Përse nuk nisin arrestime në QSUT dhe Ministrinë e Shëndetësisë?!

Përse nuk nisin arrestime në QSUT dhe Ministrinë e Shëndetësisë?!

Nga Poli Hoxha - 29/05/2020

Një skandal i paprecedent po ndodh në spitalin “Nënë Tereza” në kryeqytet.

Vendi, i cili duhej të ishte më i sigurti dhe më i monitoruari në Shqipëri për sëmundje dhe infeksione, “papritur” është shndërruar në një vatër gjigante për COVID-19. Prej disa ditësh nga kjo vatër ka shpërthyer sërish me shpejtësi infeksioni nëpër Shqipëri, duke riaktivizuar virusin, përveçse në Tiranë edhe në shumë zona të tjera vendit ku mendohej se ai ishte zhdukur.

Bëhet fjalë për dhjetëra të infektuar, personel të spitalit më të madh në vend, pacientë të shtruar aty dhe më e keqja, edhe shumë të tjerë që janë lejuar të largohen për të përhapur më pas sëmundjen nëpër rrethet ku jetojnë.

Ky është një rast flagrant, për të cilin prokuroria duhej të kishte nisur hetimet dhe arrestimet në flagrancë shumë ditë më parë, duke vënë në veprim edhe ndryshimet e fundit që u bënë me aq zhurmë në Kodin Penal nga mazhoranca.

Ka ardhur koha që ndryshimet aq të debatuara për ashpërsimin e fortë të dënimeve që shkojnë deri në 5 vite burg në raste fatkeqësish (epidemish) që Edi Rama i votoi në parlament me bujë, të nisin dhe të ekzekutohen pikërisht brenda një institucioni shtetëror.

Rasti është flagrant dhe ndërkohë, duhej që të ishin ekzekutuar arrestimet e para të drejtuesve të Spitalit Nënë Tereza dhe madje përgjegjësia shkon deri në Ministrinë e Shëndetësisë.

Sipas të ashtuquajturit, Komitet Teknik për COVID-19, gjithçka ka nisur rreth një javë më parë kur një infermiere e këtij spitali është konstatuar me koronavirus. Drejtuesit thonë se i kanë komunikuar asaj që të vetë-karantinohet në banesën e saj, por ajo ka vazhduar që të shkojë në punë duke infektuar kështu dhjetëra personel mjekësor dhe pacientë.

Më e keqja është që ndërkohë që virusi kishte pushtuar spitalin, qytetarë të shtruar aty për sëmundje të tjera janë lejuar që të shkojnë nëpër shtëpitë e tyre dhe si pasojë janë shndërruar në vatra të tjera.

Sipas të dhënave që vijnë deri më sot, përveç “bombës” brenda spitalit dhe në Tiranë, virusi që mendohet se ka si burim pikërisht infermieren është përhapur edhe në Sarandë, Lushnje, Mat, Bulqizë etj.

Autoritet deri më tani po krijojnë alibinë, se fajin e ka infermierja e infektuar, që është rikthyer në punë me “kokën e saj”.

Ky justifikim është jo vetëm qesharak, por edhe kriminal!

Ende nuk ka ndonjë njoftim që prokuroria të ketë nisur hetimet për këtë ngjarje, ndërkohë që duhej të kishte nisur arrestimet pikërisht sipas ligjit të fundit, që Edi Rama e kërkoi me këmbëngulje për një situatë të tillë.

Nga ana tjetër të gjithë pacientët e shtruar apo që kanë shkuar në spitalin Nënë Tereza për probleme shëndetësore që nuk kanë lidhje me virusin, por më pas janë infektuar aty, kanë të drejtën që të ngrenë padi penale dhe civile ndaj shtetit shqiptar.

Pyetjet janë të thjeshta; Kush e mban përgjegjësinë që infermierja e infektuar u lejua që të rikthehej në punë, edhe pse drejtuesit e spitalit e dinin se ishte diagnostikuar me COVID-19?!

Përse u lejuan që të shkojnë nëpër rrethet dhe banesat e tyre pacientët e tjerë që kanë qenë të shtruar në atë spital ndërkohë që dihej se aty kishte shpërthyer një vatër infeksioni?!

Lexoni më poshtë, se çfarë thonë ndryshimet e fundit në Kodin Penal për këtë rast dhe sa është dënimi për autoritet shtetërore.

Neni 89/b i Kodit Penal Përhapja e sëmundjeve infektive

Përhapja me dashje e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin, nëpërmjet kryerjes së veprimeve apo mosveprimeve nga personi që është diagnostikuar si mbartës i sëmundjes apo nga personi që ka qëllim përhapjen e saj, dënohet me burgim nga 2 (dy) deri në 5 (pesë) vjet.
Kur kjo vepër është kryer nga pakujdesia dënohet me gjobë ose burgim deri në 2 (dy) vjet.Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose është rrezikshme për jetën e njerëzve, dënohet me burgim nga 3 (tre) deri në 8 (tetë) vjet.

Neni 242/1 i Kodit Penal Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë

Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me aktet ligjore apo nënligjore të nxjerra nga organet shtetërore, në funksion të gjendjes së epidemisë apo të zbatimit të masave të jashtëzakonshme, nga personi ndaj të cilit është dhënë më parë masë administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 (gjashtë) muaj.

Ligji është i qartë edhe për policinë dhe veçanërisht për prokurorinë. Madje për përmasat që po merr ky rast, hetimi i tij mund të jetë normalisht edhe tagër i SPAK.

Ky i fundit me këtë rast mund të hapë një hetim të plotë për mënyrën, se si qeveria dhe institucionet përgjegjëse kanë menaxhuar situatën e jashtëzakonshme me rastin pandemisë, në çdo këndvështrim.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp29/05/2020 14:39

Pse mos të nisin arrestime në Ministrinë e Shëndetësisë për tenderat në shkelje të ligjit?. Sepse duhet hetuar, duhet kopsitur letrat dhe zbatuar ligjin. Pse një infermere apo shumë infermere paskan fletur zbuluar dhe kanë teshtitur në mes të mixhlisit , prokuroria nuk fillon dot arrestimet.COVID-19 është një grip i zakonshëm. Unë kujtova se Ti Poli, ke kuptuar gjësendi. Cfarë kërkoni të fillojë mbyllja e vëndit. Ja po ta them një thënie të Kryeministrit nëse nuk më ka gënjyer një ish deputet. 'Po të isha në opozitë do ta kundërshtoja karantinimin'. Por kur të mëdhenjtë e botës ,karantinohen, 'Ne nga fundi i dynjasë çfarë do bënim ,plazh?'. Pse nuk flisni për ligjin zgjedhor?. Që do qeverisni bashkë, që keni qënë bashkë, këtë e di edhe bufi. Ndoshta bashkë mund të bëni edhe ca punë të mira, për të rikuperuar imazhin copë copë, ta shohim. Mos na e shtyni karantiniimin se në vënd ti 'vini vetullat do ti nxirni edhe sytë.

Shqiperia eshte CIRK KOLONIAL.29/05/2020 13:36

Shqiperia eshte CIRK KOLONIAL.

Shto koment

Denonco