Sipas Ramës: Modeli autoritar, 'histori suksesi'

Sipas Ramës: Modeli autoritar, 'histori suksesi'

Nga Kastriot Islami - 14/05/2020

Image

Ky përfundim mund t’i duket dikujt i hiperbolizuar, por për më shumë se 60 përqind të shqiptarëve, ky përfundim është jo vetëm i vërtetë, por ndoshta i minimizuar. Ky përfundim është po ashtu me shumë gjasa i mirënjohur nga shumica e kancelarive perëndimore, ndonëse në retorikën e tyre artikulohet me terma më të zbutur: Shqipëria nuk është ende gati për të hapur negociatat me BE… Shqipëria duhet të luftojë korrupsionin qeveritar, lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar dhe trafiqet. Shqipëria ka bërë hapa mbrapa përsa i përket lirisë së medias dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut. Në Shqipëri, zgjedhjet nuk janë të lira e të ndershme, sepse vota blihet dhe votuesit kërcënohen… e tjerë e tjerë. Pavarësisht se Rama vazhdon të mburret dhe konsumon shuma të majme për të ndryshuar/zbutur/sheqerosur cilësimet e “zeza” nga kancelaritë perëndimore për qeverisjen e tij! Mjafton të kujtoni se çfarë shkruante gazeta më e madhe gjermane BILD!
 
1. Është fakt i pamohueshëm se Shqipëria klasifikohet nga institucione prestigjioze, natyrisht me një gjuhë të përmbajtur teknicienësh, si një “demokraci hibride”. Por, pas vitit 2013, Shqipëria drejtohet realisht nga një regjim oligarkik, i korruptuar dhe inkriminuar, me në krye një personazh pervers, i shquar për sjelljet e tij autoritare e deri diktatoriale.

2. Menaxhimi i personalizuar, voluntarist, amatoresk, me masa drastike, mbyllje e izolim ekstrem të qytetarëve, të biznesit e të ekonomisë në tërësi, me sjellje e veprime ekstreme autoritare e deri policore, i krizës sanitare të krijuar nga COVID-19 dhe nxitimi për të deklaruar me gjeste e pompozitet, mburrjen idioteske të lëshuar pas fazës së parë së pandemisë, se “për meritë të tij dhe vetëm të tij, Shqipëria rezultoi një “histori suksesi” për të gjithë Europën...”, janë shenja të një sëmundje të rëndë diktatoriale që provon katërcipërisht përfundimet e cilësimet e mësipërme.

3. Dhe mbi të gjitha kjo “histori suksesi” me të cilin mburret Rama, për menaxhimin e pandemisë, vetëm se ka aplikuar masa drastike e sjellje policore, është indirekt provë e adhurimit të Ramës për regjimet e drejtuesit autoritarë. Rama, duke u mburrur me “suksesin” e modelit të tij, ka arritur gjithashtu në përfundimin se “regjimet iliberale, autoritare e diktatoriale e kanë menaxhuar më me sukses pandeminë sesa vendet demokratike”… Prandaj edhe qeveria e tij, ashtu si edhe qeveritë simotra autoritare e diktatoriale, ka arritur të ketë shumë herë më pak viktima ndryshe nga vendet demokratike e sidomos ato perëndimore që dështuan duke pasur dhjetra mijëra të vdekur?!

4. Pandemia i shërbeu Ramës si “maskë” për të nënshtruar qytetarët e vendit të tij duke aplikuar masa drastike e mjete policore për të krijuar opinionin se sjelljet e tij autoritare e masat drastike e deri policore, ishin vetëm për të mirën e qytetarëve, vetëm për t’i shpëtuar jetën atyre nga “armiku i padukshëm”…?! Dhe këtë gjë mund ta bënte vetëm Ai?!

5. Nisur nga klasifikimi i përvitshëm i ‘The Economist Intelligence Unit’ rezulton se Shqipëria gjendet në grupin e tretë të vendeve me Demokraci Hibride, një grup shumë pranë grupit të katërt të regjimeve autoritare e diktatoriale. Ndërkohë që të gjithë vendet e Europës bëjnë pjesë ose në grupin e parë të vendeve me Demokraci të Plotë ose në grupin e dytë të Vendeve me Demokraci me disa Probleme. Pra Shqipëria është formalisht një hap larg regjimeve autoritare, por në realitet është një regjim oligarkik me tipare e sjellje autoritare.

6. Atëherë çfarë e shtyn Ramën të mburret me “histori suksesi” për menaxhimin e pandemisë? Rama mburret duke deklaruar lart e poshtë se thjesht e vetëm për meritë të tij, pra hir të masave drastike e sjelljeve policore, të konceptuara dhe lëshuara prej tij, Shqipëria ka pasur më pak viktima nga COVID-19 sesa të gjithë vendet europiane, të cilat bëjnë pjesë në Grupin e Parë e të Dytë, përkatësisht me demokraci të plotë apo demokraci jo perfekte. Pra Rama mburret indirekt se gjithçka ka arritur ai në uljen e vdekjeve, i dedikohet mënyrës së tij autoritare të drejtimit të vendit dhe masave drastike e policore të aplikuara prej tij. Madje marrëzia e tij ka shkuar aq larg sa të deklarojë se po të mos kishte aplikuar ai këto masa autoritare, në Shqipëri do të kishte pasur 18 mijë të vdekur??!!

7. Kjo është një deklaratë e denjë për një të marrë apo për një të droguar! Një deklaratë e pazakontë jo vetëm përsa i përket nivelit të mashtrimit, por sepse pas kësaj deklarate marrëzie fshihet diçka tjetër: Ai me ose pa dashje promovon sjelljet e tij autoritare e deri diktatoriale, duke iu hedhur njëkohësisht dorashkën në fytyrë drejtuesve të vendeve europiane demokratike, të cilat sipas tij “dështuan në menaxhimin e pandemisë, kurse regjimet autoritare e diktatoriale janë modele si histori suksesi!”… Më e suksesshmja mes tyre është ajo e aplikuar prej Tij!?

8. Rama mburret se grupi i vendeve demokratike ka rreth 20 herë më shumë vdekje se grupi ku bën pjesë qeveria e tij dhe mbi 200 herë më shumë vdekje se vendet me regjime autoritare. Rama adhuron dhe i konsideron model vendet me regjime autoritare, të cilat me veprimet e tyre tipike kanë mundur të kenë rreth 12 herë më pak të vdekur sesa çfarë ka arritur ai me masat e tij drastike.  

9. Më shumë se kaq, zor se mund t’ju thoshte Rama perëndimorëve: Vetëm për meritë të një individi, gjithçka është bërë në Shqipëri kundër COVID-19 është një histori/shembull suksesi për të gjithë vëndet e Europës e ndoshta edhe të planetit! Aq më tepër, përballë dështimit perëndimor që sipas Tij ka ardhur sepse janë aplikuar me transparencë, në konsultë me qytetarët e nën drejtimin e profesionistëve, masa e veprime të pasuksesshme duke respektuar shtetin ligjor, parimet demokratike e të drejtat themelore të njeriut.

10. Ky është ndërkohë edhe një mesazh i qartë solidariteti me të gjithë lidershipin autoritar e diktatorial të planetit tek të cilët Rama shikon edhe të ardhmen e tij politike e personale! Vetëm diçka e frenon dhe e ka vendosur në dilemë Ramën për t’u vendosur me shpejtësi në drejtimin autoritar: 200 milionë euro të paligjshme të fshehura në “parajsat fiskale perëndimore…”.

Syri.net, 14 maj 2020

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco