Plani i dyfishtë i Ramës & Co

Plani i dyfishtë i Ramës & Co

Nga Çim Peka - 19/05/2020

Në çdo luftë, që kur ato janë zhvilluar në mënyrë të organizuar mes fiseve, principatave, shteteve apo shtresave të ndryshme shoqërore në gjithë historinë e njerëzimit, objekti më i çmuar e më i shenjtë për çdo palë përballë, ka qenë e është gjithmonë flamuri.

Në ‘betejën’ finale të mëngjesit të 17 Majit për Teatrin Kombëtarë, nëse shihni me vëmendje pamjet filmike kur arma më e dashur dhe më e preferuar e Edi Ramës dhe Erion Veliajt, Fadroma, nisi të qëllojë mbi muret e asaj kështjelle të vetmuar për rreth 2 vite; mes pluhurit dhe gërmadhave një flamur kuq e zi u varros dhimbshëm dhe turpshëm.

Ata që mbronin Teatrin ishin pak dhe të pafuqishëm; ata që mbronin Fadromën ishin mijëra dhe të armatosur rëndë. Ra një Teatër e një Flamur, për të fituar një territor.

Kaq mjafton për të ngushëlluar dhe kthjelluar të gjithë ata që po merren me lot në sy me anën sentimentale, nostalgjike, historike dhe të vlerave arkitekturore të asaj godine që nuk është më.

Flamuri e Teatri janë të Shqipërisë!

Po ata që i groposën natën e në mes të Tiranës, të kujt janë e për çfarë luftojnë?!

Ky është thelbi; kjo është rrënja që duhet zbuluar për të kuptuar jo vetëm shembjen e Teatrit Kombëtarë, por edhe shumicën e projekteve që ka bërë dhe ka në plan të mbyllë me shpejtësi Edi Rama.

E përdora simbolikën e Flamurit për ata që habiten dhe pyesin, se ku e gjeti guximin Rama & Veliaj që të kryejnë një akt kaq ekstrem, duke provokuar popullin, opozitën, Bashkimin Europian e mbi të gjitha duke shkelur trashë, çdo ligj e germë të Kushtetutës.

Për ta kuptuar le ta thjeshtojmë ‘Operacionin Teatri’ dhe të ngjashëm me atë, të cilët tashmë po përmbyllen apo janë projekte në vazhdim. Imagjinojeni një strukturë mafioze e cila është në kulmin e vetë, sepse ka në dispozicion qeverinë, parlamentin, pushtetin lokal, sistemin e drejtësisë, symbyllësinë e ambasadave dhe mbi të gjitha miliarda e miliarda jo vetëm të vetat, por edhe të homologëve në Europë e më tej që presin që të pastrohen.

Gjithçka ka nisur që 7 vite më parë, por pikërisht tani në vitin parazgjedhor po nxitojnë duke mos tentuar as që të sofistikohen prapa koperturave ligjore e morale.

Pse vitin e fundit?!

Sepse në vitin 2021 vërtet do të tentohet kapja e një mandate të ri për Ramën e kompani duke shkallmuar me dhunë edhe rotacionin 8 vjeçar, por ai vit mund të jetë edhe një fund i hidhur, jo vetëm politikisht.

Sot kanë pushtet absolut dhe ende suport ndërkombëtarë, por nesër kur të mos i kenë këto, do tu duhet shumë pasuri për të joshur dhe blerë ‘pushtetin e ri’. Të paktën për të shpëtuar burgun dhe pasuritë e patundshme, të cilat janë aq shumë sa që nuk është ndonjë humbje e madhe, nëse rishpërndahen në një masë të caktuar.

Kaq e thjeshtë është logjika e gjithçkaje që po bëjnë.

Në fazën e parë grabitën natën me polici dhe me ndihmën e gazit pronat në Unazën e Madhe, me argumentin e zgjerimit të saj. Zgjerimi i atij aksi i bën mirë kryeqytetit, por mënyra se si dhunuan shumicën dhe blenë një pjesë të pronarëve aty, nuk kishte asnjë lidhje me benefitin publik.

Qëllimi ishte për të ndërtuar një kompleks pallatesh nën emrin e një trafikanti, por sigurisht duke pastruar edhe paratë e tyre nga korrupsioni mbi 7-vjeçar.

Pastaj, po në këtë prag-largim apo prag-rikonfirmim (pak rëndësi ka) shpallën gjendjen e jashtëzakonshme më të jashtëzakonshme në planet me rastin e pandemisë, edhe pasi infeksioni kishte marrë rrugën e shuarjes. Me akte normative, polici, ushtri e tanke; duke udhëhequr personalisht Edi Rama një fushatë paniku, terrori dhe frike; i izoluan shqiptarët pa asnjë masë reale lufte e kontrolli mbi pandeminë. Pa ndërhyrje efikase për ndihmë financiare e ekonomike, për familjet dhe biznesin të cilët e gjetën veten në një burg-faliment absurd.

Deri kur do të vazhdojë ky burg, që urdhërohet nga Facebook-u dhe sigurohet në terren nga një shtet policor e ushtarak-pyesnin të gjithë.

Përgjigjja erdhi natën që shembën Teatrin Kombëtar pas 22 viteve planesh e tentativash, vetëm për të fituar territorin e çmuar të tij. E gjitha kjo vetëm për të nisur pa u mbyllur hesapi zgjedhor i vitit 2021, ndërtimin e një kompleksi me kulla nën emrin e një trafikanti tjetër. Prapë me paratë  që kanë vjedhur nga thesari i shtetit në këto 7 vite dhe të tjera, nga pjesa që marrin nga krimi i organizuar për ta lënë që të punojnë i qetë.

Shikoni sa interesante dhe e thjeshtë është skema tipike mafioze, vetëm për teatrin. Kryetarja e Komitetit Teknik për Covid-19, me strategjinë e së cilës u mbajtën shqiptarët të mbyllur në shtëpi nën alibinë e shpëtimit të mijëra jetëve, është personi që firmosi për shembjen e teatrit. I njëjti individ pasi shkatërrimi u bë fakt i kryer dhe territori i çmuar u fitua, të nesërmen e shembjes raporton zero raste me Covid në Tiranë.

Iku Teatri, iku edhe infeksioni në kryeqytet; u sigurua toka e shtrenjtë për kulla luksoze, ‘u fitua’ edhe lufta kundër infeksionit!

Te Unaza e Madhe u protestua 18 muaj nga qytetarët, për të mbrojtur pronën e tyre nga shteti. Tek Teatri u protestua e u rezistua 2 vjet e kusur, për të mbrojtur pronën e shtetit (publike) nga vetë shteti.

Ky është thelbi, kjo është shpresa!

Nuk ka lajm më të mirë se ky në këto 30 vjet, që pas demonstratave të studentëve për pluralizëm. Qytetarë që protestojnë më shumë se dy vjet pa pushim, për të mbrojtur pronën publike nga shteti, që duhej të ishte garant i tyre.

Emancipim, rizgjim; një epokë e re dhe ristartim i asaj që u bë keq që në fillesën e demokracisë në fillim të viteve 90-të, apo thjesht një zgjim dhe sy-hapje për grabitjen finale që po i bëhet vendit?!

Në vitin e fundit të qeverisjes Rama, në Tiranë po ndërtohen me shpejtësi disa kulla me vlerë qindra milion dollarë nga firma me bilanc fitimi zero. Kanë marrë kredi për ato?

Rezulton që jo. Atëherë ku i marrin paratë?

Pushtetarët dhe zyrtarët e lartë të Rilindjes, veçanërisht enturazhi i ngushtë i kryeministrit, nuk po denjojnë as që të fshihen më. Ndryshe nga të korruptuarit në qeveritë paraardhëse në këto dekada, këta po i kthejnë paratë në prona gjigante të patundshme dhe të kopsitura me letra. Çdo kull e re në Tiranë e kudo ku munden, ka një emër ministri socialist nga pas. Se kë ka vetë ministri nga pas, nuk ka nevojë për koment.

Por kjo është vetëm maja e ajsbergut. Shqiptarët qeshin e bëjnë gallatë me atë deputeten e `kaparatës`, por ‘Korporata e Investimeve’ është projekti më gjigant dhe final i Edi Ramës në zbatim e sipër, për të grabitur çdo tokë shtetërore dhe private madje që ka vlerë nëpër Shqipëri.

Përse nuk pritën të paktën për Teatrin Kombëtar i cili kishte një sensibilitet të madh qytetar dhe ndërkombëtarë, që ta finalizonin planin 22 vjeçar pas zgjedhjeve të vitit 2021?!

Sepse nuk kanë garanci që do të fitojnë nëse ndodh që votat këtë herë do të numërohen drejt, si edhe ka premtuar BE dhe Gjermania; e dinë se mllefi ndaj makutërisë së tyre, tashmë ka pushtuar madje edhe socialistët e thjeshtë.

 Po çfarë garancie kanë se pronën publike tek teatri nuk do të rikthejë në pronë të teatrit nëse opozita vjen në pushtet pas një viti, si edhe premtoi këto ditë Lulzim Basha?

Logjika është e thjeshtë; tipike mafioze dhe batakçinjsh; fillojmë ndërtimin dhe i dorovisim me ca kate kullash qeveritarët pasardhës. Bëjmë fakt të kryer vjedhjen e pronës publike kudo ku ka mbetur. Ndërtojmë kulla, resorte e kushedi çfarë tjetër. Por nëse kalojmë në opozitë, kemi aq shumë pasuri, sa që tu mbyllim gojën me një pjesë të saj atyre që do të vijnë pas nesh.

Nëse ndodh kjo, apo edhe më keq varianti i një grabitje tjetër të pushtetit nga Rilindja, Shqipëria, futet në një cikël të ri dëshpërues tranzicioni, i cili mund të jetë edhe më i gjatë dhe më i mjerë se ky 30-vjeçari, që po shpresojmë të mbyllim.

Gjithsesi askush nuk duhet të harrojë siparin e fundit që ngriti shfaqja e fundit në Teatri Kombëtarë, edhe pse u shemb fizikisht: Populli tani po ngrihet për të ruajtur edhe pronën e shtetit (publike) nga qeveria e këtij shteti; Shtetin ligjor, nga shteti hajdut e mafioz; dinjitetin qytetar e personal nga imoraliteti politik e teatri 30 vjeçar.

Për këtë do votohet vitin që vjen; për këtë do të luftohet, nëse vota, blihet e grabitet sërish!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Endrit19/05/2020 19:15

Cdo kryeminister duhej te vepronte sikur ai te bashkekuvendonte me ata banore te perhershem te TK, dhe thjeshte te i pyste; Ju lutem si e doni ju godinen e Teatrit? kaq, Ket qe asht apo nji godine te re.

PD Elbasan19/05/2020 19:12

Z.Peka! Jam shume dakort me kostatimet e bera nga ju, por do t'na jepej e drejta vetem atehere kur keta HORRA te viheshin para c'do pergjegjesie nga qeveria pasardhese. Mjafton t'ju kujtoj rastin e ish-ministrit Grek te Mbrojtjes Tsohatxopulos....megjithese nga politikanet me te vjeter ne shtetin fqinj si ne politike dhe ne moshe, akoma dhe ne kete moment eshte pas hekurave duke ju konfiskuar pasuria deri tek KUSHURINJTE dhe KRUSHQITE!

t19/05/2020 17:15

Konkluzioni se: pushtetaret e sotem po vjedhin pangopje pa pyetur per ligj e kushtetute,sepse me ndrimin e pushtetit do te kene aq pasuri sa do ta ndajne(blejne)me pushtetin e ri,eshte shume i drejte.
Por veç ka nje gje,votat do tja japim opozites me nje kusht: qe zullumqaret,hajdutet e sotem ne pushtet,jo vetem do te ndeshkohen e do shkojne ne burg kur te dalin ne opozite,por edhe do te hakmerremi ndaj tyre.Sepse po nuk u be kjo lloj mareveshje popull-opozite,atehere nuk kemi arritur asgje,vetem kemi ndruar vendet e asgje me shume.

t19/05/2020 17:11

Konkluzioni se: po vjedhin pangopje pa pyetur per ligj e kushtetute,sepse me ndrimin e pushtetit do te kene aq pasuri sa do ta ndajne(blejne) pushtetin e ri,eshte shume i drejte.
Por veç ka nje gje,votat do tja japim opozites me nje kusht: qe zullumqaret,hajdutet e sotem ne pushtet,do te ndeshkohen e do shkojne ne burg kur te dalin ne opozite.Sepse po nuk u be kjo mareveshje popull-opozite,atehere nuk kemi arritur asgje,vetem kemi ndruar vendet e asgje me shume.

Shto koment

Denonco