Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Rama dhe Besa, dhunuesit e universitetit në emër të shtetit

Rama dhe Besa, dhunuesit e universitetit në emër të shtetit

Nga Ndriçim Mehmeti - 11/05/2020

Kur ishte menduar se po funksiononte një lloj pakti i heshtur mes studentëve, pedagogëve dhe qeverisë, jo për meritë të arritjeve të kësaj të fundit, në fushën e arsimit të lartë, por për shkak të heshtjes dhe plogështisë së të parëve, në kohë pandemie, qeveria mendoi se ishte koha e duhur të vinte nën kontroll universitet, në një mënyrë sa tinëzare aq edhe “ligjore”. Në fakt plani ishte përpunuar prej shumë kohësh. Fillesat e tij i gjejmë tek lufta e heshtur dhe e hapur mes Ramës, Besës dhe rektorit të Universitetit të Tiranës.  Aso kohe në këtë “betejë” të pa mat mes pushtetit dhe një personi u përzije edhe i  kudondodhuri për “sherr’ kryetari i bashkisë së Tiranës. Qëllimi ishte vetëm një: në emër “të luftës për cilësi në universitete, për më shumë hapësira për studentët, për më shumë internet, për zbatim të Paktit të Universitetit”, i ishte vënë syri Kopshtit Botanik, për ta rrëmbyer si shumë prona të tjera shtetërore  e për ta “vënë në efiçencë të plotë”, sipas parimit të njohur të partneritetit publik privat. Edhe në këtë grabitje të radhës të mbetur në tentativë për momentin, shteti i vënë i gjithi në shërbim të Ramës dhe pasardhësit të tij në Rilindje, u justifikua “për një jetë më të mirë të studentëve, për të ardhmen e ndritur që do të vinte” pas rrëmbimit të Kopshtit Botanik, por pa mohuar asnjëherë se privati do të ndërtonte dhe shfrytëzonte në një përqindje të madhe, territorin për biznes që në gjuhën e sotme moderne të grabitjes në merë të oligarkëve , quhen “ndërtesa multifunksionale”.

Por le të kthehemi tek zgjedhjet në Universitete

Që në janar të vitit 2020, si në asnjë rast tjetër në historinë e arsimit shqiptar, që kur kanë filluar të bëhen zgjedhje për universitet, asnjë ministër nuk i ka kushtuar asnjë fjali të vetme zgjedhjeve në universitete, duke respektuar autonominë që gëzojnë institucionet e lartë të lartë, sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Besa si ministre e arsimit e përmbysi traditën e paraardhësve të saj, duke shkeli hapur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe ligjin e arsimit të lartë duke deklaruar se: “Sot kam nxjerrë urdhrin për zgjedhjet në univerzitete, që do të zhvillohen në 8 maj. Dëshiroj të bëj thirrje që në zgjedhjet e ardhshme të zgjidhen njerëz me integritet dhe jo njerëz si rektori i Univerzitetit të Tiranës.” Duke thelluar edhe më tej skandalin me këtë ndërhyrje të hapur që ajo bënte duke shantazhuar të gjithë trupën zgjedhore dhe kandidatët e mundshëm, Besa gjeti rastin të sulmonte edhe presidentin e Republikës Z. Ilir Meta. Duke ju referuar shkarkimit të paligjshëm të rektorit të Universitetit të Tiranës, të ndërmarrë nga Besa, ajo ju ankua gazetarëve se “ Presidenti nuk pranoi ta shkarkonte dhe kundërshton çdo nismë të qeverisë”. Po Besa e urdhëruar nga Rama, nuk u ndal në qëllimin e saj, për të shtënë në dorë drejtimin e universiteteve, duke u nisur nga Tirana deri në rrethe. Në datë 26 mars 2020, në kulmin e pandemisë, Besa pasi “i kishte zgjidhur të gjitha problemet në arsimin parauniversitar dhe universitar”, i kishte mbetur pa zhvilluar procesi i zgjedhjeve në universitete. Me urdhrin që mban një numër shumë kuptimplotë për shqiptarët, 99, Besa përcjell ndryshimin e datës të zgjedhjeve në universitete, “nga 8 maj, në 12 maj 2020”, ndërkohë që Rama, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme deri më datë 23 qershor 2020. Me veprimin e saj, Besa na kujtoi motet e shkuara, kur “edhe në rrethim, ne zhvillojmë zgjedhjet tona demokratike, që janë një grusht i rëndë për imperializmin amerikan dhe social imperialistët sovjetik”.

Po përse Rama dhe Besa, nxituan të bëjnë zgjedhjet, në kushtet e pandemisë, duke thyer në mënyrë të përsëritur Kushtetutën dhe ligjin?

Përgjigja është fare e thjeshtë. Me një lëvizje të fshehtë, pak të njohur për publikun si vendimmarrje Rama dhe Besa, kërkonin të përfitonin për të vënë në kontroll edhe sektorin e arsimit të lartë, sikundër kanë bërë edhe në sektorë të tjerë. Duke shpërfillur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë e cila në Nenin 170, pika 6, shprehet se: “Gjatë periudhës së zbatimit të masave të jashtëzakonshme nuk mund të zhvillohen zgjedhje vendore, nuk mund të zhvillohet referendum, si dhe nuk mund të zgjidhet një President i ri i Republikës”, kërkojnë të bëjnë zgjedhje në universitete, a thua se këto zgjedhje janë emergjencë mbi emergjencën. Për më tepër zgjedhjet do të zhvilloheshin në qytetet, ku pjesa më e madhe e tyre,  janë shpallur zonë e kuqe nga Rama me urdhëresa zyrtare: Tiranë, Kamëz, Shkodër, Elbasan, Korçë, ku nuk duhet as të hyjë e as të dali njeri. Mirëpo kur flitet për universitetin duket se Rama e Besa bëjnë një përjashtim. Ashtu si kanë grabitur miliona, kanë bërë tendera pa hesap, kërkojnë të gllabërojnë prona të qytetarëve e dhe ato shtetërore në mes të Tiranës, në këtë mënyrë tentuan të marrin edhe drejtimin e universiteteve, duke dashur të shtinë në dorë pasurinë intelektuale dhe atë ekonomike që kanë këto institucione. Nuk ka sesi shpjegohet ndryshe fakti që Besa shkeli dhe shpërfilli hapur urdhrin e nxjerrë nga vetë ajo që në 14 janar, ku shkruante se  “universitetet janë të detyruara që të publikojnë rregulloren e zgjedhjeve”. Për të vërtetuar këtë mjafton të marrim një shembull. Në zbatim të urdhrit të Besës, për publikimin e Rregullores, më datë 10.02.29020, Senati Akademik i Universitetit të Tiranës, miraton me vendim të veçantë rregulloren “Për organizimin e zgjedhjeve për organet drejtuese dhe Senatin Akademik të Universitetit të Tiranës”. Në këtë rregullore të bie në sy “Neni 38, Pavlefshmëria e zgjedhjeve”. Në pikën 1/, shkruhet se: “KIZ (Komisioni Institucional Zgjedhor), kryesisht ose me kërkesë të kandidatëve, i shpall zgjedhjet të pavlefshme në një ose më shumë njësi zgjedhore, në rast se : b) kanë ndodhur fatkeqësi të përmasave të atilla, që kanë penguar pjesëmarrjen e zgjedhësve në votim”. Pra në mënyrë të përmbledhur. Zyrtarisht jeni në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të një fatkeqësie dhe pandemisë dhe nisur nga ky rast, vetë KIZ, duhet të mos ndërmerrte asnjë hap, pasi zgjedhjet kësisoj do të ishin të pavlefshme. E megjithatë u vijua me kokëfortësi, ose me idenë për të testuar durimin dhe kundërshtinë e studentëve, pedagogëve dhe faktorëve të tejrë politik dhe jopolitik. Kur presioni u rrit, Besa u këshillua nga Rama të tërhiqej.

A është shtyrja e zgjedhjeve një tërheqje taktike e dyshes Rama-Besa?

Kemi të drejtë të dyshojnë se po. Besa sikundër, shefi i saj, na komunikoi përmes facebook dhe jo live apo në ndonjë dalje onllajne se “Data e zgjedhjeve për organet drejtuese të IAL-ve shtyhet deri në një moment të dytë kur mund të sigurohet pjesëmarrje më gjithëpërfshirëse e studentëve. Procesi përgatitor i zgjedhjeve duhet të vazhdojë në mënyrë që IAL-të të jenë gati të fillojnë fushatën zgjedhore menjëherë pas shpalljes së datës.” Kemi një datë të shtyrë, por kemi një proces në vijim. Duke u nisur nga fjalia e dytë, lihet të kuptohet ose mund të interpretohet se procesi i përgatitjes së fletëve të votimeve, duhet të vijojë me kandidatët që janë regjistruar. Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL), duhet të jenë gati të fillojnë fushatën sa të shpallet dita e zgjedhjeve. Pra me pak fjalë urdhri mund të interpretohet edhe në këtë mënyrë.  Nuk ka një urdhër që anulon tërësisht procesin, duke lejuar regjistrimin e të gjithë kandidatëve, më pas fushat e në fund zgjedhjet. Prandaj dyshoj shumë se Rama dhe Besa e kanë siguruar fitoren në tavolinë dhe shtyrja mund të certifikoj të përzgjedhurit e tyre, duke i bërë zgjedhjet krejt farsë por duke legjitimuar procesin, çka do të ishte një grusht i fortë që i jepej autonomisë së universitetit dhe botës akademike në tërësi. Mundet që të jemi të gabuar por gjasat janë të tilla, që mbartin dyshime të mëdha. Rama dhe Besa kanë zhvilluar një proces paraprak për të vënë nën këmbët e tyre universitetin. Në fillim kanë bërë rekrutimet e shumë pedagogëve me një bindje të hapur për Rilindjen apo ish-funksionar të saj, persona me procese penale për vrasje, janë rekrutuar po ashtu, diploma false dhe plagjiatura kanë bërë kërdinë, dëmet financiare dhe abuzimet kanë qenë në majë, tani e një dekadë të shkuar. Të gjitha këto krime, kërkohen të amnistohen në emër të zgjedhjeve. Prandaj shtyrja e zgjedhjeve dhe procesi në vijim, duan një vigjilent të jashtëzakonshme dhe një përqendrim të madh, nga bota akademike, opozita si një nga hallkat e garantimit ët zbatimit të ligjit, nga Presidenti i Republikës dhe gjithë opinioni publik, që nesër mos të themi “e humbëm dhe një dritare të zërit të lirë e të pandikuar”, nga qeveria.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco