As ministër, as gjeneral

As ministër, as gjeneral

Nga Pëllumb Nako - 25/05/2020

Në psikologjinë sociale njihet dhe flitet shumë për autoritetin dhe bindjen ndaj tij. Sipas psikologëve bindja ndaj autoritetit është një mekanizëm psikologjik i cili ndërlidh veprimin individual me qëllimin politik dhe që ndikon mbi personin që ai të kryejë veprime edhe jashtë bindjeve, etikës, moralitetit të tij.

Madje duke qenë edhe i ndërgjegjshëm që i bën keq viktimës mbi të cilën vepron. Në kushtet e një formimi ushtarak ku urdhri dhe bindja janë kolonat mbi të cilat ndërtohet veprimi, aspektit psikologjik të individit i shtohet edhe ai profesional i formimit.

Ky është konteksti i psikologjisë sociale në të cilin u shfaqën veprimet policore mbi të ngujuarit e Teatrit Kombëtar. Zelli i tyre për dhunë falas ndaj kujtdo, ishte reflektim direkt i motivimit që kishin marrë nga autoriteti të cilit i binden, sepse veprimet e tyre nuk u kushtëzuan për asnjë çast nga ligjshmëria. Më se natyrshëm, në të njëjtin dimension me punonjësit e policisë, u shfaq edhe titullari i Ministrisë së Brendshme në komunikimet e tij publike për të legjitimuar veprimet policore gjatë ndërhyrjes.

Në fakt, teprimet e ushtrimit të forcës nga ana e policisë tashmë janë bërë të shpeshta sepse ndërmjet tyre dhe burimit të urdhrit nga maja më e lartë e autoritetit qëndron një titullar politik me ndjenjë të lartë bindjeje ndaj të parit dhe po ashtu me synime politike. Këto dy elemente psikologjike dhe jo ajo prej shtetari, e bëjnë gjeneralin e Ministrisë së Brendshme të motivohet për dalë rregullisht jashtë vetes edhe kur ka bindjen se vepron keq, por edhe kur e ndjen që asgjë që thotë nuk zë vend. Pavarësisht se nuk ka fuqi ligjore mbi policinë, autoriteti i tij si titullar politik në institucion ruan fuqi edhe më të fortë se ligji dhe se drejtuesit policorë.

Ky pra duket konteksti psikologjik mbi të cilin vepron ministri sepse do të ishte fatkeqësi që gjithçka që flet, të jetë fryt i mosnjohjes as të ligjeve e as të funksionimit të shtetit. Në daljet televizive, ministri e justifikon shkuljen e numrave të identifikimit nga ana e agjentëve të policisë, të cilët ndërhynë mbi të ngujuarit. Po ashtu në të njëjtën logjikë me të, disa reparte ndërhynë me kamuflazh në fytyrë dhe madje edhe me kaskat e motoçikletave, për të mos folur për armatimin. Pra kundër kujt ndërhynë ata, përse e fshehën veten?

Të ngujuarit e teatrit ishin një grup individësh me mbështetje të gjerë publike të cilët kontestonin ligjshmërinë e një vendimi qeveritar mbi një ndërtesë në të cilën ata kanë dekada që punojnë dhe që ka simbolikë të ndjeshme. Ata nuk ishin aty për ta uzurpuar ndërtesën me qëllime përfitimi apo për të dëmtuar pronën publike apo për ta tjetërsuar atë. Uzurpimi mbeti formë kundërshtimi. Pra secili prej tyre nuk kishte asnjë interes personal, qëllimi i tyre nuk ishte për asnjë sekondë kriminal, por kontestues.

Nga ato që u thanë rezulton se policisë iu kërkua të ndërhyjë për të zmbrapsur këtë kontestim, në emër të interesave të një shumice publike. Por u harrua të thuhet se gjëja e parë që duhet të reflektojë shteti në këtë rast, është jo vetëm transparenca duke lejuar median të jetë kudo e pranishme, por edhe dukshmëria e veprimeve policore. Sepse është shteti ai që po ndërhyn dhe po përdor forcën kundër qytetarëve të tij dhe jo kundër kriminelëve.

Krimineli dhe manifestuesi që kundërshton një vendim qeverie (edhe me forcë) janë shumë larg në raport me njëri-tjetrin dhe në raport me ligjin ndaj dhe dukshmëria e veprimeve në këtë rast duhet të jetë si drita e diellit. Madje ajo nuk lidhet vetëm me veprimet e policisë, por të njëjtën dukshmëri duhet të kenë edhe simbolet e uniformës së gjithë reparteve sipas specifikës së tyre. Dhe aq më tepër numri i identifikimit. Sepse gjithçka është simbol i shtetit. Po ashtu formaliteti gjatë procesit të ndërhyrjes mbetet pjesë e rëndësishme e dukshmërisë. Sepse shteti po ndërhyn me forcë kundër qytetarëve të tij dhe akti duhet të karakterizohet nga një formalitet solemn. Sigurisht kur bëhet fjalë për një shtet serioz që i merr seriozisht qytetarët e tij.

Ish-gjenerali e di mirë që kur bëhet fjalë për të nisur një kompani në Irak apo në Afganistan, ajo shoqërohet me solemnitet në kryerjen e misionit të saj, sepse përfaqëson shtetin megjithëse në një vend diku larg interesave imediate të publikut. Ndërkohë i njëjti solemnitet dhe dukshmëri nuk e shoqëron shtetin kur ai nëpërmjet policisë përdor forcën kundër qytetarëve të tij. Këtu nuk bëhet fjalë për një ide, por për praktika të njohura në vendet me demokraci të zhvilluar.

Ndërhyrja me forcë ndaj manifestuesve në vendet perëndimore shoqërohet me një protokoll mjaft formal. Në krye të forcave të policisë të cilat janë të gatshme për të ndërhyrë, ligjërisht qëndron Kryetari i Bashkisë së qytetit ku zhvillohet manifestimi. Ai mban shallin e tij zyrtar simbol i autoritetit për të urdhëruar oficerin e policisë që kryeson njësitë policore, të ndërhyjë me forcë. Në mungesë të kryetarit, ligji parashikon një të dërguarin e tij, por me kusht që të jetë civil. Pra në përdorimin e forcës nuk kanë dukshmëri vetëm forcat policore, por edhe autoriteti nga buron urdhri i ndërhyrjes.

Përse kërkohet ky solemnitet dhe dukshmëri në raste manifestimesh publike? Sepse shteti po ndërhyn me forcë kundër qytetarëve të tij dhe kjo është përgjegjësi e madhe në kuadrin e ruajtjes së kohezionit social. Sepse këtë përgjegjësi ai i merr në mënyrë publike dhe autoriteti ose i dërguari i tij duhet të jetë i pranishëm. Sepse autoriteti është i bindur që ndërhyrja me forcë në këtë rast është në favor të së mirës publike dhe mbi të gjitha ka bindjen absolute se përdorimi i forcës presupozon jo vetëm zbatimin e ligjit, por edhe ligjshmëri të vendimit të marrë dhe të kontestuar nga pjesa përballë tij.

Diçka e tillë nuk u pa te teatri. Aty shteti u fsheh si cubat e maleve. Aty shteti humbi dukshmërinë dhe në vend të tij u shfaqën grupe individësh me uniformë që keqtrajtonin manifestuesit. Gjithë veprimet u kryen të drejtuara nga psikologjia e bindjes dhe jo nga ligji. Shtet i cili ka frikë të duket ose e ndjen që është në kushtet e një ilegjitimiteti të frikshëm, ose ka mbaruar së qenuri shtet i së drejtës. Nga ana tjetër, duke abuzuar me autoritetin që zotëron mbi trupën policore, shteti e futi policinë në një kurth duke e shkelur rëndë dinjitetin e saj si institucion publik i të gjithëve.

/Mapo.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Tags

Komentet

tirana25/05/2020 14:47

Ishte je material shume analitik nga ana ligjore dhe psikologjike , te cilin e lexova me nje fryme dhe mbeta shume i nformuar ne fushen e policimit qytetar .
Ju faleminderit shume .

Shqiptari25/05/2020 12:46

SOT KEMI TE NJEJTAT STRUKTURA SI NE KOHEN E KOMUNIZMIT!! MINISTRA - ANTARE TE BYROSE POLITIKE DHE TE KOMITETIT QENDROR TE PPSH!!! KY ESHTE PARADOKSI I DEMOKRACISE SHQIPTARE: MINISTRAT E QEVERISE JANE EMERTESA POLITIKE!!! QEVERIA NUK DUHET TE JETE POLITIKE, PARLAMENTI ESHTE POLITIK. EKZEKUTIVI NUK DUHET T'I SHERBEJE POPULLIT POLITIKISHT. EKZEKUTIVI PERVEC KRYEMINISTRIT DHE ADMINISTRATES SE KRYEMINISTRISE DUHET TE JETE TEKNIK, PROFESIONAL DHE I AFTE PER CDO SEKTOR QE MBULON DHE TE JAPE LLOGARI PERPARA KRYEMINISTRIT DHE PARLAMENTIT. MINISTRAT NUK DUHET TE KENE MANDATE DEPUTETESH, NUK DUHET TE FSHIHEN PAS MANDATEVE PER DESHTIMET E TYRE!!!! RAMA E NISI KESHTU, POR MASHTROI PATURPESISHT!!!
EKSPERIMENTET E RAMES NUK JANE PROVE PER DIKTATUREN E RE, POR PO TREGOJNE SE SA POPULL I MBARUAR DHE PULA TE TREMBURA JANE SHQIPTARET!!! PO TREGON SE VETE POPULLI SHQIPTAR E DO DIKTATUREN, E ADHURON, PA DIKTATURE NUK JETON DOT!!! PO TREGON SE JEMI POPULLI ME I NENSHTRUAR, PA DINJITET DHE ME EGOIST NE BOTE!!! KJO TREGON SE SHQIPTARIA KA VDEKUR QYSH NE 2013!!! SOT SHQIPTARET PROTESTOJNE DHE NGREJNE KRYE VETEM ME ARTIKUJ NEPER GAZETA, NEPER PORTALE, NE TWITER DHE NE FB!!!
NIVELI KULTUROR, ARSIMOR, NJEREZOR DHE INTELEKTUAL I SHQIPTAREVE PO SHKON DREJT ZEROS!!! INJORANCA PO SHKON DREJT RRITJES! SKLLAVERIMI, VETEIZOLIMI, NENSHTRIMI DHE FRIKA JANE TREGUES TE NIVELIT NE RRITJE TE INJORANCES!!
ESHTE GALLATE FARE ME SHQIPTARET!!! TE GJITHE NEPER KOMENTE SHKRUAJNE: SI NUK DOLI NJE, DY APO TRE SHQIPTARE QE T'IA NUMEROJNE NE LULE TE BALLIT KETIJ SATRAPIT TE SURRELIT!!!!??? TE GJITHE PRESIN QE SATRAPIN E SURRELIT T'UA VRASE ZOTI, T'UA RREZOJE NGA PUSHTETI SHBA, BE, MERKEL APO NDONJE FORCE E MBINATYRSHME!!!!

Shto koment

Denonco