Një sheleg e një vajzë të re, për çdo shtëpi!

Një sheleg e një vajzë të re, për çdo shtëpi!

Nga Poli Hoxha - 15/05/2020

Pas shumë kohësh qetësie të imponuar nga situata e COVID-19, kryeministri Edi Rama, për herë të parë mbrëmë provoi presionin dhe paralajmërimin ekstrem të opozitës nëpërmjet deklaratave të forta të Lulzim Bashës.

Arroganca dhe sidomos pabesia që po shfaq duke u vetë-mbuluar me gjendjen e jashtëzakonshme me rastin e koronavirusit, për të realizuar më në fund pas 20 vitesh planin e grabitjes së tokës publike më të çmuar në Tiranë, duket se ka qenë pika e fundit në gotën e mbushur plotë.

Basha e shpalli Teatrin Kombëtarë si `vijë të kuqe` e madje `të zjarrit`, ku do të digjet Rama e Veliaj nëse do të vazhdojnë në mënyrë antiligjore dhe antikushtetuese, që të zbatojnë prishjen e tij. Të shohim e të presim sepse nuk është hera e parë, edhe pse duket se kemi të bëjmë me testin e fundit të një klepto-sunduesi tashmë të ekspozuar në dritë të diellit si i tillë!

Por pikërisht për këtë paralajmërim dhe kushtrim të kreut të opozitës, kryeministri u pyet mbrëmë që në fillim të lidhjes që kreu gazetari Blendi Fevziu, në emisionin e tij ‘Opinion’. Ashtu siç pritej pas këtij lajmi, Edi Rama, luajti rolin e vetvetes; atë të skuthit. I zverdhur dhe duke belbëzuar vuri si mburojë, situatën e emergjencës së koronavirusit.

‘Vija e zjarrit është në spital dhe lufta është për të mbrojtur shëndetin dhe do të thotë një thirrje e tillë për të marrë në qafë njerëz dhe për të bërë gjeste patetike dhe që nuk kanë asnjë lidhje me asnjë proces ligjor apo demokratik’, ngriti alibinë mashtruese Edi Rama në përgjigje të vendosmërisë së qytetarëve që mbrojnë Teatrin, dhe ndaj opozitës e cila e ka marrë prishjen e tij si një provokim ekstrem që nuk ka lidhje thjesht me një godinë.

Gjithashtu nëpërmjet një retorike të përçartur kontradiktore si ajo e një grabitësi të kapur me mallin e vjedhur në dorë, Rama, u përpoq që ti mbush mendjen shikuesve, se historia e ekzistencës a jo të Teatrit Kombëtar siç është tani e gati 100 vite, ka 20 vite që vazhdon dhe ai gjithmonë ka qenë partizan i prishjes së tij.

 Ndaj-tha-nuk ka ndonjë zhvillim këtu!

Por brenda 30 sekondave harroi se pak më herët kishte deklaruar, se tani kemi përparësi vetëm ‘vijën e zjarrit’ nëpër spitale në luftë me virusin dhe jetën e shqiptarëve.

Pas kësaj edhe gazetari më naiv, do ta pyeste kryeministrin:

Po dakord; meqenëse aktualisht ‘vija e zjarrit’ është nëpër spitale për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve nga COVID-19, atëherë çfarë është gjithë ky nxitim me vendime qeverie për t`ja kaluar bashkisë së Tiranës në pronësi Teatrin dhe kjo e fundit në mënyrë klandestine të ecë përpara brenda 24 orëve, me procedurën e shembjes?!

Përse ky provokim në këtë kohë emergjence shëndetësore dhe gjendje të jashtëzakonshme ku shteti policor bën ligjin, për një çështje të nxehtë e cila ka 2 vite e gjysmë e cila zien dhe tashmë është ndërkombëtarizuar?!

Nëse ka pritur këto7-8 vite dhe nuk ja ka mbajtur as gjatë 3 viteve të fundit me të gjitha pushtetet në dorë, përse është trimëruar tani që ka blinduar veten me ligje e akte normative të cilat nuk lejojnë grumbullimet e qytetarëve, qoftë edhe për të mbrojtur kauza kaq sensitive si kjo e Teatrit Kombëtarë?!

Përse nuk bën një referendum të thjeshtë; Po/Jo?!

Zëra të rëndësishëm nga opozita thonë se Edi Rama ka marrë paradhënie apo 20% në patundësi, për atë tokë të çmuar në qendër të kryeqytetit ku janë planifikuar që përveç një teatri të ri të ngrihen edhe disa kulla. Monika Kryemadhi e paralajmëroi mbrëmë që do të bënte mirë që të kthente mbrapsht pjesën që ka marrë nga klane që pastrojnë paratë e trafikut të drogës dhe të mos vazhdojë që të provokojë, sepse sikur edhe një pikë gjaku të derdhet në atë shesh, kundërpërgjigjja do të jetë kokë më kokë me vetë Ramën dhe Veliajn. Ndoshta e mbajnë fjalën këtë herë!

Fakt është se gjatë këtyre dy mandateve, qeverisja e Ramës, ka bërë grabitje edhe më të mëdha se kjo që po ndodh me Teatrin Kombëtarë, por ky rast ka tejkaluar thjesht vlerën materiale dhe anti-ligjshmërinë e bërë normë prej tij.

Mënyra se si po e bën, shkel në mënyrë brutale jo vetëm dinjitetin e çdo shqiptari por edhe logjikën më normale. Nëse Edi Rama e kalon me sukses edhe këtë test që po ju bën shqiptarëve; nëse lejohet nga qytetarët dhe opozita që të tregojë se është zot jo vetëm i vendit por edhe i shpirtrave të tyre, nuk kemi për të humbur vetëm një trashëgimi kulturore dhe një truall publik, por vetë zemrekun e dinjitetit sadopak të mbetur te çdo individ.

E dimë se i ka përçarë mbrojtësit e Teatrit, duke shfrytëzuar maninë e protagonismit të disave. E dimë që po luan me kartën e dalë boje të ‘lojës për pushtet’ që bën opozita. Dimë se kujt artisti i ka dhënë benefite personale e të tjera familjare, për ti rreshtuar si ‘ një shumicë’ që kërkon një teatër të ri mbi gërmadhat e këtij prej ‘tallashi’. Dimë se u tërhoq ‘Fusha’, por ka një ligj me këtë emër i cili ende është në fuqi.

Mbi të gjitha kuptohet se çështja nuk është më thjesht korruptive, klienteliste, urbanistike, e trashëgimisë apo jo, por një testim deri në asht të shpirtit të çdo njeriu që mendon se i ka mbetur sadopak liri dhe dinjitet në këtë vend ku skllavëria mendore dhe ekonomike e shumicës është bërë normalitet.

 Nëse Teatri Kombëtar shembet; edhe sikur në vend të tij të ndërtohet një tjetër prej ari, Edi Rama, do të mbyllte me sukses eksperimentin e fundit. Pas kësaj shqiptarët do bënin mirë që të mos ankoheshin më nëpër FB, por të ulin kokën dhe të presin me valixhe në dorë hapjen e kufijve, për një eksod përfundimtar. Ose ta shpallin bunkerin e Surelit, ‘Vend i shenjtë’, dhe të bëjnë pelegrinazhe drejt Dajtit duke puthur nëpër rrugë gjurmët e gomave të mercedesit të zi, ku hipën e nga zbret Edi Rama plot fodullëk.

Kurse opozita le të qëndrojë në pritje prapa gëmushës, deri sa ai të velet me pushtet e pasuri, apo deri kur ta rrëzojnë ndërkombëtarët ‘e mërzitur’ me të, kushedi përse.

Ndërkombëtarët të cilët i përdor si mburojë sa herë kapet me presh në dorë (Pse nuk flet SHBA, pse nuk foli BE?!), por mbrëmë te Fevziu me rastin e Teatrit tha se Shqipërinë nuk e qeveris as Europa Nostra, as Europa Vostra e as Amerika!

Rama mund ta shembë teatrin duke ju treguar se është ai që ka në dorë ‘shumicën’; pra ajrin, diellin, shiun, punën, liridaljen dhe shpirtin tuaj. Por pas kësaj mos u habisni, nëse ju mbërrin edhe një ferman nga Surreli si ata të Bajlozëve qëmoti;

 Dorëzoni një sheleg dhe një vajzë të re, për çdo shtëpi! 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp15/05/2020 16:51

Sikur te isha nje rilindist apo mik i Edi Rame-s, do ta keshilloja: Mblidhi zagaret z.Rama. Fundi i teatrit mund te rezultoj, jo vetem si fund i qeverisjes dhe per kete kush po e rrun, por si pretekst per ta rrezuar shtetin. Vreni Z.Kryeminister se si po kercenon opozita se "po u derdh nje pik gjaku"....... Keshtu u fillua ne Vlore Z.Rama . U vra i ndjeri Rustemi nje qytetar ne hallin e tij dhe perfundimi dihet. Nese qarqe antishqiptare e vazhdojne lojen, mazhoranca dhe opozita po ju mbajne iso. Nje destabilizim ne 'koken e trupit' Kryeqytet ,do sillte nje vonese 20 vjecare ne progresin e vendit. Nje destabilizin ne Kryeqytet nuk do kishte me asnje "engjell mbrojtes" as te Sh.Memis e as te 'djemeve' te tij. Sikur mos te mjaftonte situata e ngarkuar Ju personalisht, hodhet edhe nje hap te nxituar. Njoftuat edhe "reformimin" e Policise se Shtetit. Nxjerjen ne pension te parakohshem te policeve mbi 55 vjec, sikur kjo te ishte reforma qe duhej te kryej urgjentisht dhe nuk priste edhe pak kohe. Ke frike nga Reforma ne Drejtesi Z.Kryeminister, jeni bashke me Z.Meta dhe Z.Basha dhe kerkoni pretekste per ta kthyer gjithcka ne piken zero?. Terhiqe konen e Bashkise. Ka legjitimitet te" cunguar" si kryebashkiak. Perfaqeson nje sekt te socialisteve, bashke me Keshillin Bashkiak qe perzgjodhi. Je Kryeminister i Republikes se Shqiperise i dal nga zgjedhje te cilat opozita i ka pranuar e vulosur dhe firmosur, por edhe te kontestuara per shkak te provave apo indicieve qe asnje prokuror apo gjykates dhe asnje nderkombetar, nuk mund ti anashkaloj, apo ti fshehe nen poturre, apo nen fustan.

tironsi/gjermani15/05/2020 15:36

Qellove si kalama o Poli,
Shqiptare me shtepi te veten jane shume pak;
ata qe kane shtepi s´mbajne dot sheleg dhe qershia permbi torte;
Vajzat e reja shqiptare, hemm (po te ishte ndryshe do te me ishte prishur edhe mua mendja te behesha bajloz), ato te rahin deri sa te qeshesh.....

antidiktature15/05/2020 14:09

Nuk jam fans i Bashes, por mendoj se nese Basha arrin te mos lejoje shembjen e teatrit, do te rekuperonte shume. Teatri ne vetvehte, pervec vlerave qe mbart si godine, eshte i vetmi institucion qe ka mbetur i pakapur ne kete vend. Po arriti te shembe edhe teatrin, karikatura e diktatorit, do kthehet ne nje diktature te eger. Gjithe jeten do kemi mbi shpine injorante e te patru si Spiropali, Balla, Manja apo te tjere per te cilet mjafton vetem nje shikim i shefit dhe do gerryejne cdo gje.

Coli15/05/2020 14:08

Pse bajloz te zi e kemi kryeministri ne?! Jo.Ai eshte plaku mjekerbardhe packa se po rjedh nga trute dhe ne delirin e madheshtise i duket vetja si udheheqes historik.

Antirilindas15/05/2020 13:56

E di që nuk ma botojnë komentin.

Problemi i shqiptarëve nuk është Rama. Vetëm një bëmë e tij i jep të drejtën çdo opozite në botë ta rrëzojë me dhunë nga pushteti, ashtu si tentoi vetë rama për çështjen e Dritan Priftit më 21 Janar.

Atëhere kur që nga 2013 ka me dhjetëra raste shumë më të rënda e flagrante se e Dritan Priftit, Çfarë pret opozita e Lulzim Basha?

Shto koment

Denonco