Rinovimi i shtëpisë së diktaturës vs shkatërrimi me themel i  strehës kombëtare të kulturës

Rinovimi i shtëpisë së diktaturës vs shkatërrimi me themel i strehës kombëtare të kulturës

Nga Ndriçim Mehmeti - 29/05/2020

Në ditët kur opinioni në qytetin e Tiranës dhe më gjerë ishte ende nën tronditjen e fortë të shembjes së një godine, e cila, nuk ishte thjesht dhe vetëm një Teatër Kombëtar, Bashkia e Përmetit, na dha sihariqin e madh, se po rindërtohet shtëpia ku u projektua dhe u hodhën themelte e diktaturës komuniste, shtëpinë e Kongresit të Përmetit.

“Rikonstruksioni i pjesshëm, i shtëpisë së Kongresit të Përmetit , të zhvilluar më 24 maj 1944”, sipas njoftimit të Bashkisë, e kishte bërë të mundur Ministria e Kulturës. Pra Elva Margariti, zonja me hijen e kazmës në kulturën kombëtare, kishte gjetur “xhevahirin më të shkëlqyer të historisë dhe kulturës kombëtare”, shtëpinë e Kongresit të vendosjes së diktaturës më të parë në Ballkan e Evropë, për ta restauruar si qendër muzeale të Luftës Antifashiste.

Ndërkaq, me një qetësi prej vrasësi gjakftohtë, ministrja e kulturës, na mbushte mendjen studio më studio, se “godina e teatrit  nuk bënte, se si një njohëse e “shkëlqyer” e arkitekturës italiane”, godina përkundruall Ministrisë së Brendshme (ose më mirë Ministrisë së Luftës dhe të Dhunës”, nuk kishte asnjë pikë rëndësie historike, kulturore, arkitekturore e pallavra të këtij lloji.

A ishte njoftimi i Bashkisë së Përmetit, thjesht një ngazëllim provincial i realizmit të një vepre të madhe kombëtare?

Jo. Ishte karshillëku i radhës i arrogancës së regjimit Rama, kundër popullit të vet. Si qëmoti në Luftën Antifashiste, tani pasardhësi më i denjë i “luftërave të çlirimit të popullit”, po e i hedh kundër njëri-tjetrit shqiptarët e gjorë me kartën e vjetër të ndërtesave të fashizmit përballë ndërtesave të popullit fukara, ku lindën vendime të mëdha. Dhe këtë na i ka bërë të qartë Komandanti inë i 2020, me të njëjtin pathos të Komandantit të 1944-ës. “Karakatinë italiane, bordello e ushtarëve italianë, kazermë pa vlerë e ushtrisë fashiste, Dopo Lavoro” e të tjera gënjeshtra të trasha në dukje por shumë të rafinuara me qilimin për të evokuar, faktin e “njohur botërisht” se, “ne shqiptarët kryelartë që fituam të gjitha betejat, përfshi edhe atë me breshkaxhinjtë italian”.

Streha e parë e kulturës kombëtare dhe njëkohësisht emancipimit perëndimor të kryeqytetit shqiptar, u linçua si “një mizerje e ndërtimit me pupurit e tallazh, sandwiç e llamarinë, që ishte gati në rrënim, që ishte fole minjsh të përmasave të hipopotamit, që nuk kishte WC, rekuizitë, dhomë gjumi dublex, hidromasazh dhe banjo turke për relaks,” etj, etj. Prandaj vendimi u mor njëzëri, prej popullit e deri tek udhëheqësit më të lartë të partisë e të shtetit: Të shembet ajo e mallkuar karakatinë e Italisë dhe të lartësojmë shtëpinë e vendosjes së themeleve të diktaturës komuniste në Shqipërinë tonë të dashur. Dhe ja shëmbëlla më e qartë na vjen nga Përmeti.

Shkatërrojmë një vjetërsirë në mes të kryeqytetit me “gjithë fantazmat e epokës më të errët”, dhe gjejmë një shtëpi të ngritjes së sistemit të shkatërrimit të vlerave njerëzore dhe e sjellim në mes tuaj pa asnjë dhimbje koke, pa brejtje ndërgjegje e pa pishmane. Prandaj lajmi i provincës, i Përmetit të glikove dhe klarinetës, na duhej këtë herë jo për të dërguar në Evropë e kudo disqet me kabanë e mrekullueshme të usta Laverit, por ngritjen e një ndërtese të turpit për të gjithë vendin. Atje, në atë shtëpi, ku Enver Hoxha mori vendimet për të vendosur në vendin tonë një regjim gjakatar, do të mjaftonte një pllakat: “Këtu nisi rrugëtimin diktatura më e egër që u vendos në kurriz të shqiptarëve në kohët moderne”.

A zëvendësohet streha e kulturës kombëtare me ristrukturimin e shtëpisë së diktaturës?

Ata që e promovuan ndoshta e besojnë edhe vetë ose me shumë gjasa bëjnë sikur e besojnë dhe më shumë e dëshirojnë të ketë një efekt të tillë. Mundet që duke shkruar këto radhë, edhe unë bëj gabim që i jap më shumë rëndësi një ngjarje provinciale pa asnjë impakt në jetën e një vendi. Gjithçka mbetet e hapur si një mundësi. Megjithatë unë vetë besoj se restaurimi, apo rrëshqitja më saktë drejt një autokracie, me/pa ngjyra të kuqe, apo thjesht siç i vizaton piktori ynë kryeministër, si shenjë të parë ka ringritjen e modeleve që adhuron.

Pas 7 vjetësh, nuk ka dyshim që kryeministri ynë adhuron pa masë modelin ekonomik të oligarkisë dhe modelin politik të komunizmit. Ai shemb e shkatërron gjithçka, në emër të fitimit, parasë që vjen në llogaritë e tij, por njëkohësisht ai ngre lart e më lart kultin e tij. Historia duhet të filloj me të.

Shkatërroi me projekte e plane rregulluese, që zëvendësonin njëri-tjetrin, të gjithë Bulevardin, që vetëm emri i ka mbetur Zogu I dhe asnjë tipar tjetër i identitetit të dikurshëm. Ringre nga hiçi piramidën dhe prish me radhë gjithçka që simbolizon qytetin në të kaluarën: Kinema 70 e më shumë vjeçare, ndërtesën e shkollës së parë shqipe në Tiranë, shkatërron muret e kalasë së vjetër të Tiranës dhe ngre muret moderne të kalasë së ngritur prej tij, shkatërron ndërtesën e Teatrit Kombëtar; fundos kullën e sahatit dhe ngre mbi to kullat shumëkatëshe; ndërtime pafund në zonat e gjelbra në këmbim të betonit; ndërton gjitha qendrat e qyteteve njësoj, duke zhdukur individualitetin, që është karakteristika bazë e një qendre të banuar e kështu me radhë.

Ai drejton projektin 100 zona rurale, komitetin e rindërtimit, të Covid, të reformimit të arsimit, të kulturës, ekonomisë, industrisë, bujqësisë dhe agro-përpunimit. Gjithçka kalon nga tryeza e Komandanti, dizenjohet dhe shpërndahet si arritje nga ai ose të tjerë, pavarësisht emrit që del në ekran Arben, Maznik, Margarit, Denaj, Klos, kjo nuk ka are rëndësi. A e patë çfarë ndodhi me ndërtesën e teatrit? Të gjithë me radhë kishin mendjen dhe argumentet e Komandantit: Maznik, Vasil, Mragarit, Imam, e kishin me ndërtesën. “Një vjetërsirë që si duhej askujt, që nuk rrinte dot me këmbët e veta, që duhej zhdukur që në 1973, jo jo Shef, më herët në 1958.”

Në madhështinë e marrëzisë së vet, aktor, politikan, të ashtuquajtur administrator të qytetit, ju turrën godinës, duke e bërë shoshë në kritika “racionale”, duke harruar shumë e shumë gjëra. Harruan që ajo nuk ishte godina e Teatrit, por streha e parë e kulturës kombëtare shqiptare, dëshirës për më shumë dritë e emancipim në kryeqytetin shqiptar. Nuk u kujtua askush të thoshte, “po mirë me çfarë të drejte artistët edhe nëse janë shumicë vendosin për një godinë që nuk është e tyre por pronë e shpirtit të shumë brezave të një qyteti të tërë?”

Pse nuk u lanë këtyre qytetarëve pak kohë, për të shprehur mendimin e tyre, por vendosën edhe ata që kurrë nuk e dinë adresën e asaj godine që u rrënua përdhunshëm. Por jo, godina duhej zhdukur dhe pak firma, shumë manipulim politikanësh ku u përfshinë me shumë dëshirë edhe gazetarë e artistë. Ndërtesa u rrënua e u grabit me izëm të qeverisë, njerëzit u shoqëruan në komisariate në mënyrë të dhunshme, si vetë sjellja me godinën. Ndërkaq Evropa foli qartë për këtë dhe e zemëruar për këtë krim të paprecedent në një vend të ashtuquajtur demokratik. Por të gjitha këto nuk kanë asnjë rëndësi në fund të ditës. Na duhej patjetër në këto ditë një vepër e matshme me strehën e kulturës tonë kombëtare, asaj që prej shumë vitesh quhej godina e Teatrit Kombëtar: Suksesi i modernizimit të shtëpisë së diktaturës në Përmet

Pra me pak fjalë dhe e thënë shqip: Emancipimi do na vijë nga shtëpia e Kongresit të Përmetit dhe jo nga godinat karakatinë të Italisë, si ajo e Teatrit Kombëtar. Rikonstruksioni i kësaj shtëpisë së Kongresit, do t'i japë famë Tiranës, Shqipërisë e madje lajmi do të pushtoj zemrat e banorëve të Brukselit, Parisit, Berlinit Londrës e Romës.

“Hija e saj”, plot shkëlqim do të largojë zymtinë që na pllakosi prej Corona-virusit në mbarë e Evropën e do të udhëtoj me “çapin e saj të rëndë” në Azi, Afrikë, Australi e Amerikë.

Provincializmi do të triumfojë si gjithnjë në mendjet e sëmura, mbi vlerat e larta të historisë. Po pse kaq mjeran jeni saqë mund ta besoni edhe këtë marrëzi,  o zuzarë, zullumqarë dhe grabitqarë?

© SYRI.net

Lexo edhe

Tags

Komentet

Shto koment

Denonco