhet pasur parasysh se “konsensusi substancial” për kryerjen e reformave është një kusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm për të pasur sukses në miratimin e reformave të dobishme për interesin publik… Pra, nëse reformay realizohen përmes “konsensusit substancial” mund të rezultojnë edhe të mira, por edhe të jo të mira, por nëse reformat kryhen pa marrëveshje mes palëve, me siguri reformat s’do të jenë të dobishme për interesin publik.  

4. Që prej vitit 2013, Rama ka imponuar reforma pa konsensus mes palëve. Kjo është arsyeja përse opozita është jashtë parlamentit. Kjo është arsyeja përse pushteti vendor është 100 % në duart e Ramës. Kjo është arsyeja kryesore përse shqiptarët emigrojnë… Kjo është një arsye e fortë përse ka ngecur procesi i integrimit. Shqiptarët presin me padurim që së paku ndërkombëtarët të refuzojnë marrëveshjet pa konsensus mes palëve!

5. Dështimet e reformave që nga viti 2013 kanë ardhur se Rama ka kryer reforma pa marrëveshje me opozitën, duke mos “siguruar” heshtjen e ndërkombëtarëve! Dështimi i reformës zgjedhore kësaj radhe do të jetë i pashmangshëm nëse qasja autoritare e Ramës nuk hidhet në koshin e plehrave! Rrjedhojë e aplikimit të kësaj qasjeje është mbi të gjitha shkatërrimi i pluralizmit dhe degradimi i demokracisë në Shqipëri… Perceptimi i publikut është se fajtori i vetëm i këtij degradimi është Rama, por edhe heshtja e ndërkombëtarëve ka qenë vrastare!

6. Pas vitit 2013, “arbitri ndërkombëtar” ka deklaruar: i) vota blihet e votuesit kërcënohen; ii) kriminelët, injorantët e manekinët kanë zaptuar Kuvendin e administratën publike, iii) zgjedhjet janë zhvilluar pa prezencën e opozitës e pushteti vendor monopartiak gjendet në duart e një individi si në asnjë vend tjetër të botës, dhe si asnjëherë tjetër në të gjithë historinë e demokracisë; iv) reformat zgjedhore, e drejtësisë, territoriale, prej 7 vitesh, kanë dështuar për shkak të mungesës së “konsensusit substancial” mes palëve!

7. “Shqipëria qeveriset nga shqiptarët…”, por çështja e sovranitetit të një vendi që kërkon të integrohet në BE apo NATO është më komplekse. Thënë më shkoqur; një vend qeveriset vetëm nga qytetarët e saj përderisa ai është i izoluar, sepse një pjesë e sovranitetit të një vendi në integrim, i “dorëzohet” organizmit ku integrohesh apo kërkon të integrohesh, përmes marrëveshjeve e konventave ku përcaktohen detyrimet e integrimit. Kjo do të thotë ndryshe se sovraniteti s’mund të jetë tërësisht në duart e qytetarëve, përderisa ata vetë kanë pranuar të “dorëzojnë” një pjesë të tij për integrimin e vendit, që është shkalla më e lartë e bashkëveprimit me një “familje të madhe”. Këto “kufizime” mbi sovranitetin janë të mirëllogaritura e në ekuilibër të mirëmenduar…!

8. Pas vitit 1990, shqiptarët kanë pranuar bashkëpunimin me faktorin ndërkombëtar europian e euroatlantik, për t’u anëtarësuar në BE e NATO, duke ia “dorëzuar” këtyre organizmave një pjesë të sovranitetit të tyre… Po ashtu është pranuar me ndërgjegje të plotë roli i ekuilibruar i ndërkombëtarëve edhe në procesin e tranzicionit deri në anëtarësimin e plotë e natyrisht, pra është pranuar roli i tyre për kryerjen e reformave apo realizimin e proceseve gjatë tranzicionit drejt një sistemi demokratik pluralist, me ekonomi tregu dhe shoqëri të integruar në NATO e BE…

9. Pjesëmarrja e ndërkombëtarëve në këtë bashkëveprim është programuar të ishte, ashtu si edhe në vendet e tjera, në formën e “rolit të një arbitri të paanshëm ndërkombëtar” që as ndërhyn dhe as vendos, por asiston, monitoron e këshillon procesin e reformave dhe shpreh opinionin e tij të paanshëm për cilësinë e tyre pas përfundimit të reformave, por edhe për cilësinë e zhvillimit të zgjedhjeve, procesin e mënyrën e ndarjes territoriale apo të ngritjes së institucioneve të drejtësisë. Ky rol, me sukseset e luhatjet e tij, ka qenë prezent fuqishëm në periudhën 1991-2013, por ka “degjeneruar” gradualisht nga 2013 e deri sot, për shkak të Ramës.

10. Të gjitha reformat dhe proceset përkatëse të dala nga këto reforma, kanë dështuar pas vitit 2013, sepse nuk është tentuar që ato të kryhen me “konsensus substancial/konsensus të vërtetë” mes palëve, por “konsensusi fals” mes palëve, është transformuar nga Rama, në një mekanizëm të veprimit autoritar kundër opozitës, duke e detyruar atë ose të kthehet në “fasadë” të Ramës ose përmes imponimit të tij radikal të dalë jashtë sistemit.

11. Ndërkombëtarët, ndryshe nga 23 vitet 1991-2013, s’e kanë stigmatizuar këtë sjellje autoritare, pra s’kanë luajtur rolin e “një arbitri të paanshëm”, madje kanë detyruar opozitën ose të bëhet pjesë e reformave me rregullat anti-konsensuale, autoritare e antidemokratike të Ramës, i cili më tej ka detyruar opozitën të largohet nga sistemi për shkak të veprimeve radikale e të paprecedenta të tij. Madje disa ndërkombëtarë kanë shkuar aq larg sa të detyrojnë, si asnjëherë më parë gjatë 23 vjetëve, opozitën të futet në zgjedhje me rregullat autoritare të Ramës duke deklaruar se “do të njihnin rezultatin” pra suksesin e Ramës dhe pa pjesëmarrjen e opozitës…!

12. Dështimet në 7 vitet e fundit kanë qenë evidente: i) Shqipëria është pa GjK e pa GjL; ii) i gjithë pushteti vendor është në duart e Ramës; iii) i gjithë pushteti gjyqësor kontrollohet nga Rama; iv) ndarja territoriale jokonsensuale është një dështim i plotë përsa i përket shërbimeve ndaj qytetarëve, v) asnjë vjedhje e pasurisë kombëtare dhe e votës, korrupsion, lidhje e qeverisë me krimin apo kultivimi i kanabisit apo trafiqet e drogave të forta nuk janë ndëshkuar, ndërkohë që ndërkombëtarët kanë heshtur.

13. Përfundimisht mund të thuhet se Rama ka ngritur një regjim oligarkik, të interesave të një kupole të korruptuar dhe të lidhur ngushtësisht me krimin e trafiqet. Rama ndërkohë ka tentuar ta kthejë në fasadë apo ta dobësojë, eliminojë e ta zëvendësojë opozitën që lufton e vetmuar me një “fake opozitë”, duke arritur të kontrollojë me dorë të hekurt jo vetëm mazhorancën e parlamentin, por edhe biznesin e madh, medien, shoqërinë civile, drejtësinë dhe zgjedhjet duke i detyruar ndërkohë shqiptarët ose të nënshtrohen nga varfëria ose të emigrojnë.

14. Rama përmes shumave të majme për lobistët apo Diplomacisë së Kanabisit ka tentuar po ashtu të komprometojë segmente apo individë nga faktori ndërkombëtar, ndoshta pa ia arritur qëllimit, por nga ana tjetër shqiptarët në shumicë mendojnë se “faktori ndërkombëtar” gjatë 7 viteve të fundit ka heshtur përballë veprimeve autoritare të Ramës, gjë që Rama e ka konsideruar si mbështetje të veprimeve autoritare apo të interesave të tij korruptive.

15. Për rrjedhojë, ndërkombëtarët 7 vitet e fundit, në rolin e arbitrit, nuk kanë mundur të frenojnë e shmangin këto dukuri negative, madje perceptohen nga shumica e publikut si palë e “bashkëfajtorë” për dështimet e të gjithë reformave, por edhe për procesin e dështuar zgjedhor, ndarjen territoriale dhe ngritjen e sistemit të ri të drejtësisë.

16. Ky është një realitet i hidhur që po i detyron shqiptarët e varfëruar ose të emigrojnë ose t’i nënshtrohen “demokracisë autoritare” të drejtuar nga Rama së bashku me hajdutë të pasurisë kombëtare dhe oligarkë të lidhur me krimin e organizuar e grupet mafioze e manjatët e medias… Shqiptarët presin që ndërkombëtarët të ndëshkojnë sjelljet autoritare të Ramës me shpresën se kjo do të ishte rruga e “butë” e rifutjes së vendit në shinat e demokracisë dhe rikthimit në normalitet, përndryshe revolta e tyre e akumuluar edhe mund të shpërthejë…!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Arditi03/06/2020 17:03

Ishallah nuk je Kol sallkasi i News24...

Koli02/06/2020 22:18

...Rama e ka thene publikisht ; " nuk jam njeri i konsensusit por jam njeri i suksesit" kjo nuk le vend per diskutime ; suksesin eshte i paracaktuar ...

Shto koment

Denonco