Të reagosh do të thotë të ekzistosh

Të reagosh do të thotë të ekzistosh

Nga Namir Lapardhaja - 24/04/2020

Nëse do të kishim reagim qytetar për gjithçka, qytetet tona do të ishin më të sigurta. Mendo një situatë ku drejtuesi më i lartë i policisë dhunon një mjek në mes të ditës. I gjithë personeli mjekësor ngrihet në këmbë. Urdhëri i Mjekut reagon fort. Drejtoritë që kanë lidhje me shëndetin publik, bojkotojnë punën në shenjë proteste. Të njëjtin veprim bëjnë edhe në raste të ngjashme, kur kolegë nëpërmkëmben dyerve të prokurorisë, duke u akuzuar nga profanë për gabime në profesion. Reagimi është i domosdoshëm nga biznesi dhe qytetarët, sa herë që ndaj tyre ka rritje taksash dhe abuzime të tjera. Heshtja nuk është zgjidhje. Reagimi dhe solidariteti, po.

Sot është dita e nëntë, kur Drejtori i Policisë së Qarkut të Beratit dhunoi një mjek. Nëse nuk do të kisha rastisur në vendin e ngjarjes, do të kishte qenë si shumë të tjerë në qytet: një problem personal që do ta vuante vetëm familja. Edhe pse më parë ka pasur denoncime përkundrejt të njëjtit zyrtar, ato kanë qenë të shoqëruara në fund me “anonim, të lutem”. Shprehja “ç’më duhet mua” është vrastare.

Reagimi nuk ka të bëjë me emrin konkret, por me të drejtën dhe parimin që nëpërkëmbet. Të ngresh zërin ndaj padrejtësisë, do të thotë të shpëtosh vetveten. Që nesër të mos jetë radha jote. Nëse secili do ta mendonte kështu, do të ishte mirë për të gjithë.  

Ndonëse jemi futur në javën e dytë, për ngjarjen nuk ka asnjë masë administrative. Drejtoria Vendore e Policisë së Qarkut Berat, pavarësisht se rasti u procedua në prokurori dhe më pas në gjykatë, ende nuk ka nxjerr një komunikatë, ashtu siç e kërkon ligji për informimin publik. Qytetarët janë ushqyer me lajme të gënjeshtra në rrjetet sociale për shkarkim. Përveçse një qetësie të rreme, sipas parimit “çudia më e madhe 3 ditë zgjat”, asgjë nuk ka për të ndodhur. Sepse dhe vetë zyrtari i policisë së shtetit, është, në njëfarë mënyre, viktimë e vetë sistemit që i shërben. Është ky sistem politik që promovon në krye njerëz në kundërshtim me ligjin, u jep akses të jashtëzakonshëm, duke i shndërruar nga ushtar politikë në superheronj të shkeljes së ligjit, të jenë të gatshëm të thyejnë çdo vendim gjykate të formës së prerë, vetëm për orekse politike. Është ky sistem që promovon të keqen dhe të paligjshmen, i cili nuk u krijon mundësi njerëzve të kenë zë publik për të reaguar. Jo vetëm njerëzve të thjeshtë. Edhe drejtuesve të institucioneve. Ata kanë frikë të shprehen. Është kultura jonë që nuk lejon të ngrejmë zërin ndaj të fortëve me mbështetje politike. Tek imazhi i Drejtorit të Policisë së Qarkut është vetë fytyra e ministrit të Brendshëm. Sipas vet asaj që ky i fundit u shpreh kur mori detyrën. Dhe përderisa të jetë kështu, nuk ka për të ndryshuar asgjë.

Ne do të ekzistojmë vetëm nëse do të reagojmë. Rast pas rasti, shkelje pas shkelje, abuzim pas abuzimi. Ndaj kujtdo qoftë. Duke reaguar ndaj pushtetit, "edukojmë" edhe opozitën. Mosreagimi është ushqim për autokratët sot dhe lehtësim për ata që do të vijnë nesër. Një populli që i shkon thika në eshtër dhe nuk reagon, ndaj tij mund të eksperimentosh ç'të duash. 

Do ta përmbyll me disa vargje të njohura nga poema e famshme e priftit luterian Martin Niemoller (1892-1984). Në rininë e tij ai ishte përkrahës i Hitlerit, por, kur pa fytyrën e vërtetë të nazizmit, kundërshtoi dhe u burgos në kampet e përqëndrimit. Vargjet janë emblematike: “Në fillim ata erdhën për hebrenjtë, por unë zërin nuk e ngrita, sepse hebre nuk isha./ Më pas erdhën për komunistët, por prapë zërin nuk e ngrita, sepse komunist nuk isha./ Pastaj erdhën për sindikalistët, dhe prapë zërin s’e ngrita, sepse sindikalist nuk isha./ Në fund erdhën tek unë, por s’kish mbetur askush të ngrinte zërin për mua.”

Është në dorën tonë të vendosim se kur e kemi radhën për të ngritur zërin.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco