Dy reformat dhe konflikti Basha- Meta

Dy reformat dhe konflikti Basha- Meta

Nga Fitim Zekthi - 28/05/2020

Gati në mënyrë të beftë në Shqipëri ka nisur një debat i madh mbi Reformën Zgjedhore dhe mbi Reformën në Drejtësi. Ky debat ka prodhuar një nëndebat mbi marrëdhëniet brenda opozitës.

Gjëja e parë që duhet thënë është se sfondi në të cilin zhvillohet ky debat është ai i një krize të thellë ekonomike, politike dhe sociale të vendit. Kjo krizë në tërë kuptimin e vet është organike që do të thotë se nuk ka mbetur qelizë pa u prekur dhe se qeverisja e ka të pamundur të prodhojë më një narrativë apo një diskur që mund ti bëjë njerëzit të besojnë se ajo ka fuqinë ta fusë vendin në një kurs optimizmi dhe shprese.

Qeverisja është kthyer në një menaxhim krize dhe po bën pikë për pikë atë që bën një qeveri autokratike dhe e mbaruar në një situatë të tillë kur vetëm menaxhon krizën.

Qeverisja po përpiqet të dalë pa u dëmtuar shumë politikisht dhe njëherazi po përpiqet që të mos lejojë opozitën të përfitojë nga kjo krizë. Siç thuhet në manualet më të këqija të menaxhimit të krizave nga autokratët, Rama po mundohet të mbjellë dyshime, të shkaktojë pakënaqësi, të njollosë, opozitën, të nxisë konflikt brenda saj.

Reforma Zgjedhore po hyn në fazën e saj fundore dhe ajo nuk ka asnjë mundësi të prodhojë rezultat konkret. Që reforma jonë zgjedhore të prodhojë rezultat konkret duhet që ajo të identifikojë problemin bazë që shfaqën zgjedhjet e vitit 2017 në Shqipëri.

Ky problem është blerja e votave nga një mekanizëm i organizuar, i drejtuar nëpërmjet një strukture kontrolli vertikal nga njeriu më me pushtet tek fshatari më i dobët në fshatin më të largët. Ky mekanizëm kriminal në mënyrë kirurgjikale qendër votimi pas qendre votimi bleu aq vota sa i mundësuan qeverisë marrjen e mbi 71 mandateve.

Ky mekanizëm përdori agjentë elektoralë që ishin njerëz të PS-së, njerëz të strukturave të lidhura me biznese që marrin privilegje nga qeveria apo nga entitete të botës së krimit që janë pjesëmarrës në vendimmarrjen politike. Këta agjentë për ditë apo edhe muaj me radhë caktuan objektiva, kontaktuan votues dhe blenë vota. Ajo që i transmetua nga gazeta Bild për Durrësin dhe Dibrën ishte vetëm maja e një ajsbergu të tmerrshëm.

Që reforma të ketë sukses duhet që ajo të prishë këtë mekanizëm. Që ajo të prishë këtë mekanizëm duhet që ai që kontrollon dhe ai që ka çelësat e këtij mekanizmi të ikë. Është njëlloj si në legjendën e folklorit tonë ku një kuçedër ka bllokuar burimin dhe në fshat ka thatësirë, ka zi buke, ka vuajtje, ka mjerim.

Kuçedra nuk mund të vritet sepse ka shumë koka të cilat përtërihen. Kuçedra kontrollohet nga një gjarpër që rri në një guvë. Duhet kapur apo neutralizuar gjarpri.

E njëjta gjë edhe me mekanizmin që blen zgjedhjet. Ai është kuçedra, pra duhet larguar qeveria. Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk mund ta bëjë kurrë këtë gjë. Rama nuk do ta pranojë kurrë. Fuqia e vetme e Ramës është ajo e të qenit kryeministër, njeri që ka çelësat e këtij mekanizmi.

PD dhe Basha janë në këtë tryezë të reformës zgjedhore sepse duhet të jenë në të. Ata, nuk mund të kenë iluzione për rezultatin. Bundestagu, Komisioni Evropian, e kanë kërkuar këtë tryezë dhe e kanë vënë si kusht reformën zgjedhore. Me anë të kësaj tryeze PD hyn në sistem, konfirmon drejtësinë e betejës së saj dhe shpall deligjitimimin e parlamentit. Rama ka bërë dhe do të bëjë gjithçka që PD ta braktisë këtë tryezë. Rama dëshiron që opozita të shfaqet destruktive, e paaftë, në krizë, në konflikt të brendshëm.

Basha nuk po ia lejon dhe po e bën atë që të zbulohet qartë në synimet e veta.

Ambasadorja amerikane Yuri Kim, e ka shprehur qartë se ajo që po bën Basha është e duhura dhe rruga e vetme. PD dhe Basha janë në një sinkron me SHBA-të. Duke qenë se Rama nuk po arrin ta nxjerrë nga shinat PD dhe opozitën atëherë ai po përpiqet të shtyjë Bashën dhe PD-në t’i bashkohet debatit për reformën në drejtësi. Këtë Rama e bën nëpërmjet zhurmës, shkrimeve, kronikave, provokimeve, qasjeve apo frymës që rreket të mbjellë në media dhe kudo ku kërkon të thotë se opozita, PD, presidenti Meta duan të lidhin reformën zgjedhore me atë në drejtësi, duan të pengojën ose dëmtojnë reformën në drejtësi, kanë frikë nga reforma dhe marrina të tjera.

Në të vërtetë reforma në drejtësi është në një krizë të plotë. Jo vetëm që nuk po ngrihet Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë por edhe SPAK, Prokuroria e Përgjithshme apo KLP dhe KLGJ po funksionojnë keq, po funksionojnë dhe po mbushen me shumë politikë, me njerëz që vijnë nga organet e regjimit komunist, me partitizëm etj.

Presidenti Meta ka kohë që ka hyrë në një betejë me qeverinë për të mos lejuar kontrollin e këtyre institucioneve nga qeveria. Këtë betejë presidenti po e vazhdon fort edhe këto ditë. Kjo është diçka kurajoze por edhe pjesë e detyrave të presidentit të republikës. Mbrojtja e Kushtetutës është sfida, detyra dhe përgjegjësia e presidentit.

Opozita dhe kryetari i PD-së Basha kanë bërë luftën e tyre për reformën në drejtësi. Nga vjeshta e vitit 2015 dhe deri në korrik të 2016 PD-ja bëri që projekti diabolik i PS-së dhe i “ekspertëve të nivelit të lartë” (një grup juristësh në shumicë ish hetues të regjimit komunist) të ndryshonte shumë dhe të mos lejonte në letër kapjen e gjyqësorit.

Nga vera e 2016-ës deri në mes të 2017, PD nuk pranoi të votonte ligjet që zbatonin reformën sepse PS-ja prishi konsensusin. Janë ato ligje që shkatërruan reformën dhe sollën problemet e sotme. Pasi reforma u mbyll nga pikëpamja legjislative atëherë PD-së nuk i mbeti veçse të përkrahte ngritjen e institucioneve dhe zbatimin korrekt të Kushtetutës. PDE, Basha në shumë raste kanë shprehur mbështetje të fortë për reformën dhe kanë kërkuar që ajo të çojë në ngritjen e shpejtë dhe të drejtë të institucioneve, në ndëshkimin e krimit dhe korrupsionit.

Axhenda e opozitës, sfida e opozitës, detyra dhe përgjegjësia e opozitës është thënia e të vërtetave dhe ndërtimi i një alternative qeverisëse. Opozita nuk ka lënë të vërtetë të madhe pa thënë që nga trafiku i drogës me avionë tek tenderat sekretë, tek mbushja e parlamentit me njerëz që vijnë nga trafiku.

Opozita është përpjekur të ndërtojë alternativë por rrugës ka pasur shumë helm dhe shumë gjemba.

Opozita duhet të përballej me blerjen e votave, me shkeljet e kushtetutës, me uzurpimin autokratik të pushteteve nga qeveria, me Tahirin, me Xhafajn etj. Këto pengesa kanë bërë që fokusi tek ndërtimi i alternativës të jetë më i zbehtë. Ajo më shumë ka qenë e detyruar të kthehet në një barrikadë.

Tashmë kur zgjedhjet po afrojnë, kur ndërkombëtarët, Bundestagu, Komisioni Europian, ambasada e SHBA-së, etj, e kanë të qartë se çfarë përfaqëson qeveria, dhe kërkojnë një reformë zgjedhore, kërkojnë një opozitë në tryezën e reformës PD dhe Basha nuk mund të ndjekin drejtim tjetër.

Basha, opozita, po sillet brenda përgjegjësisë dhe detyrës së opozitës. Presidenti Meta po sillet brenda përgjegjësisë dhe detyrës së presidentit. Këto dy përgjegjësi ngjajnë por nuk janë të njëjta. Këto përgjegjësi gjithsesi nuk janë kurrë të kundërta.

Me shumë diabolizëm Rama, bash si autokrati në ditët më të këqija të tijat, në ditët e aktivitetit të vetëm që mund të bëjë, përpiqet të paraqesë apo sajojë një dualitet, një kundërshti president – opozitë.

Rama nuk ka numra, nuk ka vota. Ai e di se koalicioni i sotëm i opozitës atë e mund qartë. Ai e di se e vetmja mënyrë që të qëndrojë në lojë është prishja e këtij koalicioni.

Rama harron se ky koalicion është i paprisshëm sepse nuk ekziston më askush që do ta pranonte një koalicion të Ramës me ndonjë parti të opozitës dhe sepse kjo lojë e vjetër e Ramës tashmë është djegur.

Deri në zgjedhje do të kemi një opozitë që bën politikë, që përpiqet të bëjë reformë zgjedhore dhe që përpiqet të ndërtojë alternativë sepse kjo është në thelb përgjegjësia e saj dhe një president kurajoz që mbron kushtetutën dhe kërkon moskapjen e gjyqësorit nga Rama sepse kjo është përgjegjësia e tij.

Janë gjëra qartësisht të ndara dhe çdo përpjekje për për të krijuar dualitet apo konflikt është një gjë kot. Kjo është pikërisht ajo që ka më shumë frikë Rama sepse ai vetëm këtë zgjidhje sheh si të favorshme për vete.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco