Halli i madh i Hashim Thaçit

Halli i madh i Hashim Thaçit

Nga Syri.net Kosova - 15/05/2020

‘Në zgjedhjet e 6 tetorit kishte dy fitues...”

‘Ne kur fituam në 2014 ishim bindshëm të parët....pritëm 6 muaj dhe e bëmë qeverinë...”

‘Pas letrave nuk mora përgjigje për mandatarin dhe për 20 ditë e mandatova partinë e dytë’

Kishte shumë ‘margaritarë’ intervista e Hashim Thaçit në emisionin Çim Peka Live në Syri TV. Por, më epikja ishte fjalia e parë më lart.

Vetëm ai mund ta dijë se si në një garë elektorale dalin dy fitues njëherësh. Dmth...një kampionat futbolli e fitojnë dy klube njëkohësisht, një finale ka gjithashtu dy fitues, e kësisoj...

Kur fiton PDK, kjo është fitore absolute, bindëse dhe çdo përpjekje për t’ia marrë në tavolinë pushtetin konsiderohet antikushtetuese.

Kur fiton Vetëvendosje, çdo nismë politike, për t’ia rrëmbyer fitoren në koluaret partiake, na qenka e ligjshme dhe legjitime.

Kështu mendon presidenti. Kështu edhe vepron Hashim Thaçi.

Kreu i klanit Pronto, i referohet me një gjuhë me të cilën shprehen mafiozët, kur i adresohet kryeministrit në detyrë dhe anëtarëve të qeverisë nga partia e tij.

Ai nuk lë mjet pa përdorur që ta denigrojë. Njësoj siç përpiqej ta njolloste liderin historik të së djathtës shqiptare Sali Berishën, duke e akuzuar pa asnjë fakt për strehimin e terroristit më famëkeq që ka njohur bota-Bin Ladenin.

Thaçi duke iu referuar burimeve të tij në agjentura, iu bashkua alarmit të Behxhet Pacollit, që akuzoi publikisht qeverinë e Republikës së Kosovës se ndaj tij mund të kishte një ‘akt terroristik’...

Presidenti dhe ish-presidenti, bëjnë saktësisht atë që Serbia me entuziazëm e pret-anatemimin e shqiptarëve si mbështetës e nxitës të terrorizmit.

Kjo është e pafalshme për një figurë që duhet të përfaqësojë unitetin e popullit e në fakt, po e bën të kundërtën. Po nxit përçarje e po mbjell frikë, duke e terrorizuar opinionin publik dhe duke e kërcënuar demokracinë e brishtë kosovare.

De facto, Hashim Thaçi po sillet si lider i PDK-së. Kadri Veseli këtyre ditëve duket si një zyrtar i logjistikës së kësaj partie, ku de jure, ai figuron si kryetar.

Që nga përfundimi i luftës, Kosova e vuan talljen e stërgjatur të presidentit aktual. Ai thirret vazhdimisht në legjitimitet dhe shfaqet si kampion elektoral, edhe pse e di se vetëm një faktor natyror, e solli në krye të vendit.

Sa ishte gjallë Rugova, të cilin e akuzonte për tradhti, ndërsa tash e mohon paturpësisht e i përkulet te varri, ai nuk kishte shanse të fitonte zgjedhjet.

Njerëzit në Kosovë me 6 tetor treguan se nuk mund ta durojnë më regjimin e dirigjuar prej Hashim Thaçit. Megjithatë, presidenti vazhdon të tallet.

Kishte dy fitues, tha pa pikë turpi e morali.

Vendi do të ketë pasoja të rënda, nëse aventura presidenciale, do të marrë miratimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila është dukshëm nën tutelën politike.

Pas 29 majit, tallja e Thaçit mund të pasohet nga zemërimi qytetar, sepse të vetmen mundësi kushtetuese që pati, nuk e shfrytëzoi-shpërndarjen e Kuvendit pas mocionit të mosbesimit.

Kosovarët, nuk ia kanë borxh një individi të tillë, që duket se është në hall të madh e gjumi nuk e merr nga frika e Gjykatës Speciale.

Ç’mundim tjetër do të kishte për tërë këtë katrahurë që po ia bën shtetit?!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

N16/05/2020 16:52

Jo vetem qe shantazhonb por edhe kercenon kundershtaret ,pa dalë nga skena politike ky njeri ,qe eshte dorë e zgjatur e serbisë ne kosove qetesi nuk ka .

Shto koment

Denonco