Pse Edi Rama nuk 'është i aftë' për konsensus, por ka aftësi të përçajë?

Pse Edi Rama nuk 'është i aftë' për konsensus, por ka aftësi të përçajë?

Nga Enver Bytyçi - 26/05/2020

Një deklaratë e Edi Ramës javën e kaluar në foltoren e parlamentit shqiptar kaloi pa u vënë re. Eshtë fjala për atë që ai pohoi me gojën e tij, se “nuk është i aftë të krijojë konsensus, por u qëndron bindjeve të tij”! Në këtë pohim qëndron një pjesë e të vërtetës, por jo e vërteta e plotë. Edi Rama nuk pranon këshilla, nuk pranon mendimin e dikujt, qoftë dhe pak i ndryshëm nga mendimi i tij, për pasojë nuk pranon konsensus, dialog dhe bashkëpunim.

Në kushte të tilla lind pyetje se cila është gjysma tjetër e së vërtetës? Ajo ka të bëjë me faktin se kur dikush nuk pranon mendimin ndryshe e mendimin e kundërt, në vend të konsensusit shndërrohet në një person arrogant. Kur ky njeri, me emrin Edi Rama, është kryeministër prek jo vetëm arrogancën, por merr gjithashtu tiparet e diktatorit. E kundërta e bashkëpunimit është kundërshtimi. Ndërsa e kundërta e konsensusit është ndarja dhe përçarja. Të dyja këto shkaktojnë përçarjen, konfliktin politik, social e deri te konflikti civil. Konflikti përfundon në dhunë, e cila funksionon vetëm në anën e diktaturës.

Forcën për dhunë ta jep pushteti. Kësisoj shkojmë te aksioma e pakontestueshme se Edi Rama në pushtet nuk përfaqëson vetëm arrogancën dhe mosbashkëpunimin, por edhe tiparin dallues të ndarjes e përçarjes. Shembuj për këtë gjenden pa fund. Por tragjikja qëndron te fakti se kryeministri i sotëm i Shqipërisë, si asnjë politikan tjetër në historinë e shtetit shqiptar, ka përçarë e ndarë, duke shkaktuar një zinxhir konfliktesh në politike në Kosovë, gjithnjë për llogari të Beogradit! Ndërsa brenda vendit ai ka shkuar pa asnjë pengesë drejt dhunës hakmarrëse kundër çdokujt që shihet si kundërshtar ose rrezik për pushtetin e tij.

Edhe për këtë ai shembujt i jep çdo ditë e madje çdo orë. Një politikan e sidomos një lider që nuk është në kërkim të konsensusit është i prirur drejt metodave të përjashtimit. Përjashtimi ushtrohet kryesisht në formën e diskriminit. Ky tipar është thelbësor në qeverisjen e Edi Ramës në çdo kohë, në situata normale dhe në ato të jashtëzakonshme, në fatkeqësi tërmeti e në atë pandemie, në dimër, pranverë, verë e në vjeshtë. Ai mbart të gjitha tiparet e një diktatori, selektiv deri në ekstrem, dhunues deri në dhimbje, mizor deri në tallje, hipokrit deri në inde, satrap deri në çmenduri, i pacipë deri në paturpësi, i marrë deri në marrëzi! E gjitha kjo, sepse ai, siç e pranon vetë, e urren konsensusin, ka antipati për bashkëpunimin. Edhe kur bashkëpunon harton skema tradhtie me thikë pas shpine sapo të kalojë një situatë kritike për veten e tij. Mungesa e konsensusit dhe dëshirës për bashkëpunim e bën kryeministrin shqiptar egoist, individualist dhe e personalitet që jeton në dubiozë.

Etja e tij për lavdi e bën që të jetë natë e ditë në kërkim të kultit individual. Aq shumë lakmitar është ai ndaj lavdisë dhe pasurisë, sa nuk shikon asgjë tjetër përveç këtyre dy ambicieve të tij. Ai nuk i sheh që prej shtatorit dhe nëntorit të vitit të kaluar viktimat e tërmetit në çadra dhe në mjerim! Nuk i sheh ata që vuajnë për mbijetesë e madje me cinizëm u thotë se “Askush nuk vdes për bukë”! Ai nuk ndjen dhimbje, përkundrazi neveritet, kur njerëzit në nevojë zgjedhin litarin e vdekjen për t’i shpëtuar kësaj jete mizerabël.

Sipas medieve perëndimore ai në shtatë vite e ka rrit varfërinë, ndonëse rritja ekonomike e vendit ka pasur ritmet e vendeve fqinjë, të cilat e kanë ulur tre-katër fish më shumë se ne nivelin e mjerimit te popujt e tyre! Kjo ka ndodhur, sepse pasuria dhe rritja ekonomike në Shqipëri ka shkuar në pak duar, te oligarkët dhe kriminelët! Dhe e gjitha kjo ka të bëjë me një fenomen të çuditshëm. Ai, kryeministri i Shqipërisë pra,i cili pranon se nuk është i aftë të bëjë konsensus politik, ka një aftësi të jashtëzakonshme ta gjejë gjuhën e përbashkët me krerët e bandave, kriminelët dhe mafien në funksion të shtimit të pasurisë së tij të pamatë! Ai, kryeministri i Shqipërisë pra, i nuhat bashkëpunëtorët e tij në skutat e errësirës nga era e drogës, nga shenjat e trafiqeve, dhunimit, përdhunimit dhe vrasjeve që kanë kryer në të kaluarën! Ky fakt e përgenjështron aftësinë e Edi Ramës për konsensus. Konsensusi lidhet thjesht me interesin personal, lavdinë dhe pasurinë e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco